Postuar më: 30/09/2019

SME-të dhe sipërmarrësit shqiptarë tregojnë një interes në rritje për programin COSME të Bashkimit Evropian.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar në Shqipëri për Programin Evropian të konkurrueshmërisë së SME-ve, COSME, në bashkëpunim me Projektin e Asistencës Teknike të BE-së për Programet Evropiane në Shqipëri, si dhe me  Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, organizuan një Sesion të gjerë Informimi mbi thirrjen për propozime ‘Nxitja e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe kapacitetet e SME-ve që punojnë në këtë fushë” në kuadër të programit COSME të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim morën pjesë mbi 50 përfaqësues të disa grupimeve të SME–ve në Shqipëri që operojnë në fushën e turizmit, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë në nivel kombëtar dhe vendor, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe shoqatave që kanë në fokus të punës së tyre turizimin, përfaqësues të sistemit bankar, të Këshillave të Qarqeve etj.

Pas fjalës përshëndetëse të znj.Majlinda Hafizi, përfaqësuese e Ministrisë së Financave dhe Ekonomise në rolin e Koordinatorit Kombëtar për programin COSME në Shqipëri, ekspertët e projekti të Asistencës Teknike ofruan një informacion të detajuar në lidhje me këtë thirrje për propozime, si dhe dhanë udhëzimet përkatëse që duhen pasur parasysh nga ana e aplikantëve gjatë proçesit të aplikimit.

Për programin COSME ka një interes në rritje në ambjentet e SME-ve dhe ato të sipërmarrjes në Shqipëri, duke iu referuar impaktit që kanë pasur disa projekte të suksesshme në këtë fushë në vitet e fundit.