Parlamenti miratoi gjatë seancës plenare katër projektligje të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Këto projektligje janë rezultat i punës disa vjeçare apo mujore të strukturave dhe negociatave: me vendet e Ballkanit Perëndimor për lehtësimin e tregtisë edhe në kontekstin e integrimit rajonal dhe europian të Shqipërisë; me partnerët tanë rajonalë dhe europianë për zbatimin e standardeve më të fundit në kuadër të zbatimit të standardeve për operatorët ekonomikë; si dhe me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondin e Kuvajtit për sa i përket projekteve të vazhduara infrastrukturore.
Një prej projektligjeve të miratuar është ai “Për ratifikimin e protokollit 6 shtesë të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore” si pjesë e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore, i cili pas 5 vitesh negociata u finalizua dhe aprovua në Dhjetor 2019, pikërisht gjatë kryesimit të Shqipërisë në CEFTA.
Synimi i këtij protokolli është liberalizimi i mëtejshëm i tregtisë së shërbimeve me vendet e rajonit, si bazë për arritjen e objektivave të zhvillimit dhe rritjes ekonomike në rajon, duke zgjeruar mundësitë e investimeve.
Tregtia në shërbime në Shqipëri zë afërisht 41% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe realizohet kryesisht me vendet e Bashkimit Evropian. Për vitin 2019 Shqipëria ka eksportuar afërsisht 3.3 billion euro shërbime dhe ka importuar 2.1 bilion euro dhe në një krahasim me 5 vitet e fundit ka një rritje vjetore prej afërsisht 9% në import dhe rreth 14% në eksport.
Një element i veçantë i këtij Protokolli, i cili shfaq rëndësi të veçantë edhe në kohën e distancimit social nga COVID 19, është dhe nxitja e tregtisë elektronike ndër-rajonale, në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Ky akt do të mundësojë gjithashtu lëvizjen e lirshme të personelit të kualifikuar shqiptar për të kryer aktivitete konsulence në vendet e rajonit dhe anasjelltas. Bën të mundur më tej që kompanitë shqiptare të hapin degët e shoqërive të tyre në rajon, duke mundësuar kështu dhe transferimin e teknologjisë dhe njohurive.
Projektligji tjetër i miratuar është ai “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar””. Këto ndryshime propozohen me synimin për të përmirësuar legjislacionin për prooceset e standardizimit në përputhje me parimet dhe modelin Europian e ndërkombëtar në këtë fushë. Ato sjellin përputhshmëri me kërkesat e standardit mbi “Telematikën e transportit rrugor dhe qarkullimit“, duke rregulluar dhe përcaktuar funksionet shtesë, për shkëmbimet tregtare lidhur edhe me detyrimet e vendit në raport me CEFTA-n dhe Bashkimin Europian, si dhe funksionet e standardeve europiane e ndërkombëtare në fuqi. Përmes këtyre ndryshimeve krijohet baza ligjore për zbatimin e kërkesave nga transpozimin e direktivës kryesore në kuadër të Lëvizjes së Lirë të Mallrave dhe ecet përpara me objektivat e qeverisë për të qenë pjesë e Tregut Unik Europian sa i përket transparencës dhe informacionit në shkëmbimet tregtare.
Parlamenti miratoi dhe dy marrëveshje financimi për dy projekte të rëndësishme infrastruktrore me impakt pozitiv për qytetarët.
Marrëveshja e parë është Marrëveshja e Huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e Konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, e cila synon përmirësimin e aksesit në zona me potencial të lartë turistik si dhe zona me potencial bujqësor. Rehabilitimi i rrugëve lokale dhe rajonale do të sjellë konektivitet më të mirë dhe të sigurtë në zonat e bashkisë Vlorë, Lezhë, Shkodër, Librazhd dhe Peshkopi.
Tre segmentet rrugore që parashikohen të financohen nëpërmjet Projektit janë: Rehabilitimi i Rrugës Ekzistuese Uji i Ftohtë – Orikum, ku pjesë e rehabilitimit të këtij segmenti do të jetë edhe ndërtimi i dy bypass-eve që do të përmirësojnë qarkullimin; Ndërtimi i rrugës Shëngjin – Velipojë; si dhe sistemimi dhe asfaltimi i rrugës Zgosht – Ura e Çerenecit.
Këto ndërhyrje të parashikuara vijnë në vijim dhe janë komplementare me projektin e rrugëve lokale dhe rajonale, që shtrihet në periudhën 2018 – 2022, financuar nga Banka Botërore.
Marrëveshja e dytë është Marrëveshja për një hua shtesë ndërmjet Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës, që mbart gjithashtu një komponent të rëndësishëm të ndërlidhjes lokale në zonën e jugut në shërbim të 175,000 banorëve.
Projekti i Rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës parashikon: rikonstruksionin e segmentit rrugor që lidh Rrugën Nacionale Levan – Tepelenë (SH4), Rrugën Nacionale Vlorë – Sarandë (SH8) si dhe një segment i cili lidhet me qytetin e Vlorës, duke ndërlidhur 81 fshatra në tre Bashkitë Vlorë, Selenicë dhe Himarë, pra me Bregdetin e Shqipërisë së Jugut.
Lidhja e fshatrave të lumit të Vlorës dhe zonës së Tepelenës me zonën e bregdetit do të sjellë një impakt edhe në kontekstin e aktivitetit ekonomik, duke sjellë zhvillimi të turizmit, jo vetëm detar por edhe malor, zhvillim të agroturizmit, intensifikim të blegtorisë dhe bujqësisë.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.