
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj zhvilloi mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës. Diskutimet u përqendruan në informimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi masat e marra nga Qeveria për mbështetje financiare për punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë periudhës së shkaktuar nga pandemia Covid – 19, informimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi masat e marra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, informim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për mbylljen e vitit shkollor dhe masat e marra për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor, informim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për masat e marra për mbështetjen e sektorit të turizmit, raportim mbi veprimtarinë dhe rolin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësisë, si dhe çështje të ndryshme të propozuara nga Partnerët Sociale.
Lidhur me çështjen e parë, Ministrja Denaj theksoi se dy Paketat e Ndihmës dhe dy garancitë sovrane të vëna në dispozicion nga Qeveria kanë ndihmuar me mijëra persona dhe biznese.
“Sot që flasim nga një total prej 173.000 personash të parashikuar në paketën e dytë janë paguar 163.635 persona me pagën prej 40.000 lekë.
Së fundmi ka pasur oferta për dy garanci sovrane, totali i të cilave konsideron në një shumë prej 26 miliardë lekë gati 260 milionë dollarë, ku sektori financiar, i cili është instrumenti që do të tejçojë dhënien dhe mundësinë e kreditimit qoftë për pagat, ashtu edhe për zgjerimin e aktivitetit, është absolutisht një shumë e konsiderueshme, e cila në përthithje nga sektori bankar nëpërmjet garancisë sovrane të parë 100% dhe subvencion interesash dhe garancisë së dytë me 60%, lehtëson riskun për bankat dhe i jep mundësi atyre që jo vetëm interesat që në rastin e garancisë së parë t’i ketë 0% dhe të dytës të lehtësuara, por edhe të kreditojë nevojat për financimin e gjithë bizneseve”, u shpreh Ministrja Denaj.
Ndërkohë që situata e vështirë e krijuar nga pandemia Covid – 19, ndikoi edhe në nivelin e papunësisë.
“Do të shohim një statistikë si ka evoluar në 3 muajt e fundit dalja e personave nga sistemi i tatimeve nën kontekstin e krijimit të papunësisë, ku sipas raportimit kemi 27.000 të papunë deri në fund të majit”, informoi Denaj.
Për sa i përket raportimit mbi veprimtarinë dhe rolin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësisë, Ministrja Denaj theksoi se Programi i Qeverisë 2017 – 2021 e ka vënë fokusin e punësimit dhe zhvillimit cilësor i forcës së punës, në përputhje me vizionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, Strategjinë Europiane të Punësimit 2020, si dhe kërkesave për integrimin europian të Shqipërisë në EU. Riorganizimi institucional dhe përmirësimi i legjislacionit në funksion të përmirësimit të sistemit të shërbimeve të tregut të punës përbën një nga hapat kryesorë në drejtim të përgatitjeve për integrimin evropian.
Sipas Ministres, krijimi i Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), ka si qëllim rikonceptimin sipas praktikave më të mira moderne të zyrave të punësimit, programit të nxitjes së punësimit, si dhe për të orientuar arsimin e formimin profesional drejt tregut të punës.
Gjatë këtij takimi u diskutuan dhe çështje të ndryshme të propozuara nga Partnerët Sociale. Kështu nga ana e Konfederatës se Sindikatave te Shqiperisë u kërkua të miratohet Konventa nr. 190 “Për eliminim e dhunës dhe ngacmimin në botën e punës” nga anëtarët e KKP. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar procedurën për ratifikimin e Konventës nr. 190, me qëllim njohjen e të drejtës të gjithëve në botën e punës pa dhunë dhe ngacmim, duke u bazuar në dinjitet dhe respekt, të lirë nga dhuna dhe ngacmimi.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.