Shqipëria ka marrë zyrtarisht kryesimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore, me qëllimin nxitjen e Zhvillimit Rajonal dhe procesit të Integrimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Misioni i Shqipërisë në Bashkimin Europian organizuan takimin hapës të Kryesimit të CEFTA-s, me pjesëmarrjen e Komisionin Europian dhe partnerëve te tjerë të rajonit.
Aktiviteti, i hapur për publikun, solli së bashku në një panel Znj. Albana Shkurta, Zëvëndësministre e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Suela Janina, Ambasadore e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Znj. Myriam Ferran nga DG NEAR, Komisioni Europian, Z. Emir Djikcic, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s dhe bashkepunëtorë e donatorë si USAID, GIZ etj.
Znj. Janina në fjalën e saj hapëse e konsideroi Marrëveshjen CEFTA si një nga gurët e themelit të zonës ekonomike rajonale dhe procesit të integrimit europian. Për këtë arsye, në këtë takim hapës, ajo theksoi përfshirjen e përhershme të Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe ftoi të gjitha palët për një angazhim të plotë institucional për realizimin e qëllimeve të lidhura edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Znj. Ferran, Komisioni Evropian, theksoi rëndësinë që CEFTA, si pjesë e bashkëpunimit rajonal vazhdon të ketë në strategjinë e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Ajo sqaroi më tej, se Zona Ekonomike Rajonale mbetet platforma më e sigurt për procesin e integrimit të rajonit dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.
Zj. Albana Shkurta, Zëvëndësministre e Financave dhe Ekonomisë prezantoi prioritetet e Kryesimit të Shqipërisë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Zonave të Tregtisë së Lirë, Tregtisë së Lirë të Mallrave dhe Shërbimeve dhe të Lëvizjes së Lirë të Investimeve për ekonomitë e palëve të CEFTA-s.
Znj. Shkurta u fokusua më tej në prioritetet më të rëndësishme me karakter teknik dhe politik, duke theksuar miratimin e Protokollit të Tregtisë në Shërbime, përfundimin e ratifikimit të Protokollit të Tregtisë së Lirë të Mallrave dhe angazhimin për të përfunduar negociatat deri në fund të 2019 për Protokollin për Mekanizmat e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në fushën e Tregtisë.
Ajo falenderoi Z. Nikaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian për realizimet e vitit të shkuar dhe konfirmoi më tej përqasjen konstruktive të Shqipërisë për realizimin e suksesshëm të axhendës ambicioze për vitin 2019 në CEFTA.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë në Evropën Qëndrore (CEFTA) është një marrëveshje rajonale tregtare me vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë. Marrëveshja ka hyrë në fuqi në vitin 2007. Objektivi kryesor I CEFTA-s është të nxisë tregtinë në mallra dhe shërbime dhe të lehtësojë investimet në rajon, duke ofruar një platforme për eleminimin e barrierave të tregtisë. CEFTA mbetet edhe aktualisht platforma më e rëndësishme për integrimin ekonomik të rajonit në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Në 1 Janar 2019, Shqipëria ka marrë Kryesimin e strukturave të CEFTA-s.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.