Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për shtyrjen e datës së fillimit të efekteve të ligjit nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, për transaksionet me para në dorë.
Qëllimi i këtij vendimi është dhënia e kohës së nevojshme subjekteve të tij, për t’u përshtatur nga pikëpamja e infrastrukturës, njohurive të duhura, por edhe për zbatimin e plotë të tij.
Më konkretisht është parashikuar fillimi i efekteve sipas datave të mëposhtme:
– 1 Shtator 2021 për transaksionet me para në dorë;
– 1 Janar 2021 për transaksionet pa para në dorë. ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike;
– 1 Korrik 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve.
Nga marsi i këtij viti e në vazhdim, pandemia globale COVID-19 ka krijuar një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale, të shoqëruar me një sërë problematikash në gjithë vendin, përfshirë këtu edhe për komunitetin e biznesit, si vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ndaj klientëve, furnitorëve dhe punonjësve, vështirësi në vijimin normal apo dhe rrezik për mbyllje të aktivitetit, kryesisht për tatimpaguesit e që kryejnë transaksione me para në dorë.
Në këto kushte, si dhe në vijim të masave të tjera të ndërmarra gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare me qëllim mbështetjen e biznesit, u propozua që për transaksionet me para në dorë, të ndryshojë afati i fillimit të efekteve të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, duke shtyrë datën e fillimit të këtyre efekteve në 1 Shtator 2021. Ndërkohë që, për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve me organet publike si dhe ndërmjet tatimpaguesve me njëri-tjetrin, afatet e fillimit të efekteve të ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, mbeten të pandryshuara.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.