Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale zhvilloi konkursin vjetor me temë “Të mbrojmë të drejtat e Pronësisë Industriale në Republikën e Shqipërisë”, ku morën pjesë nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Tiranës.
Ky aktivitet pati si synim të nxisë vlerat dhe krijimtarinë e tyre, si dhe të thellojë nivelin e dijes, duke kuptuar konceptet bazë të të drejtave të pronësisë industriale dhe rëndësinë që mbart regjistrimi i tyre.
Aktiviteti u përshëndet nga Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Besart Kadia, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e DPPI-së, znj. Ledina Beqiraj Agalliu. Në fjalën e saj shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për angazhimin maksimal dhe përkushtimin e nxënësve dhe mësuesve gjatë viteve.
Tashmë ky konkurs në fushën e pronësisë industriale është kthyer në një traditë që prej vitit 2013 dhe dëshmon për një histori suksesi me shkollat e arsimit para universitar në qytetin e Tiranës.
Edhe pse viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë globin, konkursi “Të mbrojmë të drejtat e Pronësisë Industriale në Republikën e Shqipërisë”, përmbushi detyrimin e shprehur në Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2016-2020.
Eksperiencat botërore kanë treguar se edukimi dhe informimi i gjeneratës e re që po rritet, me konceptet dhe parimet bazë të të drejtave të pronësisë intelektuale në tërësi, sjellin uljen e nivelit të piraterisë dhe shkeljeve në një vend të caktuar.
Ftesës për konkurs iu përgjigjen disa nga shkollat e qytetit të Tiranës:
Arben Broci,
Sinan Tafaj,
Partizani,
Turgut Ozal,
Harry Fultz,
Sadik Stavileci.
Shkolla fituese e vendit të parë për punimin më të mirë u shpall Kolegji “Turgut Ozal”. Për të gjithë nxënësit pjesëmarrës u dhanë certifikata. Gjatë ceremonisë u shpërndanë edhe materiale promocionale, si dhe botime të ndryshme me informacion mbi objektet e pronësisë industriale të përgatitura me mbështetjen e Projektit ALSIP.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.