Mbi 13,700 familje janë mbështetur me bonus qiraje nga buxheti i shtetit për banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë konferencës së përbashkët për mediat, me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se nga buxheti i shtetit për vitin 2020 për mbështetje të familjeve më bonus qiraje, kap vlerën e 3 miliardë lekëve.
“Ne kemi akorduar në vitin 2020 një bonus qiraje i cili sot ndihmon më shumë se 13,700 familje, me një fond prej 3 miliardë lekësh ose 30 milionë dollarë. Sigurisht, ky do të vazhdojë për gjithë vitet gjatë kohës që bëhet rindërtimi duke parashikuar se do të jetë më i ulët për sa kohë shtëpitë do të përfundojnë”, tha Ministrja Denaj.
Ministrja Denaj gjithashtu nënvizoi lehtësitë fiskale që janë ndërmarrë që fillim të vitit. “Ndërmorëm një sërë lehtësisht fiskale për të mbështetur biznesin që u ndikua nga tërmeti. Duke filluar nga lehtësimi i bizneseve për të njohur si shpenzime të zbritshme të gjitha shpenzimet që lidheshin me dëmet apo akomodimet e punonjësve të tyre. Duke lehtësuar bizneset dhe pezulluar taksën e pronës, duke pezulluar dhe shtyrë detyrimet tatimore apo gjobat që ishin të lidhura me deklarimet e vonuara. Përjashtuam nga TVSH-ja ndërtuesit dhe kontraktorët si dhe përjashtuam nga taksa e ndikimit në infrastrukturë individët dhe bizneset përpara disa javësh”, u shpreh Ministrja Denaj.
Ministrja tha se kjo plotëson të gjithë paketën e mbështetjes për vitin buxhetor 2020 dhe më tej edhe për vitin 2021, jo vetëm në aspektin e shpenzimeve kapitale, por njëkohësisht dhe në ekonomi dhe rritjen e saj të parashikuar në vijmësi.
Gjithashtu Ministrja Denaj informoi gjithashtu se për të 3 vitet e ardhshme FMN-ja parashikon një rritje mesatare të PBB-së në 7% nga 4.5% që është parashikuar në projektbuxhetin afatmesëm. “Ne presim që bujqësia të ketë një rritje mesatare me rreth 1.3% në vit përgjatë viteve 2021-20213, industria me një rrije mesatare vjetore me 5,2%, ndërtimi me 3,6% dhe shërbimet ne 5,7%, tha Ministrja, duke theksuar, se parashikimet e Bankës Botërore janë akoma më optimiste, për një rritje ekonomike në vitet e ardhshme me 9-10% që sigurisht rindërtimi dhe të gjithë paketat mbështetëse kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.