

Zhvillimet më të fundit ekonomike dhe ecuria e reformave në Shqipëri janë diskutuar në Takimet e Pranverës që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në SHBA.
Delegacioni shqiptar përfaqësohej nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Guvernatori i BSH, Gent Sejko, të cilët gjatë datave 12-14 prill zhvilluan takime me drejtues të lartë të dy institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
Ministrja Denaj zhvilloi takime me Zv. Presidentin e BB, z. Muller, Zv. Presidenten e IFC znj. Baker, zv. Presidentin e BB për thesarin z. Huang, Zv Drejtorin e Përgjithshëm të FMN, z. Zhang, Drejtorin e FMN për Evropën, z. Thomsen, si dhe Drejtorët Ekzekutiv z. Fanizza (FMN) dhe z. Pagano (BB). Gjithashtu, u zhvilluan dhe një sërë takimesh të tjera me departamente të ndryshme të këtyre institucioneve ndërkombëtare.
Në këto takime u diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike dhe ecuria e reformave në Shqipëri.
Nga të dy institucionet u vlerësua momenti pozitiv që po kalon ekonomia shqiptare si në terma të rritjes ekonomike dhe zgjerimit të punësimit që e dallon atë nga vendet e tjera të rajonit dhe situatën e përgjithshme ndërkombëtare. Theksi u vu në krijimin e kushteve për vazhdimin e reformave dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Të dyja institucionet ndërkombëtare shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur teknikisht dhe financiarisht reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.