Postuar më: 02/11/2020

Denaj: Në 2021, borxhi publik do t’i kthehet rënies

 

Qeveria shqiptare për vitin 2021 synon që niveli i borxhit publik t’i rikthehet  trajektores rënëse,  në një vlerë rreth 78.6% të PBB-së nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020, parametër ky, në përputhje me përcaktimet ligjore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të 2021, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave,  për zërin e borxhit publik, u shpreh se objektivi madhor i qeverisë për konsolidim fiskal ose thënë ndryshe të uljes së borxhit publik,  konsiston në disa aspekte kyçe si :

  • Deficiti fiskal prej 6.5% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2020 prej 6.8% të PBB;
  • Balanca Primare edhe pse e parashikuar në vlerën -3.9% të PBB në 2021, është sërish me ulje krahasuar me nivelin e pritshëm prej -4.6% të fund vitit 2020;
  • Balanca korrente (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit) që përcakton se huamarrja totale në vitin 2021 merret ekskluzivisht për financimin e investimeve publike.

Sipas ministres, nëpërmjet një menaxhimi më efikas të procesit të huamarrjes, është mundësuar ulja e riskut të rifinancimit si dhe ulja e riskut të normave të interesit. Niveli aktual i borxhit të qeverisjes qendrore, sipas të dhënave të tremujorit më të fundit (shtator 2020) vlerësohet në nivelin 1.260.313 milionë lekë ose 79.7% e PBB.

“Rritja e stokut të borxhit ka ardhur kryesisht nga masat e mara në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid – 19, si dhe nga emetimi i Eurobondit në muajin qershor 2020”, u shpreh Denaj.

Në periudhën afatmesme instrumentet afatgjatë do të vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në portofol, ku borxhi i jashtëm në portofol aktualisht zë peshën prej 48.9%.

Ekspozimi ndaj riskut të kursit të këmbimit është mbajtur nën kontroll, tha Denaj, pasi stoku i borxhit shtetëror në monedhë të huaj vazhdon të qëndrojë ndjeshëm nën kufirin strategjik dhe atë të qëndrueshmërisë së borxhit (60%).

Ndërsa portofoli i borxhit të brendshëm, vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60% tek sektori bankar duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj rreziqeve sistemike të sektorit bankar dhe ndryshimeve në politikat investuese të bankave.

Zgjerimi dhe diversifikimi i bazës së investitorëve në tregun e brendshëm është një nga objektivat e menaxhimit të borxhit publik që do të mundësojë uljen e ekspozimit të huamarrjes ndaj rreziqeve të sektorit bankar.

Në fund të vitit 2020 niveli i borxhit publik parashikohet të arrijë në 80.9 % në raport me PBB. Ndërkohë objektivi themelor për periudhën afatmesme do të jetë kthimi në një trajektore rënëse të borxhit publik duke nisur nga viti 2021.

Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2021, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet në rreth 78.6% të PBB, e pasuar kjo nga një ulje e mëtejshme gjatë vitit 2023 në 76.3% ndaj PBB, tha Denaj.

————————–

Fjala e plotë e Ministres Denaj

E nderuar Kryetare,

Të nderuar Deputetë,

Pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, janë ndjerë në ekonominë e vendit, në financat publike.

Në mënyrë të pashmangshme janë ndjerë edhe në nivelin e borxhit publik gjatë vitit 2020, por edhe në pritshmërinë për vitet e ardhshme.

Në fund të vitit 2019 borxhi publik ka rënë në nivelin prej 66.3% në raport me PBB si rrjedhojë e një ulje graduale disa vjeçare të tij.

Si rezultat i qëndrueshmërisë së financave publike të cilat kanë hyrë në një trajektore të sigurt dhe optimale të konsolidimit fiskal, është mundësuar jo vetëm ulja e nivelit të borxhit nga viti 2015 (i cili ka shënuar një nivel të borxhit prej 72.7% të PBB), ulje kjo me 6.4 pikë përqindje në harkun kohor të katër viteve,

Gjithashtu është përmirësuar struktura e borxhit duke ndikuar pozitivisht në qëndrueshmërinë e tij.

Konkretisht, nëpërmjet një menaxhimi më efikas të procesit të huamarrjes, është mundësuar ulja e riskut të rifinancimit si dhe ulja e riskut të normave të interesit.

Në drejtim të uljes së ekspozimit ndaj rreziqeve, ka ndikuar rritja e përqendrimit të huamarrjes së brendshme në drejtim të titujve afatgjatë me norma interesi fikse.

Ndërkohë, në drejtim të optimizimit të kostove të përgjithshme të huamarrjes ka ndikuar rënia e normave të interesit, shoqëruar me përqendrimin e një pjese të konsiderueshme të huamarrjes së huaj në burimet e financimit me natyrë dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Në këtë aspekt, vlen të përmendet se gjatë viteve të fundit jo vetëm kostot për njësi, por edhe kostot e përgjithshme të huamarrjes janë ulur ndjeshëm, pavarësisht rritjes së stokut të borxhit në vlerë absolute.

Niveli aktual i borxhit të qeverisjes qendrore, sipas të dhënave të tremujorit më të fundit (Shtator 2020) vlerësohet në nivelin 1.260.313 milion Lekë ose 79.7% e PBB.

Në terma nominal, stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është rritur me rreth 148,269 milion lekë krahasuar me fundin e vitit 2019, nga të cilat 46.494 milion Lekë konsistojnë në rritje të stokut të borxhit të brendshëm dhe 101.775 milion Lekë është rritje e borxhit të jashtëm.

Rritja e stokut të borxhit ka ardhur kryesisht nga masat e mara në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid – 19, si dhe nga emetimi i Eurobondit në muajin qershor 2020.

Ky emetim ishte parashikuar që para situatës së pandemisë si dhe planifikuar në Projekt Buxhetin e vitit 2020 (nga fondet e të cilit, 250 milion Euro do të përdoren për ripagimin në muajin nëntor 2020 të Eurobondit të emetuar në vitin 2015).

Sa i takon kompozimit të borxhit, aktualisht kemi një nivel të instrumenteve afatgjatë, afatmesëm dhe afatshkurtër në raportet respektivisht 63.5%, 19.5% dhe 17%.

Kemi një rritje graduale të konsiderueshme përgjatë viteve të peshës së instrumenteve afatgjatë (rreth 7.9 pikë përqindje rritje krahasuar me vitin 2015; rritje me rreth 18 pikë përqindje krahasuar me nivelin e vitit 2013; si dhe rritje me 21.7 pikë përqindje në harkun kohor të 10 viteve të fundit).

Në periudhën afatmesme instrumentet afatgjatë do të vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në portofol.

Borxhi i jashtëm në portofol aktualisht zë peshën prej 48.9%.

Huamarrja gjatë vitit 2020 u realizua kryesisht nëpërmjet burimeve të jashtme, konkretisht nëpërmjet emetimit të instrumentit të Eurobond-it, si edhe nëpërmjet huave në formën e mbështetjes buxhetore.

Kjo ka çuar në rritjen e ekspozimit të borxhit të jashtëm në krahasim me nivelin e fundvitit 2019 ku ky ekspozim ishte në nivelin prej 46.3%.

Megjithatë ekspozimi ndaj riskut të kursit të këmbimit është mbajtur nën kontroll, pasi stoku i borxhit shtetëror në monedhë të huaj vazhdon të qëndrojë ndjeshëm nën kufirin strategjik dhe atë të qëndrueshmërisë së borxhit (60%).

Portofoli i borxhit të jashtëm vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60% në monedhën Euro, duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të kësaj monedhe.

Sa i takon interesave, në portofolin e borxhit të jashtëm, mbi 50% të peshës e mban borxhi me normë interesi fikse.

Gjithashtu në portofolin e borxhit të brendshëm, pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme është reduktuar.

Nga viti 2016 nuk ka pasur emetime të titujve me norma interesi të ndryshueshme në kuadër të synimit të reduktimit të riskut të interesit, duke bërë që 96.3% e borxhit të brendshëm të jetë me normë interesi fikse.

Portofoli i borxhit të brendshëm, vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60% tek sektori bankar duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj rreziqeve sistematike të sektorit bankar dhe ndryshimeve në politikat investuese të bankave.

Zgjerimi dhe diversifikimi i bazës së investitorëve në tregun e brendshëm është një nga objektivat e menaxhimit të borxhit publik që do të mundësojë uljen e ekspozimit të huamarrjes ndaj rreziqeve të sektorit bankar.

Në fund të vitit 2020 niveli i borxhit publik parashikohet të arrijë në 80.9 % në raport me PBB.

Ndërkohë objektivi themelor për periudhën afatmesme do të jetë kthimi në një trajektore rënëse të borxhit publik duke nisur nga viti 2021.

Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2021, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet në rreth 78.6% të PBB, e pasuar kjo nga një ulje e mëtejshme gjatë vitit 2023 në 76.3% ndaj PBB.

Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të denominuar në valutë vendase, duke qenë se huamarrja e brendshme planifikohet të jetë ndjeshëm më e lartë se huamarrja e huaj.

Huamarrja e re për të financuar deficitin buxhetor të vitit 2021 do të jetë në nivelin prej rreth 63.5 miliardë lekë e cila do të konsistojë në huamarrje në tregun e brendshëm prej 49.9 miliardë lekë  dhe huamarrje e huaj prej 13.6 miliardë lekë.

Huamarrja e këtij viti do të mbështetet kryesisht në tregun e brendshëm, ku parashikohen emetime të instrumenteve të borxhit në të njëjtin nivel sikundër viti 2019 (në terma neto).

Huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të vijojë të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e rreziqeve, duke konsideruar nivelin e kënaqshëm të kërkesës, si edhe interesin që paraqet investimi në titujt afatgjatë për shkak të normave më të favorshme krahasuar me titujt afatshkurtër.

Huamarrja e huaj do të realizohet nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë projekte prioritare të ndërmarra nga qeveria.

Gjithashtu, pritet të ketë edhe disbursime të huave në formën e mbështetjes buxhetore nga kreditorë multilateral, në kuadër të mbështetjes së Republikës së Shqipërisë në zbutjen e efekteve të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe në kuadër të mbështetjes së reformave të qeverisë.

Duke marrë në konsideratë vijimin e politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të titujve shtetërorë në tregun e brendshëm pritet të jenë të qëndrueshme dhe në nivele të krahasueshme me normat aktuale.

Për sa i përket tendencës së normave të interesit në tregjet e huaja, bazuar në deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe Bankës Qendrore Europiane, këto institucione do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare lehtësuese të paktën deri në fund të vitit 2020, duke bërë që të ketë pritshmëri për qëndrueshmëri të normave të interesit edhe përgjatë vitit 2021.

Gjatë vitit 2021 nuk planifikohet të dilet në tregjet ndërkombëtare, pasi parashikohet që nevojat të plotësohen nga burimet e përmendura më sipër, pra nga tregu i brendshëm si dhe huat e partnerëve ndërkombëtarë për mbështetje buxhetore apo për financimin e projekteve të zhvillimit të ndërmarra nga qeveria.

Eurobondi i emetuar në vitin 2020 përveç plotësimit të nevojave për likuiditet në valutë si dhe financimin e deficitit buxhetor, shërbeu gjithashtu si tregues i prekshëm i besimit të investitorëve të huaj në ekonominë e vendit tonë si dhe qëndrueshmërinë e borxhit publik.

Më 9 Qershor 2020, Republika e Shqipërisë doli për të katërtën herë në tregjet ndërkombëtare me një obligacion të ri 7-vjeçar në vlerën prej 650 milion € me normë interesi (Yield) prej 3.625% (dhe kupon të fiksuar në nivelin prej 3.50%).

Kërkesa e lartë për Eurobondin shpreh interesin e tregut (Investitorëve ndërkombëtarë) për instrumentin, si dhe rezulton indikator në sigurimin e financimit me një normë më të ulët (një kërkesë e lartë është faktor presues në uljen e normave të interesit).

Për sa i përket objektivit madhor të konsolidimit fiskal ose thënë ndryshe të uljes së borxhit publik, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe që projektbuxheti 2021 mbart:

  • Deficiti fiskal prej 6.5% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2020 prej 6.8% të PBB;
  • Balanca Primare edhe pse e parashikuar në vlerën -3.9% të PBB në 2021, është sërish me ulje krahasuar me nivelin e pritshëm prej -4.6% të fund vitit 2020;
  • Balanca korrente (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit) që përcakton se huamarrja totale në vitin 2021 merret ekskluzivisht për financimin e investimeve publike.

Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020, pra duke u rikthyer serish edhe ky parametër në përputhje me përcaktimet ligjore.

Në mbyllje të prezantimit, dëshiroj të ritheksoj dhe njëherë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për arritjen e objektivit madhor nëpërmjet projektbuxhetit 2021 dhe më tej, sikurse është ai i rimëkëmbjes ekonomike dhe rikthimi në rrugën normale të rritjes ekonomike të përkthyer në mirëqenie më të lartë për qytetarët!

Ju faleminderit!