Postuar më: 14/01/2019

Ministri Ahmetaj sqaron procedurën për tarifat e reduktuara dhe bursat në Universitete. 2 miliardë lekë mbështetje financiare për studentët.

Ahmetaj sqaron tarifat e reduktuara dhe procedurat për përfitimin e bursave për studentët.

  • Përjashtim 100% nga tarifa për sistemin Bachelor dhe bursë 10 mijë lekë në muaj për studentët me mesatare 9-10 dhe ata nga familjet me ndihmë ekonomike;
  • Reduktim 50% të tarifës për studentët me mesatare 5-9 në sistemin Bachelor.
  • Kthim të shumës së paguar përtej tarifës së re në llogaritë bankare për studentët që e kanë paguar të plotë atë;
  • Reduktim 50% të tarifës së Masterit për studentët ekselentë me mestare 9-10.
  • Përgjysmim të tarifës së regjistrimit në konviktet e parikonstruktuara ende.
  • IAL përgatisin listat me të dhënat e studentëve që të fillojnë menjëherë efektet e vendimeve të qeverisë për tarifat dhe bursat.
  • Këshillat Bashkiakë përjashtohen nga procesi i akordimit të bursave për studentët me ndihmë ekonomike.
  • Paketa e plotë e mbështetjes financiare për studentët arrin shifrën rreth 2 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.

 

Fjala e plotë e Ministrit në detyrë të Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj

 

Përshëndetje,

Dua të bëj një komunikim në lidhje me atë që Kryeministri e ka quatur Pakti për Universitetin, një komunikim i cili ka të bëjë me gjithë procedurën e rëndësishme që ka ndjekur qeveria në të dy shtyllat kryesore, pikë së pari në të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave që janë akte nënligjore që përcaktojnë të gjithë fondet dhe procedurat e lëvrimit të tyre drejt universiteteve dhe sqarimet që kanë të bëjnë më tej me mënyrën e përfitimit, qoftë të reduktimit të tarifës për studentët, qoftë ata të ekselencës, qoftë ata të ndihmës ekonomike, e sigurisht dhe të bursave.

Pikë së pari, është e rëndësishme që ta ndaj mbi të gjithë me studentët, prindërit e tyre dhe qytetarët shqiptarë që sot është fakt ligjior dhe financiar reduktimi i tarifës.

 

  • Reduktimi i Tarifave të Shkollimit për ciklin “Bachelor”:

 

  • Studentët me notë mesatare 9 deri 10, që ne i referohemi si studentët e ekselencës në bazë të definicionit të ri, kanë një përjashtim 100% nga tarifa e shkollimit. Përfitojnë rreth 6,235 studentë. Efekti financiar në buxhetin e shtetit është 201.9 milionë lekë;

 

  • Studentët me notë mesatare nga 5 deri 9 përfitojnë përjashtim 50% nga tarifa e shkollimit. Përfitojnë rreth 70 mijë studentë të cilëve iu bëhet mesatarisht tarifa 9,700 lekë në vit, pra një reduktim shumë i rëndësishëm i tarifës. Efekti financiar në buxhet është 1 miliardë lekë;

 

Sa i takon procedurës që do të ndiqet për reduktimin e tarifës për studentët me mesatare 5-9 dhe është shumë e rëndësishme sepse mund të ketë konfuzion, i shtyrë qëllimisht diku, unë dua të sqaroj procedurën dhe të garantoj të gjithë studentët se ato që përmban e gjithë paketa e vendimeve të Këshillit të Ministrave, sot janë aktive dhe do t’i përfitojnë ashtu siç është shkruar, e zeza në të bardhë në vendimet e qeverisë:

  • Organet Kolegjiale (Bordi i Administrimit) vendosin uljen e tarifës së shkollimit në masën 50%. Ky vendim u njoftohet studentëve. Pra, në referencë të vendimit të Këshillit të Ministrave, Bordi i Administrimit, që është organi kolegjial, bën vendimmarrjen e reduktimit 50% për studentët dhe i njofton ata.

 

  • Për studentët që kanë paguar të plotë tarifën vjetore të shkollimit, Bordet e Administrimit marrin vendim për rikthimin e shumës së paguar më shumë, në llogarinë bankare të studentit pranë bankave të nivelit të dytë. Pra, për të gjithë ata studentë me mesatare 5-9 që mund të kenë paguar tarifën e plotë, do t’iu kthehet gjysma e pagesës në bazë të vendimit të Bordit të Administrimit, në llogari të tyre në bankat e nivelit të dytë.

 

Lidhur me procedurën që duhet të ndjekin studentët me mesatare 9-10 për t’u përjashtuar nga pagimi i tarifës së shkollimit për Ciklin “Bachelor”, unë po i rendis si më poshtë:

Ka një vendim të Këshillit të Ministrave, nr.779, datë 26.12.2018 “Për disa ndryshime në Vendimin nr.269, datë 29.3.2017 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, që përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit”.

Ka qenë një pyetje nga shumë studentë tek Kryeministri i Shqpërisë, për programet e integruara, prandaj po e theksoj që dhe programet e integruara 5-vjeçare përfitojnë drejtpërsëdrejti nga ulja e tarifës, në këtë vendim që unë i referohem, ose në një program të studimeve profesionale që përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.

VKM përcakton qartësisht:

Pika f): Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë). Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës;

Kjo është në referencë dhe në respekt të gjithë atyre tatimpaguesve që në finale, mbajnë në kurriz gjithë ato politika që ne bëjmë në favor të studentëve legjitimisht. Pra, studentët duhet të kenë mbyllur me sukses të gjitha detyrimet akademike të vitit paraardhës.

  • Njësitë Kryesore të Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik /Titullarët e Njësive Kryesore/Fakulteteve, shpallin rezultatet e studentëve me notë mesatare vjetore 9 deri në 10 që përfitojnë nga ky vendim.

Dua të ndaloj këtu, sepse janë fakultetet, është universiteti që do të përgatisë dhe dërgojë listën e studentëve ekselentë, nuk është qeveria. Qeveria vetëm financon 100 % tarifën e tyre. Pra, del lista nga universitetet me rezultatet 9-10 dhe automatikisht studentët në listë janë përfitues të përjashtimit 100% nga tarifa.

Pika g):  Studentët e pranuar në vitin e parë akademik në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë) nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, të përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.

Pra që të jeni të qartë, për ata student që vijnë në vit të parë në Bachelor, iu merret mesatarja 9-10 ashtu siç unë e rendita pak më parë. Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, sepse është viti i parë dhe ata nuk janë ende në universitete, që do të thotë se janë Qendrat e Shërbimeve Arsimore që sjellin listat e studentëve të cilët automatikisht bëhen përfitues të përjashtimit 100 % nga tarifa.

  • Mbështetur në këtë informacion që vjen nga Qendrat e Shërbimeve Arsimore, që citohet në pikën g) të vendimit, vendoset përjashtimi nga Bordi i Administrimit.

Pra, siç e shikoni të dashur studentë, qytetarë, prindër, Bordet e Administrimit kanë një rëndësi shumë të veçantë në administrimin e kësaj lehtësi që legjitimisht qeveria ka vendosur të ofrojë për studentët e kategorive të ndryshme.

 

  • Reduktimi i Tarifës së Studimit në ciklin “Master”:

 

Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 780, datë 26.12.2018 “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret për ulje të tarifës vjetore të studimit në programet e ciklit të dytë të studimeve, në institucionet publike të arsimit të lartë”, është realizuar:

  • Reduktimi me 50% i tarifës së studimit në ciklin “Master” për Studentët me notë mesatare 9 deri në 10; Përfitojnë rreth 3,311 studentë; Efekti Financiar në buxhet është rreth 150 milionë lekë;

 

Sa i takon procedurës që duhet të ndjekin Studentët me mesatare 9-10 për t’u përjashtuar nga pagimi i tarifës së studimit për Ciklin “Master”, si më poshtë:

 

Po në VKM që unë iu referova më sipër, nr.780:

“Institucionet e Arsimit të Lartë publike shpallin kriteret ligjore”. Pra siç e shikoni, Institucionet e Arsimit të Lartë, autonomia dhe përgjegjësia është totalisht e Universitetit dhe e drejtimit kolegjial, Bordet e Administrimit të tyre. Qeveria ka bërë të mundur procedurë të qartë, të pastër dhe financim të plotë, duke ndjekur dhe kriteret sociale, qoftë të atyre studentëve që vijnë nga familje në nevojë, qoftë studentët e ekselencës, dhe pastaj gjithë reduktimi për të gjithë studentët 50%.

Pra, “ Institucionet e Arsimit të Lartë publike shpallin kriteret ligjore që duhet të plotësojnë studentët për të përfituar nga ky vendim duke vendosur një afat deri në katër jave, për depozitimin e dokumentacionit ligjor që vërteton gjendjen sociale- ekonomike të studentit.”

Pra, janë studentë që vijnë nga një familje që përfiton ndihmë ekonomike apo gjithë kategoritë që ne i kemi përcaktuar si kategori në nevojë, që kanë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe me 100 % përjashtim nga tarifa dhe me bursë deri në 10 mijë lekë në muaj. Bordi i Administrimit të institucionit shqyrton dhe miraton për çdo vit akademik, jo më vonë se muaji dhjetor, listën e studentëve të kategorive të individëve që plotësojnë kriteret që unë iu referova më lart.

 

  • Zgjerimi i skemës së trajtimit me bursë për studentët e ekselencës dhe atyre që vijnë nga shtresa sociale në nevojë:

 

Ka një vendim që studentët, prindërit, qytetarët, kushdo që është i interesuar mund t’i referohet, është vendimi nr.784, datë 26.12.2018 “Për disa ndryshime në Vendimin nr.903, datë 21.12.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave nga fondi i mbështetjes studentore për studentët e shkëlqyer, studentët që studiojnë në programe studimi në fushat prioritare dhe studentët në nevojë” i ndryshuar”:

  • Studentëve pjesëtare të familjeve përfitues të Ndihmës Ekonomike, bursa iu bëhet 10,000 lekë në muaj për student nga 8,900 lekë që ishte më pare. Përfitojnë 4,959 studentë. Efekti financiar vetëm për këtë kategori në buxhet është 140 milionë lekë në vit.
  • Studentët me mesatare nga 9 deri në 10 përfitojnë bursën 10,000 lekë në muaj, ndërkohë që më parë ishin vetëm 50 studentë ekselentë me notën mesatare 10.00 që përfitonin një bursë mujore prej 8900 lekë. Përfitojnë në këtë kategori 3,744 studentë. Efekti financiar në buxhet është rreth 320 milionë lekë në vit.

 

Lidhur me procedurën që ndiqet aktualisht për përfitimin e bursës për studentët ekselentë dhe si do të ndiqet në të ardhmen për studentët e 9-10, sqaroj:

Në zbatim të VKM nr.784, që iu referov më lart sqarohet se:

  1. f) Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë). Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës;

Njësitë Kryesore të IAL Publike /Titullarët e Njësive Kryesore, Fakulteteve / shpallin rezultatet e studentëve që përfitojnë nga ky vendim. Mbështetur në këtë informacion, sërish Bordi i Administrimit vendos miratimin e bursës vjetore.

Pra, qeveria ka bërë vendimet, ka bërë procedura të thjeshta, të qarta, të pastra, ka vendosur totalisht fondin në dispozicion dhe procedura e çon aty ku është dhe thelbi i autonomisë administrative, që është Bordi i Administrimit të universiteteve.

  1. g) Për studentët e pranuar në vitin e parë akademik në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë) është i njëjti parim si për Bachelor-in, pra iu merret nota mesatare e viteve në arsimin e mesëm të lartë, duke përfshirë dhe Maturën Shtetërore, dhe sërish lista dërgohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, i vendoset në dispozicion Bordit të Administrimit.

Të dashur studentë, të dashur prindër, të dashur qytetarë, Bordet e Administrimit janë në respektim të autonomisë administrative dhe në funksion të studentëve për të bërë të mundur të gjithë këtë procedurë dhe të gjithë këtë mbështetje që qeveria, nëpërmjet këtyre vendimeve tashmë, ka vendosur të gjithë fondin. I gjithë fondi është në dispozicion të Universiteteve, është në dispozicion të studentëve.

U bëj thirrje Bordeve të Administrimit që të përshpejtojnë procedurat për sjelljen e listave. Vendimet janë të qarta. Ju lutem Bordeve të Administrimit të lëxojnë vendimet me shpejtësi dhe të sjellin në Ministrinë e Financave menjëherë detajimin e listave.

 

Lidhur me procedurën që ndiqet aktualisht për përfitimin e bursës për studentët nga familjet në nevojë dhe si do të ndiqet në të ardhmen:

Kjo është shumë e rëndësishme se dua që t’i informoj qytetarët, studentët, prindërit e tyre, që Këshillat Bashkiakë nuk kanë më punë me bursat e studentëve. Ajo praktikë që talleshin me njerëzit në nevojë, që një Këshill Bashkiak merrte një shumë të bursës për student për familjet në nevojë dhe e ndante përgjysmë, do të marrë fund.

Po e them zyrtarisht, publikisht, për studentët, për prindërit, për qytetarët, Këshillat Bashkiake janë jashtë kësaj procedure. I them Këshillave Bashkiakë të mos merren fare me bursat e studentëve. Janë zyrtarisht jashtë kësaj procedure. Qeveria vendos paratë, kriteret janë të vendosura në VKM, Bordi i Administrimit, ku dokumentacioni prezantohet nga studentët për statusin familjar, përfiton menjëherë bursën në llogarinë përkatëse bankare në banka të nivelit të dytë.

Unë po e citoj paragrafin: “Ministria e Arsimit, mbështetur në rezultatet e shpallura nga Qendrat e Shërbimeve Arsimore “Për studentët që plotësojnë kriterin e notës mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë)”, miraton bursat”. Pra gjithmonë shkojmë tek Bordi i Administrimit.

Për studentët që vijnë nga familjet në nevojë, është shumë e rëndësishme që unë t’ju citoj procedurën. Sigurisht që të gjitha këto ne do t’i vendosim dhe në të gjithë portalet zyrtare që përdor Ministria, Qeveria, e patjetër që do të bëjmë dhe konsultime, siç kemi filuar, në të gjithë Shqipërinë, që sot. Tani që jemi duke folur ka përfaqësues të Ministrisë së Financave në të gjitha sekretaritë e Universiteteve, në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Pra, në zbatim të Vendimit nr.903, që i referohemi si vendimi për studentët që vijnë nga familjet në nevojë”

“Institucionet e Arsimit të Lartë publike mbështetur në kriteret ligjore të miratuara me VKM, shpallin kriteret për përfitimin e bursave nga studentët që janë rregjistruar dhe ndjekin ciklin e parë të Studimeve, studentët e rregjistruar në vitin e parë aplikojnë për bursë në njësinë e vetëqeverisjes vendore” – që siç e theksova, kjo procedurë bie. Nuk është më. Por, bëhet nëpërmjet Ministrit përgjegjës për arsimin, që miraton bursat për studentët. E theksoj jo pa qëllim disa herë, Këshilli Bashkiak është jashtë kësaj procedure.

  • Sot, Bordet e Administrimit, mbështetur në listat që ju vijnë dhe dokumentacionin përkatës që unë iu referova vendosin miratimin e fondit për bursat.

Bursa nuk është më që për një bursë prej 10 mijë lekësh do të përfitojnë nga 5 mijë lekë dy studentë. Jo, do të përfitojnë bursë të plotë 10 mijë lekë në muaj, pra 100 mijë lekë të vjetra në muaj një student.

 

  • Reduktimi i Tarifave të Regjistrimit në Konvikte:

 

  • Përgjysmohet tarifa e regjistrimit në konviktet e parikonstruktuara akoma.

Për dijeninë tuaj, kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm rikonstruksioni godinash. Në Tiranë janë sot në proces dokumentacioni dhe shumë shpejt tenderimi nga Bashkia e Tiranës, 5 godina. KfW ndërkohë është në process për 4 godina dhe në një process më të thellë për një marrje kredie nga qeveria shqiptare, kombinuar me grant, për të gjitha godinat. Ndërkohë, sigurisht që mund të ketë dhe institucione të tjera të cilat do të mbështesin. Praktikisht, brenda këtij mandati, të gjitha konviktet në Republikën e Shqipërisë do të jenë të rikonstruktuara. Por, unë po i referohem reduktimit të tarifës për ato konvikte që nuk janë të rikonstruktuara.

  • Nga kjo masë do të përfitojnë 8 mijë student.
  • Kjo tarifë aplikohet nga Ndërmarrjet e Trajtimit të Studentëve me vendim të Këshillave Mbikqyrës përkatës, të orientuar nga qeveria, është fondi gati në 200 milionë lekë.

Gjithë paketa që sot është efektive nëpërmjet gjithë këtyre vendimeve të Këshillit të Ministrave shkon rreth 2 miliardë lekë. Pra, reduktimi i tarifave, përjashtimi 100 % për ekselentët 9-10, reduktimi për të gjithë studentët me 50 %, përjashtimi 100 % për studentët që vijnë nga familjet në nevojë, bursa 10 mijë lekë në muaj për ekselentët, bursa 10 mijë lekë në muaj për studentët që vijnë nga familjet në nevojë dhe reduktim i tarifës së konvikteve.

 

Së fundi, dua të theksoj se duke nisur nga dita e sotme, një përfaqësues nga Ministria e Financave dhe një nga Ministria e Arsimit do të jenë prezent pranë sekretariateve të Universiteteve për të sqaruar çdo paqartësi, qoftë mbi tarifat apo mbi procedurën që do të ndiqet për studentët, sipas klasifikimit të përmendur më sipër.

Gjej rastin t’iu kërkoj bordeve drejtuese të Universiteteve të kalojnë sa më parë, të punojnë 24 orë për të kaluar të dhënat për studentët në mënyrë që të mos krijohen vonesa në plotësimin e kërkesës së studentëve dhe patjetër edhe në akordimin e bursave.

E theksoj edhe njëherë, paratë janë në Buxhetin e Shtetit, procedura është e qartë, në emër të qeverisë i kërkoj Bordeve të Universiteteve të punojnë 24 orë, të sjellin të dhënat e detajuara për studentët, që të fillojë përfitimi i uljes së tarifave dhe i bursave. Borde të Administrimit, mos u “çmblidhni” më, rrini të mbledhur deri ditën kur të sillni në këtë ministri dhe në Ministrinë e Arsimit detajet për çdo student, që të bëhet i mundur përfitimi i bursës. Mos u çmblidhni më, rrini 24 orë të mbledhur.

Përfitoj edhe njëherë nga rasti për të përsëritur për Këshillat Bashkiakë se procesi i bursimit, pra akordimit të bursave për studentët me ndihmë ekonomike, do të zhvillohet drejtpërsëdrejti mes Qeverisë dhe studentëve në llogaritë e tyre bankare, nëpërmjet vendimit të Bordeve të Administrimit në verifikim të dokumentacionit që cilësojnë kategoritë.

Iu lutem Këshillave Bashkiakë, mos u mblidhni kot për bursat, mblidhuni për punë të komuniteteve e të qytetarëve çdo ditë po deshët, por jo për bursat e studentëve. Nuk është më puna juaj.

Së fundi, dëshiroj të theksoj edhe njëherë mbështetjen e drejtpërdretë të qeverisë për studentët në kauzën dhe kërkesat e tyre dhe e përsëris që sot, fakti ka treguar në pak më shumë se një muaj, në diskutim nga afër apo nga larg me studentët, se qeveria Rama, ky Kryeministër, është aleati i vetëm i studentëve, i prindërve të tyre gjithashtu.

Kërkesat e tyre janë plotësisht të plotësuara sot dhe sot Buxheti i Shtetit është në dispozicion të zbatimit të procedurës deri në qindarkën e fundit në favor të asaj që është vendosur në paketën e vendimeve të qeverisë, në favor të kërkesave të studentëve.

Ndërkohë, ky ishte komunikimi im public me studentët, me prindërit e tyre dhe me qytetarët, për të treguar që realisht në Sekretaritet e Universiteteve keni përfaqësues nga Ministria e Financave, në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Pra, në të gjithë sekretaritë në Republikën e Shqipërisë ka përfaqësues nga Ministria e Financave. Në rrethe, Gjirokastër, Korçë, Durrës, janë kryesisht drejtuesit e Thesarit, që është institucion varësie i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

 

Faleminderit.