Postuar më: 30/09/2020

Denaj:  Në 2020 mbështetja gjinore arrin në 7.2 % e shpenzimeve buxhetore totale  

Ministrja e Financave  dhe Ekonomisë, mori pjesë në takimin virtual  të organizuar nga UN Women dhe Sida (Bashkëpunimi Ndërkombëtar Suedez për Zhvillim), një iniciativë rajonale 4-vjeçare për të mbështetur qeveritë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi në avancimin e integrimit të barazisë gjinore në të gjitha fazat e politikave kombëtare dhe lokale të proceseve të buxhetimit për barazinë gjinore.

Në këtë takim Ministrja Denaj informoi mbi politikat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare  për  mbështetjen e grave  edhe nga Buxheti i shtetit.

“Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme për të krijuar një kornizë solide ligjore dhe institucionale për arritjen e fuqizimit të grave dhe barazinë gjinore. Kështu për këtë qëllim, barazia gjinore u përfshi si një nga parimet thelbësore të funksionimit të sistemit buxhetor në Ligjin Organik të Buxhetit në 2016 dhe Ligjin e Financave Vendore në 2017, ndërsa Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor si një qëllim më vete, ka qenë pjesë e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike që prej 2014”, u shpreh Ministrja Denaj.

Në fjalën e saj Ministrja Denaj  theksoi,  se kombinimi i Buxhetimit të Përgjithshëm Gjinor me Menaxhimin e Financave Publike si dhe trajnimi i punonjësve publikë për të rritur njohuritë e tyre si në buxhetim ashtu edhe në çështjet gjinore ka qenë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të kësaj iniciative.

Ndërkohë që  po punohet për të përmirësuar kornizën ligjore dhe për të rritur më tej kapacitetet e administratës publike, njëkohësisht përballemi me disa sfida të tilla si nevoja për përmirësimin e mbledhjes së të dhënave gjinore dhe përdorimin efektiv të atyre ekzistuese për analizimin e politikave publike nga këndvështrimi gjinor.

Ministrja e Finanacave dhe Ekonomisë vlerësoi rezultatet e arritura deri tani në nivelin e integrimit të Buxhetimit të Përgjithshëm Gjinor në Programin Buxhetor Afatmesëm, ku numri i programeve buxhetore që përfshijnë në mënyrë efektive objektivat e lidhura me elementë gjinorë është rritur nga 9 Programe në 2015, në 38 të tilla në 2020 dhe sasia e fondeve që adresojnë çështjet e barazisë gjinore në këtë vit është rreth 7.2% e shpenzimeve buxhetore totale.

“Ne jemi të vetëdijshëm se integrimi i perspektivës gjinore në politikat dhe planifikimin e zbatimin e buxhetit është një proces i vazhdueshëm, por arritjet e deritanishme në këtë fushë na bëjnë të besojmë se jemi në rrugën e duhur dhe do të vazhdojmë të intensifikojmë përpjekjet tona derisa parimi i barazisë gjinore të respektohet plotësisht në vendin tone”, tha Ministrja Denaj.