
Për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë mbështetja e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme mbetet një prioritet. Qëllimi kryesor është rritja e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve shqiptare, inovacionit, si dhe krijimi i mundësive për t’u mbështetur financiarisht.
I tillë është edhe rasti i veçantë i kompanisë “Artisanal”, që operon në fushën e prodhimit të varkave, që u vizitua nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Belinda Ikonomi. Një biznes start up me ide inovatore që ka përfituar një grant me vlerë 4,000 euro nga programi IDEA i mbështetur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe GIZ.
Kjo kompani gjithashtu është përkrahur nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ( AIDA) për krijimin e profilit të biznesit, si dhe ka asistuar në lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me një kompani në Malin e Zi, me qëllim zgjerimin në tregje të reja.
“ Gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje bizneseve të vogla dhe të mesme, që kanë interes në drejtim të rritjes së kapaciteteve; gjetjes së partnerëve nëpërmjet platformës EEN, Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve, për t’u zgjeruar në tregje të reja për shitjen e produkteve të tyre; për përmirësimin e teknologjisë, si dhe për zbatimin e ideve inovatore, të bashkëpunojnë me AIDA-ën për të marrë ndihmën e nevojshme në çdo hap”, tha zëvendësministrja Ikonomi.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.