Postuar më: 18/02/2019

Ministrja Denaj merr pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore

15 shkurt 2019 – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të  Grupit  të   Bankës Botërore (BB), në Valletta, Maltë. Në këtë takim merrnin pjesë Ministrat e Financave të vendeve anëtare të këtij grupi, si  Italia, Greqia, Portugalia, Malta, San Marino dhe Timori Lindor.

Rritja e efektivitetit të vendeve anëtare si dhe zhvillimet më të fundit të dy institucioneve ndërkombëtare nga aspekti i Konstituencës, ishin dhe temat që u diskutuan në këtë takim, ku nuk u lanë pas zhvillimet e ekonomisë globale dhe ato të ekonomive rajonale. Një vend të rëndësishëm në diskutimet mes pjesëmarrësve ishte dhe prezantimi i paktit të ri social bazuar në analizat më të fundit analitike të FMN dhe BB.

Në bazë të këtyre diskutimeve u theksua nga pjesëmarrësit kërkesa për një rishikim të politikave aktuale që fokusohen ngushtësisht te pabarazia e të ardhurave.  Gjithashtu duhet një vëmendje më e madhe te politikat për mundësi  të  barabarta  për punësim,   edukim  dhe  barazi  gjinore. Pjesëmarrësit në këtë takim i vlerësuan këto faktorë si mjaft të rëndësishëm dhe si mjete për arritjen e një zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës.

Ministrja Denaj dhe  Guvernatori Sejko zhvillun takime me z.Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore dhe  z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku diskutuan  zhvillimet më të fundit  ekonomike  në Shqipëri dhe rajon, si dhe reformat e ndërmarra  për të përballuar  sfidat  që po kalon ekonomia globale.

Shqipëria  është  anëtare  e  Fondit   Monetar  Ndërkombëtar  (FMN)  që prej vitit  1991  dhe   bën   pjesë   në  të  njëjtën  konstituencë  me Greqinë,  Italinë, Maltën, Portugalinë, Timorin Lindor dhe San Marinon.