
Deklarata e Ministrit Ahmetaj për kalimin në qeveri të Projektligjit “Për Pagesën dhe Fshirjen e Pjesshme të Detyrimeve Tatimore dhe Detyrimeve të Pagueshme në Doganë, si dhe Procedura e Heqjes nga Qarkullimi të Automjeteve të Transportit pas Fshirjes së Detyrimit Tatimor”.
Përshëndetje,
Dua të ndaj me publikun, me qytetarët dhe me të gjithë tatimpaguesit, lajmin që vjen nga mbledhja e qeverisë për kalimin në qeveri të Projektligjit për “Pagesën dhe Fshirjen e Pjesshme të Detyrimeve Tatimore dhe Detyrimeve të Pagueshme në Doganë, si dhe Procedura e Heqjes nga Qarkullimi të Automjeteve të Transportit pas Fshirjes së Detyrimit Tatimor”.
Është e rëndësishme të sjell në vëmendjen e publikut, të qytetarëve, të tatimpaguesve, se ky ligj për fshirjen e pjesshme të detyrimeve, vjen pas një aksioni të koordinuar nga ana e qeverisë dhe masave konkrete të ndërmarra në dy drejtime paralele, në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend.
Përgjatë dy viteve të fundit, kemi ndërmarrë një betejë të gjerë dhe me rezultate konkrete kundër informalitetit në ekonomi, për të rikthyer ligjshmërinë dhe ndërtuar një stil të ri jetese për qytetarët, i cili në kuadër të fazës se dyte u konceptua me një qasje krejt tjetër të orientuar drejt edukimit, ndërgjegjësimit, komunikimit intensiv me sipermarrjen, me qëllim përmbushjen e parimit të vetëkorrigjimit.
E gjithë kjo u shoqërua me një paketë të thjeshtimit të procedurave për sipërmarrjen, një revolucion që për herë të parë në 25 vite në klimën e biznesit në vend u bë në bashkërendim dhe me një punë të përditshme sëbashku me sipërmarrjen. 42 procedura të prekura, lehtësi dhe mbështetje e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen.
Ndër vite janë ndërrmarrë iniciativa ligjore për faljen e detyrimeve tatimore e doganore, por ato asnjëherë nuk janë ndërmarrë paralelisht me thjeshtimin e proçedurave, fushata sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit si dhe luftën kundër informalitetit, duke çuar kështu në mospërmbushjen e plotë të objektit kryesor të faljes së detyrimeve fiskale. Kjo është arsyeja pse një masë e madhe detyrimesh tatimore dhe doganore, edhe pse kanë qënë objekt i ligjeve të faljeve ndër vite, kanë mbetur në llogarinë e tatimpaguesve dhe nuk janë shuar.
Ligji në fjalë ose Draft-ligji në fjalë, sepse kaloi sot në qeveri dhe po sot përcillet në Kuvend për tu diskutuar nga ligjvënësit.
Detyrimet që fshihen me këtë ligj i përkasin periudhave tatimore përpara 6 vjetëve, dhe përveç faktit se një pjesë e tyre duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, për këto detyrime, në zbatim të nenit 100 të Ligjit 9920/2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, të ndryshuar, e drejta për fillimin e procedurave për zbatimin e masave shtrënguese parashkruhet brenda 5 viteve nga data kur detyrimi tatimor i papaguar duhej të paguhej. Pra, këto detyrime rezultojnë si të pambledhshme, duke qënë se është tejkaluar afati ligjor i mësipërm.
Projektligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në Doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”, propozohet në mbështjetje të neneve 78, 83 pika 1, dhe 155, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe institucioni propozues është Ministria e Financave.
Dua që për informacion ndaj qytetarëve t’i kalojë një nga një të gjitha fshirjet dhe lehtsitë, që Draft-ligji në fjalë krijon me bërjen ligj pasi të kalojë në Kuvend.
Me anë të këtij projektligji synohet:
Detyrimet potencialisht për t’u fshirë janë 91 miliard lekë, nga të cilat fshirja e detyrimeve me kushte shkon gati 30 miliard lekë, ku përfshihen principali, gjoba e kamatvonesave për periudhën përpara 31 dhjetor të vitit 2010. Fshirja e detyrimeve me kusht, pra detyrimet pas 2010, shkojnë në 61.45 miliard lekë, për të qenë fiks me shumën, dhe për të paguar si kusht për të përfituar nga lehtësimi janë 35 miliard lekë, që është shuma e principalit.
Dua të theksoj që ky ligj, vjen me një vullnet politik të plotë të Aleancës, të Qeverisë, me detyrimin për të lehtësuar tatimpaguesit, me detyrimin për të krijuar një balancë në atë betejë që ne sot e vazhdojmë po me të njëjtin intensitet kundër informalitetit, për të krijuar të gjitha kushtet ligjore, proceduriale, financiare pse jo, për një marrëdhënie të re me sipërmarrjen. Dua të theksoj që ky ligj është gjithashtu një premtim i mbajtur dhe mbi të gjitha është një ligj tejet i qartë dhe do të krijojë lehtësi të ndjeshme në terrenin fiskal dhe në terrenin ekonomik të vendit.
Faleminderit!
***
Pyetje nga gazetarët:
A do të kalojë sot në mbledhjen e qeverisë vendimi për rritjen e pensioneve dhe si do të jetë kjo rritje, do jetë uniform për të gjitha kategoritë, do jetë e njëjtë. Kur do të rritet në rastë se ka një vendim?
Ky është një lajm tjetër shumë i mirë për pensionistët. Sot Këshilli i Ministrave kaloi vendimin për rritjen e pensioneve. Pensionistët në 2 mars do të marrin marrin pensionin e rritur dhe është një rritje uniformë. Vjen menjëherë pas paketës së solidaritetit që qeveria kaloi në dhjetor të viti 2016, në favor të pensionistëve, në favor të gjitha familjeve me ndihmë ekonomike dhe të personave, të individëve me aftësi të kufizuar. Projekti social vazhdon.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.