U nënshkrua sot, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama, marrëveshja e angazhimit midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me Ernst & Young
Fjala e Ministrit Ahmetaj
Përshëndetje të gjithëve!
I nderuar zoti Kryeministër!
Të nderuar pjesëmarrës!
Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është një hap më shumë dhe shumë i rëndësishëm, në kuadër të thellimit të angazhimit tonë në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.
Qeveria shqiptare është e vendosur dhe e angazhuar në forcimin e zbatimit të ligjit, si një element kyç në sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve, si dhe përparimin në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Plani i veprimit “Në gjurmë të parasë” është një instrument i domosdoshëm për ta ngritur në një nivel tjetër këtë betejë kundër krimit ekonomik dhe financiar.
Goditja e aspektit ekonomik të krimit është e rëndësishme jo vetëm për përmirësimin e rendit dhe qetësisë publike, por edhe për shmangien e deformimit të tregut dhe pasojave që lindin për sipërmarrjen e ndershme në vend.
Krimi ekonomik dhe financiar si një fenomen kompleks dhe në evoluim të vazhdueshëm ngelet një nga sfidat kryesore të organeve ligjzbatuese. Krijimi i kapaciteteve të nevojshme për të luftuar korrupsionin në administratat fiskale, qoftë nga pikëpamja e aftësive profesionale, qoftë nga integriteti, është një hap i domosdoshëm për të përballuar me sukses luftën kundër krimit ekonomik.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë me një kompani me eksperiencë si Ernst & Young”, një nga liderët botëror në fushën e këshillimit, është shumë i rëndësishëm për institucionet e Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, për të përmbushur me sukses hapat e planit të veprimit.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.