Postuar më: 29/10/2020

Paketat financiare ndihmuan biznesin në përballimin e krizës

 

-Denaj prezanton të ardhurat në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave

 

Paketat financiare  të dhëna nga qeveria gjatë periudhës së  mbylljes së ekonomisë nga pandemia e Covid -19, ndihmuan biznesin dhe qytetarët për të përballuar efektet negative.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  gjatë prezantimit të zërit Të të ardhurave në projektligjin “Për buxhetin e 2021”, theksoi rëndësinë e  dy paketave të ndihmave financiare për punonjësit, si dhe dy garancitë sovrane për biznesin të dhëna gjatë muajve mars-qershor të këtij viti.

Si masë lëhtësuese për biznesin, Ministrja vlerësoi  mospagimin  për gjatë gjithë vitit 2020 të detyrimeve tatimore mbi të ardhurat për bizneset e vogla, ku përfituan 14,410 biznese të vogla.

“E njëjta masë është marrë edhe për bizneset, të cilat janë të mëdha, por të fokusuara në sektorin e turizmit, call center dhe industrinë fason dhe konkretisht nga kjo masë kanë përfituar 23,917 biznese, sikurse janë shtyrë afatet e deklarimit për pagesën e detyrimit të fitimit të vitit 2019 për të gjithë bizneset në një numër prej 24,945 biznese. Të treja këto masa kanë pasur një efekt buxhetor për vitin 2020, i cili llogaritet në nivelin 19. 1 miliardë lekëve”, tha Denaj.

Ministrja e Financave paraqiti gjithashtu para deputetëve nismat për lehtësi fiskale që do ta kenë efektin financiar në 2021, si  me zerimin e tatim-fitimit për bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë.” Ne realizuam këtë zerim nëpërmjet adresimit të dy kategorive, asaj që ka të bëjë me bizneset me xhiro 5-8 milionë lekë, ku ndryshimi parashikohet të sjell një efekt me gati 350 milionë lekë, ndërkohë zerimi i detyrimit të tatim-fitimit për bizneset me xhiro nga 8-14 milionë lekë ka një efekt në shifrën e 300 milionë lekë”, tha Denaj.

——————————————————————————–

Fjala e plotë e Ministres Denaj së Financave dhe Ekonomisë-

E nderuar Kryetare e Komisionit,

Të nderuar deputetë

Në pjesën e parë të diskutimit, ajo që lidhet me efektet e politikave fiskale në vitin 2021 unë do doja të kisha mirëkuptimin tuaj për të ndaluar pak në masat që janë marrë në fillim të këtij viti për adresimin e problematikave të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejt me situatën e krijuar të emergjencës në mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë kësaj situate në momentin e parë të saj.

Dhe, sigurisht efektin në mbështetje të bizneseve me numër për çdo masë ashtu edhe në vlerë absolute për të gjithë masat e marra në 6 mujorin e parë.

Më lejoni të them 3 nga masat kryesore;

Së pari, mospagimi për gjatë gjithë vitit 2020 i detyrimeve tatimore mbi të ardhurat për bizneset e vogla. Kjo masë ka pasur një efekt pozitiv për këtë vit, për të mos lejuar biznbeset për t’u ekspozuar ndaj këtij detyrimi, për të paktën 14,410 biznese të vogla.

E njëjta masë është marrë edhe për bizneset, të cilat janë të mëdha, por të fokusuara në sektorin e turizmit, call center dhe industrinë fason dhe konkretisht nga kjo masë kanë përfituar 23,917 biznese, sikurse janë shtyrë afatet e deklarimit për pagesën e detyrimit të fitimit të vitit 2019 për të gjithë bizneset në një numër prej 24,945 biznese.

Të treja këto masa kanë pasur një efekt buxhetor për vitin 2020, i cili llogaritet në nivelin 19. 1 miliardë lekë. E them këtë sepse ne kemi ende vitin për të përfunduar. Një vit, i cili është rishikuar në Aktin Normativ të korrikut dhe që vlen të vendoset si një bazë për të projektuar edhe projeksione e të ardhurave për vitin 2021.

Në korrik ne ndërmorëm nisma të brëndësishme për të ndihmuar  biznesin e vogël për një afat përtej vitit 2021. Duhet theksuar që këto masa, sidomos ato të lidhura me zerimin e tatim-fitimit për bizneset me qarkullim deri në 14 milion lekë janë për një periudhë relativisht të gjatë kohe, deri në 8 vjet dhe kjo për ti ardhur në ndihmë bizneseve të vogla, të cilat jo vetëm në këto 2-3 vitet e para do ta kenë vështirësinë dhe një pjesë e këtij shpenzimi shkon për konsum apo për kursim, por edhe në vitet e mëpasshme do të ndihmojë për vetpunësim.

Ne realizuam këtë zerim nëpërmjet adresimit të dy kategorive, asaj që ka të bëjë me biznese me xhiro 5-8 milion lekë, ku ndryshimi parashikohet të sjell një efekt me gati 350 milionë lekë, ndërkohë zerimi i detyrimit të tatim-fitimit për bizneset me xhiro nga 8-14 milionë lekë ka një efekt në shifrën e 300 milionë lekë.

Ndërkohë, rritëm pragun e TVSH-së nga 2 milion lekë, në 10 milionë lekë. Dua të kthehem pak kur ky tavan ka qenë më i lart, është ulur në 2 milionë lekë dhe ka pasur diskutime në vitet e mëparshme për uljen dhe efektivitetin e kësaj mase.

Dua të theksoj që, efektiviteti i masës në raport me rritjen e formalizimit është bërë fakt dhe është rritur numri i bizneseve të regjistruara në zinxhirin e vlerës për TVSH-në me gati 13,00 biznese. Ndërkohë, edhe brenda rekomandimeve të FMN-së rritja e pragut të TVSH-së ka qenë një argument, i cili lidhet edhe me përmirësimin e administrimit fiskal dhe po të shikojmë edhe vendet e tjera të rajonit niveli që ne kishim me 2 milionë lekë, ne e kemi rritur atë në 10 milion lekë dhe ky ndryshim ka nje efekt për vitin ushtrimor të ardhshëm në 3.4-4 miliardë lekë.

Përmirësime të tjera për sektorë, siç është i sportit. Brenda paketës së sportit ne kemi mbështetur këtë vit, si uljen e TVSH-së, nga 20% në 6% për ndërtimin e infrastrukturave sportive. Kemi përjashtuar TVSH-në e importit të jahteve, me qëllim nxitjen e turizmit detar dhe besoj që këto do të kenë një efekt më të gjatë në kohë, për të dhënë rezultatin e pritshëm për këtë lehtësi fiskale.

Jemi duke punuar edhe për një paketë të një strategjie afatmesme të të ardhurave megjithatë ky vit ka synuar rritjen e administrimit fiskal, për të vijuar vitin tjetër me diskutime me grupet e interesit për atë që është pjesa e politikave.

Së fundi dua të përmënd disa projektligje, të cilat janë të rëndësishme, shumica prej të cilave ka kaluar, ka ngelur ende për të kaluar 1 ligj dhe të katër projektligjet lidhen në mënyrë të padiskutueshme me mirëadministrimin fiskal. I pari është fiskalizimi, shtyrja e disa afateve dhe ndryshimi i radhëve të afateve u realizua këtë vit si rezultat i situatës së pandemisë, konkretisht fiskalizimi, i cili parashikonte fillimin e marrëdhënies së biznesit me klientë për atë që është qarkullimi me kesh. Nga shtatori i këtij viti u shty në shtatorin e vitit tjetër, por nëse e kujtoni kjo ka qenë hapi i parë i një marrëdhënie me tre hapa. Ndërkohë ne menduam që është e udhës të ndryshojmë edhe mënyrën se si do të fillojë fiskalizimi dhe marrëdhënia biznes me biznes apo qarkullimin nëpërmjet llogarive bankare dhe marrëdhënien biznes dhe marrëdhënien qeveri- thesar ta vendosim të parën përpara marrëdhënies biznes me konsumator. Afati final për të treja këto marrëdhënie është 1 shatori i vitit 2021.

Ndërkohë, kemi shtyrë afatin nga 1 shatori i këtij viti, në 1 janar të vitit që vjen për të gjithë pjesën e ligjit që lidhet me shkëmbimin automatik  të informacionit.  Në maj të vitit të kaluar jemi duke u bërë pjesë e një marrëveshje ndërkombëtare, kemi firmosur dhe kemi filluar punën për të shkëmbyer me të paktën 146 administrata tatimore informacionin në kohë reale. Kjo është realizuar nëpërmjet një ligji, i cili fillonte zbatimin e tij në 1 shtator. Por me kërkesë në sistemit bankar, që kishin një dateline në muajin korrik të këtij viti për arsye të pandemisë u kërkua që puna të shtyhej deri në tetor të këtij viti dhe ne e sollëm dhe është aprovuar ndryshimi i ligjit për fillim zbatimin në 1 janar të 2021.

2 projektligje, të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me planin e veprimit brenda punës që është filluar me FATF grupin teknik të Moneyval  pas kalimit të Shqipërisë në një monitorim të shtuar në muajin shkurt dhe një plan veprimi që ndiqet në mnyrë rigorozë dhe konsistente nga zv.kryeministri, z.Braçe, ne kemi punuar për dy ligje me ndihmën e GIZ. Ligji i parë ka kaluar në muajin korrik dhe lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me regjistrin e pronarëve përfitues dhe ne jemi duke punuar edhe me AKSH-in për të bërë këtë regjistër të mundëshëm për tu vendosur në përdorim të Administratës Shqiptare në vitin që vjen dhe konkretisht QKB-së dhe do të sjellim brenda këtij sezoni ligjin e dytë të këtij kuadri që lidhet me llogaritë bankare dhe sigurisht edhe ky do të pasohet me një regjistër, i cili do të punohet vitin tjetër dhe do të jetë brenda administratës tatimore, kjo për të kompletuar të gjithë punën që është bërë këtë vit në raport me kërkesën e parë që lidhej me emergjencat dhe ndihmën e biznesit, si në numër dhe në vleftë.

Së dyti, me ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejt me efektet në vitin që vjen, por edhe më tej dhe në ndihmë të biznesit të vogël  dhe së treti, pjesën e administrimit fiskal, që është një nga arsyet pse ne të gjithë pjesën, përpjekjen për politikën rritjes së të ardhurave e mbështesim fuqimisht në këto punë që janë nisur dhe janë konkluduar këtë vit.

Për sa i takon riskut fiskal dhe kush do të ishin disa nga masat mbrojtëse;

Risku më i lartë fiskal do të ishte situata e pandemisë, zgjatja e një situate të pandemisë, e cila nën efekt të numrit të infektuarve dhe fataliteve mund të detyronte kufizime, por jo vetëm. Sigurisht ne nuk jemi në këto kushte dhe buxheti është përgatitur për një situatë jo emergjente, por nëse do të kishim një situatë emergjente, sigurisht ky do të ishte risku i parë i realizimit të të ardhurave të buxhetit të vitit 2021.

Së dyti, rezultati financiar të bizneseve;

Ne këtë vit dhamë një ndihmë edhe në raport me shtyrjen e disa detyrimeve tatimore, por pjesa më e madhe e bizneseve do të ballafaqohen vitin tjetër me problematika që që këtë vit janë materializuar me mungesa kontratash me kontraktorët apo një numër të reduktuar fluksi sidomos në turizëm, të ardhurave dhe këto do të kenë një efekt vitin tjetër në mënyrë të padiskutueshëm. Megjithatë, ne kur llogarisim të ardhurat, përllogarisim duke marrë parasysh që ky vit ka qenë ndoshta më i vështiri, sepse ka pasur një mbyllje ekonomike të konsiderueshme dhe mendojmë që viti tjetër, pavarësisht nga reduktimi në krahasim me një vit ushtrimor normal, siç mund të ishte 2019 apo 2018, prapë do të ketë mundësinë e gjallërimit.

Së fundmi, risku që ka të bëjë me faktin që disa nga bizneset të mos kenë mundësi të likujdojnë përtej faktit të përllogartijes së fitimit. Ky është një risk që ka ndodhur edhe vite më parë dhe ka realizuar disa detyrime nga bizneset për administratën tatimore, pasi përtej faktit që deklaratat janë të plotësuara në kohë dhe në raport me deklarimet rezultojnë me fitim, çështja e likujditetit të këtyre bizneseve ka qenë e tillë, e munguar për arsye që nuk mund t’i gjykojmë dhe nuk ka sjellë likujditetin në të ardhura që është shumë e rëndësishme në buxhetin e shtetit. Ne nuk mund të diskutojmë këtu se çfarë ka ndodhur vitet e shkuara, e kuptojmë që likujditeti në situatën e pandemisë është akoma më i kufizuar megjithatë në aspekt likujditeti qeveria ka dhënë një ndihmë ndërmëpjet garancive sovrane  (2 Garanci Sovrane) dhe jemi duke punuar edhe në mënyrë të targetuar për platforma të tjera të ngjashme dhe janë garanci sovrane që tejçohen nëpërmjet sektorit bankar për të siguruar dhe një analizë të mirë risku dhe për të dhënë garancinë sipas rregullave më të mira të mundshme të riskut, për të mos krijuar dhe detyrime pastaj në sistemin financiar bankar, që do të ishin një kosto shtesë e panevojshme për të gjithë ekonominë shqiptare. Ne vlerësojmë që risku,i thënë pak më lart mund të materializohen në një vleftë 10-11 miliardë lekë nga totali i rritur me gati 40 miliardë lekë i të ardhurave.