Postuar më: 15/11/2019

BB mbështet Shqipërinë për rritjen e mundësive ekonomike për gratë

Banka Botërore do të mbështesë Shqipërinë për të zgjeruar më tej barazinë gjinore duke rritur mundësitë ekonomike për gratë. Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të BB ka aprovuar huanë prej 10 milionë USD për Shqipërinë, financim i cili do të mbështesë përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e barazisë gjinore përmes njohjes së bashkëpronësisë së gruas në pasuritë e paluajtshme, krijimit të mundësive për to në aktivitete që gjenerojnë të ardhura, si dhe forcimit të politikave mbi barazinë gjinore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore dhe shprehu besimin se ky program do të ndihmojë në kapërcimin e pengesave që lidhen me punësimin dhe përfaqësimin e suksesshëm të grave në tregun e punës.

“Qeveria e Shqipërisë ka shënuar arritje të rëndësishme për të zvogëluar hendekun gjinor në fushat sociale dhe ekonomike. Shqipëria ka arritur barazi pothuaj të plotë gjinore në arsim dhe shëndetësi. Shkalla e përfaqësimit politik dhe vendimmarrës i grave është mbresëlënës në nivelin e lartë qeverisës dhe atë të shërbimit civil.  Aktualisht qeveria po trajton pabarazinë gjinore në qasjen ndaj mundësive ekonomike për gratë. Ne besojmë se programi i Bankës Botërore do të ndihmojë në kapërcimin e pengesave që lidhen me punësimin dhe përfaqësimin e tyre të suksesshëm në tregun e punës”, tha znj. Denaj.

Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, znj. Linda Van Gelder, shprehu angazhimin e BB për të punuar me qeverinë shqiptare në mënyrë që barazia ekzistuese gjinore të përkthehet në rezultate në tregun e punës dhe mundësi sipërmarrëse për gratë. “Shqipëria mund të arrijë potencialet e veta vetëm atëhere kur çdokush mund të marrë pjesë dhe kontribuojë aktivisht në ekonomi,” tha znj. Linda Van Gelder.

 

Huaja për politikat e zhvillimit është një instrument i Bankës Botërore që mbështet politikat  programore dhe masat institucionale të një vendi për të nxitur  rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.  Kjo hua është programi i parë i këtij lloji në Bankën Botërore që ka në fokus barazinë gjinore duke synuar të tregojë se reformat e fokusuara në këtë drejtim mund të sjellin ndikim të dukshëm. Ai është ngushtësisht i lidhur me Planin Kombëtar të Zhvillimit të Shqipërisë për vitet 2016-2020 dhe mbështet plotësimin e kushteve për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Disa nga veprimet tashmë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në lidhje me këtë program përfshijnë:

  • rritje të numrit të rregjistrimeve me gratë bashkëpronare, si dhe një legjislacion e rregulla të përmirësuara që i mundësojnë grave të përdorin pronën për të siguruar financime;
  • Krijimi i kushteve më të mira për gratë për të marrë pjesë në tregun e punës duke i kërkuar tenderuesve në tenderat e prokurimit publik të nënshkruajnë një deklaratë mosdiskriminimi;
  • Rritje të incentivave për gratë me fëmijë që të përfshihen në tregun e punës duke përmirësuar raportin student- mësues në ciklin parashkollor në disa bashki, çka do të rrisë cilësinë në arsimin parashkollor;
  • Rritje të numrit të grave, përfshirë edhe ato të kategorizuara si vulnerabël, që punësohen përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit; dhe,
  • Rritje të programeve të buxhetimit që mundësojnë reflektimin mbi politika që lidhen me rritjen e rolit të grave në ekonomi.

Kjo hua pritet të mbështetet nga një financim prej 50 milionë Euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit.