Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi sot takimin hapës me përfaqësuesit e Komisionit Europian, të cilët vizitojnë Shqipërinë në Misionin e tyre për Programin e Reformave Ekonomike.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Denaj prezantoi ecurinë e reformave në përmirësimin e tregut të punës, përmirësimin e klimës së biznesit, zhvillimin e sektorëve prioritarë dhe ecurinë e indikatorëve makroekonomikë në vend.
Ministrja theksoi se Reforma e Deregulimit, nxitja e mëtejshme e eksporteve, rritja e kapaciteteve dhe nxitja e aksesit në financë të SME-ve, ecuria dhe eficenca në sektorin e energjisë, përmirësimi i shërbimeve ndërmjetësuese në tregun e punës apo zbatimi i programeve të nxitjes së punësimit, mbeten në fokus të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim nxitjen e konkurrueshmërisë së tregut vendas.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Komisionit Evropian nxitën mbështetjen dhe ecurinë e reformave në sektorët e turizmit, energjisë dhe në tregun e punës, duke iu referuar edhe mbështetjes që Bashkimi Evropian do të ofrojë për reformat e përfshira në Programin e Reformave Ekonomike 2020 – 2022, edhe në kuadër të financimit afatgjatë IPA 3 në periudhën 2021 – 2027.
Në përfundim të takimit, Ministrja vlerësoi Programin e Reformave Ekonomike si një instrument dhe ushtrim të mirë për të nxitur konkurrueshmërinë dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike, duke u bazuar në fushat prioritare të orientimit të politikave si: arsimi, tregu i punës, përfshirja sociale, bujqësia, industria, tregtia, inovacioni etj. Ky instrument reflekton kuadrin e politikave makro-ekonomike dhe fiskale dhe realizohet në funksion edhe të proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë është Koordinator Kombëtar i Programit të Reformave Ekonomike dhe në këtë rol ajo do të mirëpresë zhvillimin e takimit për Dialogun Ekonomik e Financiar midis Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë parashikuan në pranverën e vitit të ardhshëm.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.