Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, që vendos në një nivel të ri e të përmirësuar, ndërveprimin institucional.
Protokolli i Shkëmbimit Elektronik të të Dhënave do të sigurojë shkëmbimin dhe transmetimin e ndërsjellët të të dhënave, me qëllim lehtësimin e ndjekjes së procedurave ligjore nga ana e tatimpaguesve me secilin prej këtyre institucioneve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Delina Ibrahimaj, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e QKB-së, znj. Pranvera Fagu, vlerësuan si të rëndësishëm dhe të domosdoshëm bashkëpunimin mes dy institucioneve, për zbatimin sa më korrekt të të drejtave dhe detyrimeve ligjore, si dhe koordinimin e veprimeve për pasqyrimin real të të dhënave të subjekteve/tatimpaguesve në dosjet e tyre elektronike.
Përmirësimet e kësaj marrëveshjeje të re bashkëpunimi sigurojnë: pasqyrimin e ndryshimeve ligjore të Paketës Fiskale të vitit 2019; shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike, duke eliminuar një pjesë të konsiderueshme të procedurave shkresore; marrjen dhe shkëmbimin e të dhënave shtesë midis dy institucioneve, për subjektet që janë pjesë e Regjistrit Tregtar dhe administrohen nga QKB; si dhe konsultimin në kohë reale të situatës tatimore të tatimpaguesit/subjektit, me qëllim reduktimin e afatit kohor të procedurave për ekzekutimin e kërkesave.
Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar maksimalisht për të ofruar për sipërmarrjet shërbime sa më cilësore, në çdo kohë dhe me kosto sa më të ulët.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.