

Nën kryesimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj u mblodh Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, me qëllim koordinimin e politikave tregtare dhe lehtësimin e tyre, në kuadër edhe të angazhimeve të dala nga ratifikimi i i Protokollit Shtesë 6 “Liberalizimi i Tregtisë në Shërbime” në CEFTA, që pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt.
Shqipëria vitet e fundit ka rritur përpjekjet për lehtësimin e politikave tregtare, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në atë rajonale, bazuar edhe në detyrimet që lindin si vend kandidat për në BE.
Në vitin 2019 importet nga vendet CEFTA u rritën me 4% krahasuar me vitin 2017, ndërsa eksportet shqiptare po me këto vende dhe krahasuar me të njëjtën periudhë u rritën me 14%.
Gjatë fjalës së saj, në takimin virtual, Ministrja Denaj tha se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë intensive të procesit të integrimit europian dhe se puna e grupit ndërinstitucional duhet të fokusohet në përmirësimin dhe krijimin e strukturave administrative, me qëllim që vendi të bëhet gati për zbatimin e politikave të jashtme sipas direktivave të BE-së.
Falë punës së përkushtuar dhe angazhimeve të ndërmarra është bërë e mundur të prodhohen rezultate konkrete në drejtim të lehtësimit të tregtisë, ku ndër më kryesoret janë:
“Edhe pse në një situatë të vështirë pandemie është bërë e mundur që të arrihen rezultate të rëndësishme pozitive në lidhje me thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave doganore: u rrit me 3.1% numri i kompanive që kalojnë në Kanalin Jeshil, me 4.1% u rrit numri i kompanive që kalojnë në Kanalin Blu, ndërsa u ul numri i atyre kompanie që kalonin në kanalin e Kuq dhe të Verdhë, më saktësisht me 1.1% dhe 6%.
Falë lehtësive dhe plotësimit të kuadrit nënligjor për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar, sipas standardeve europiane dhe trajnimeve të vazhdueshme të ndërgjegjësimit me grupet e biznesit është bërë e mundur që 11 kompani të aplikojnë për të marrë statusin e OEA-ve, ndërsa janë në procedura finale 4 kompani.
Ministja Denaj, në fund të fjalës së saj, theksoi se duhet të rriten përpjekjet për rivitalizimin e grupit të përbashkët me Kosovën për zbatimin e masave sanitare dhe fito-sanitare, me qëllim çuarjen përpara të tregtisë mes dy vendeve dhe reduktimin e barrierave të panevojshme.
Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Besart Kadia, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Gent Gazheli, si dhe përfaqësues nga biznesi.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.