Postuar më: 15/12/2020

Ministrja Denaj : Politikat buxhetore mbështeten rritjen e qëndrueshme dhe mirëqenien e qytetarëve

 

“Përgjatë gjithë viteve të qeverisjes socialiste, politikat buxhetore kanë synuar rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe kanë vendosur në fokus politikat mbështetëse për qytetarët”.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj në forumin “Ekonomia në fokus” me temë diskutimi “Politikat Buxhetore”, ku mori pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Në fjalës së saj, Ministra Denaj u ndal te një sërë çështjesh, që kishin të bënin me rritjen ekonomike, buxhetin për qytetarët, konsolidimin fiskal, si dhe perspektivën afatmesme.

Gjatë këtij viti qeveria shqiptare arriti që të përballonte me sukses dy goditje të njëpasnjëshme, duke dëshmuar angazhim dhe reagim të shpejtë në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve:

Më shumë se 300,000 individë u ndihmuan me pagesë të drejtpërdrejtë, më shumë se 100,000 biznese të vogla përfituan nga paketa e lehtësisë fiskale përmes zerimit të tatim fitimin dhe rritjes së pragut të TVSH-së dhe më shumë se 1,300 biznese u ndihmuan me likuiditet nëpërmjet skemave të Garancive Sovrane (1 dhe 2), si dhe nxitjes së punësimit.

“ Buxhet i vitit 2021, ai i Rimëkëmbjes, me objektivat e qarta të rritjes së shërbimit për qytetarët, rritjes së vendeve të punës, nxitjes së bizneseve, rritjes së pagave për punonjësit në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit dhe rritje të investimeve publike në infrastrukturë dhe rindërtimit të vendit”, tha Ministrja Denaj.

Më konkretisht përmes politikave buxhetore në vite është mbështetur rritja e mirëqenies së qytetarëve në disa aspekte:

  • Të ardhurat mesatare për frymë në vit janë rritur duke filluar nga 4,030 USD si mesatare vjetore në 2006-2013 në 4700 USD si mesatare vjetore në 2014-2020 për të synuar 2021 5687 USD si e ardhur për frymë.

Rritja e pagës minimale, e cila për vitin 2021 shkoi në 30 mijë lekë nga 22 mijë lekë në vitin 2013.

  • Investimet publike në shëndetësi janë një fakt, i cili me terma ekonomikë i rritur nga një vit në tjetrin me 19% shkon nga 2.6% si mesatare mbi PBB në vitet 2007-2013 në 3.1% në vitet 2014-2021. Dhe synon 3.7% në vitin 2021.

“Sigurisht ky është buxheti më i lartë në shëndetësi në 10 vitet e fundit (grafiku e demonstron), edhe përtej faktit se do të gjithë e lexojnë njësoj dhe dua t’i jap një përgjigje këtu edhe Presidentit për disa nga argumentet në kthimin e buxhetit 2021, ku rritja minimale e parashikuar sipas argumenteve në këtë shkresë zeron disa zëra të rëndësishëm të rritjes, siç janë rritjet e pagave të mjekëve, infermierëve dhe laborantëve, janë zëra që janë në buxhet, janë të rëndësishëm dhe që për këtë vit kaq të vështirë është një mbështetje, jo vetëm për këtë sektor, por në krahasim me shumë vende të tjera të rajonit kjo situatë nuk ka ndodhur megjithatë qeverisja socialiste, Kryeministri Rama e ka marrë këtë si angazhim për të mbështetur këtë sektor në ditët e tij më të vështira, në raport me punën e këtyre personave në frontin dhe në vijën e parë të luftës kundër Covid-it.

Përveçse kemi siguruar gjatë viteve investime në shëndetësi me gati 20.6 mld, lekë për të përmirësuar dukshëm infrastrukturën, si në raport me spitalet rajonale, maternitete, ashtu dhe në 300 Qendra Shëndetësore.

Ka një rritje të cilësisë së shërbimit dhe ky është një fakt, ka një shërbim të shtuar për të gjithë shtresat duke filluar edhe me shërbimet, të cilat më parë nuk mendoheshin që të realizoheshin në sistem, dhe falas dhe në shtrirje rajonale duke përmendur disa prej tyre;

Sigurimi falas i shërbimit të dializës për 170 mijë pacientë, check up për më shumë se 475 mijë pacientë

Trajtimi me recetë rimbursimi duke përfshiu këto vite edhe 600,000 persona të pasiguruar, të cilët nuk janë pjesë e skemës kontribuuese.

Për vitin 2021 kemi siguruar shtesë fondesh prej 7.2 miliard leke për përballimin e procesit te vaksinimit dhe skemën e rimbursimit për barnat, të cilat janë pjesë e protokollit për Covid-19 në banesa”, tha Ministrja Denaj.

Ajo gjithashtu theksoi se në buxhetin 2021, mbështetja për mbrojtjen sociale, politikat e pensioneve dhe shpenzimet për emergjencat te pushtetit vendor janë rritur nga një vit në tjetrin.

“Duke filluar nga një mesatare 8.3% 2007-2013 në 9.2% në 2014-2019 dhe duke arritur  në 10.5%.

Kemi dhënë një bonus prej 126 miliardë lekë në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar, familjet në ndihmë ekonomike përgjatë gjithë periudhës 2014-2019.

Shuma e alokuar në fondin e personave me aftësi të kufizuar dhe ndihmës ekonomike rritet me 3.7 miliardë lekë krahasuar me 2020. Kjo është një rritje, e cila sigurisht shkon në mbështetje të 66 mijë përfituesve të ndihmës ekonomike dhe 172.4 mijë përfitues të Pagesës së Aftësisë së Kufizuar në vitin 2021.

Buxheti në këtë zë është 24.7 miliardë lekë apo 1.5% e PBB.

Skema e Sigurimeve Shoqërore ka ardhur çdo vit në rritje, indeksimi i pensioneve është fakt, ndodhi në vitin 2020, do të ndodhi edhe në vitin 2021. Është një angazhim që është marrë që në momentin e parë të reformës në 2015 dhe zëri buxhetor për këtë vit, për këtë indeksim është 2.4 miliardë lekë.

Strehimi social, është një element tjetër shumë i rëndësishëm për tu parë në shifra përgjatë gjithë viteve, duke filluar jo vetëm nga % sesa në raport me PBB ky fakt konsiderohet në rritje nga 1.7% në 4.2%, por edhe në përfitues.

4.5 miliard lekë, për 20 mijë përfitues, të cilët përfitojnë kredi të lehtësuara ndër vite dhe subvencion të interesave.

Janë pothuajse 3 miliardë lekë për më shumë se 13,600 familje, të cilat përfitojnë nga Bonusi i Qirasë në vitin 2020.

Dhe në vitin 2021 janë 6459 familje që përfitojnë subvencion të kredive për strehim dhe mbi 6 mijë familje, të cilat përfitojnë bonus të qirasë”, tha Ministrja Denaj.

Gjithashtu ajo nënvizoi edhe buxhetin për shpenzimet e personelit.

“ Ka një rritje të konsiderueshme nga 2013-2019 në raport me pagën mesatare të administratës me gati 22.4%. Pagat e infermierëve, që u rritëm 26%, pagat e mjekëve 22%, pagat e mësuesve të arsimit të mesëm dhe arsimit 9-Vjeçar me 7% për të shkuar në vitin 2021: Rritjen me 40% të pagës mbi funksion për mjekët, infermierët, laborantët dhe me 15% për punonjësit arsimor”, tha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Në lidhje me papunësinë, Ministrja Denaj, duke iu përgjigjur edhe deklaratave të Presidentit të Republikës, theksoi se synimi i këtij buxheti është ulja e papunësisë.

“Në fund të vitit 2019, arritëm nivelin më të ulët të papunësisë në 11.6%, i cili vjen nga një % e lartë gati 17.9% e vitit 2014. Kjo është një përpjekje, e cila realizohet në shumë krahë, jo vetëm në raport me investimet të cilat do t’i shikojmë në vijim në sektorët kryesorë të ekonomisë, por edhe nëpërmjet skemave”, tha Ministrja.

Duke u ndalur te mbështetja e sektorët prioritarë që do të mbështeten janë: Arsimi, Shëndetësia, Infrastruktura, Bujqësia dhe Rindërtimi.

“Janë 7.2% e PBB-së ose 122 miliardë lekë të vendosura për shpenzime në vitin 2021. Ky është buxheti më i lartë në investime dhe dua të theksoj që edhe në një vit të vështirë si ky, ne nuk ndërpremë në asnjë moment investimet. Sigurisht, shkurtuam shpenzime të cilat në raport me shpenzimet operative ishin të nevojshme për t’u shkurtuar por investimet nuk u prekën në asnjë moment”, tha Ministrja.

  • Arsimi, i cili në fund të vitit 2013 merrte rreth 44.1 miliardë lekë në vitin 2021 parashikohen të shpenzohen rreth 64.2 miliardë lekë. Pra në vlerë absolute me rreth 20 miliardë lekë më shumë!
  • Nëse do ta krahasonim me vitin 2013,shëndetësia arrin 3.7% të PBB-së nga 1.1%.
  • Bujqësia ka dyfishin e vlerës së krahasuar me vitin 2013.
  • Në infrastrukturën rrugore përtej projekteve të rëndësishme dhe përfundimit të projekteve të tjera, kemi trefishuar edhe vlerën e cila shkon për mirëmbajtjen e rrugëve
  • Për të mos lënë edhe pa përmendur projektin kryesor dhe prioritar, ai i rindërtimit, i cili edhe në vitin 2021 ka një vëmendje të shtuar me 28 miliardë lekë.

“Të gjitha këto do të jenë një likuiditet i shtuar në ekonomi dhe nëse unë do ti kthehem një analize të bërë në mbledhjen vjetore të FMN-së, ku postulati që për çdo  1% investim në infrastrukturë mund të përkthehet në 2.2% rritje ekonomike në afat mesëm, ne besoj që jemi në rrugën e duhur me investimet për të sjellë rritjen ekonomike në trendin pozitiv. Dua të kthehem edhe në  periudhën 2013-2018 për të parë  rritjen ekonomike dhe progresive e cila është një fakt, edhe pse në 2019 u goditëm nga tërmeti, përsëri realizuam një rritje pozitive me 2.24% dhe sigurisht  ne mund të debatojmë në raport me recesionin ekonomik të fund vitit, parashikimi i të cilit për pak javë do të jetë fakt, por një recesion me -6% është një parashikim shumë më afër realitetit që ne mendojmë se do të realizojmë. Me rëndësi është viti 2021 dhe 5.5% nuk është shumë larg nga parashikimet të FMN-së e cila shkon në 5%.

Stabilitet dhe Konsolidimi Fiskal janë elementë shumë të rëndësishëm, jo vetëm si një politikë e ndjekur dhe e realizuar në 5 vite ku në mënyrë të vijueshme kemi punuar për të ulur nivelin e borxhit në mënyrë që të krijonim një balancë primare pozitive prej vitit 2016 por edhe njëkohësisht angazhimin e treguar për t’ju kthyer konsolidimit fiskal në vitet në vijim.

Sigurisht, zgjerimi i borxhit për 2020 është një fakt për  të gjithë ekonomitë të goditura nga pandemia dhe jo më për Shqipërinë e cila është goditur nga dy situata siç është dhe ajo e tërmetit. Ne kemi sjellë në vëmendjen tuaj dy tregues të cilët flasin për një menaxhim  efektiv të borxhit.

Së pari, në raport me koston mesatare të borxhit e cila ka një trend rënës. Kjo përcaktohet si një tregues i përmirësimit në vijim të raportit ndërmjet kostos dhe rreziqeve dhe struktura e borxhit njëkohësisht është e përmirësuar në raport me borxhin e brendshëm dhe të jashtëm sikurse dhe mundësia për të siguruar këtë vit një likuiditet në raport me tregun e brendshëm dhe të jashtëm me një vlerë mbulimi shumë herë më të lartë se 1.

Treguesi i dytë lidhet me raportin e borxhit ndaj investimeve kapitale. E rëndësishme është mënyra sesi qeveritë përdorin borxhin. Mesatarisht për  çdo 100 lekë që është  shtuar stok i borxhit në periudhën 2006-2013 janë investuar 117 lekë. Për periudhën 2014-2020, 169 lekë dhe për vitin në vijim ky raport parashikohet në nivelin e 245 lekë. Kjo do të thotë se ky raport gjatë 8 viteve është përmirësuar dukshëm me 45%. Në aspektin afatmesëm dhe perspektivën afatmesme, sigurisht rritja ekonomike është synimi kryesor, ajo e qëndrueshme e cila shkon  jo vetëm me 5.5% në vitin 2021 por me një mesatare me rreth 4.5% për vitet në vijim dhe synon kryesisht stabilizimin në tregues pozitiv, nxitjen dhe vëmendjen për politika në mbështetje të qytetarëve dhe rritjen e biznesit.

Në vitin e ardhshëm do të mbështesim sipërmarrjet me grante për të nxitur konkurrencën me politika ekonomike si edhe inovacionin me një buxhet sa ai i 6 viteve të fundit duke nxitur edhe  nëpërmjet ligjit të start up për inovacion çdo iniciativë të re për sipërmarrje me skema dhe lehtësi fiskale për 2 vjet.  Kjo është një thirrje për të gjithë të rinjtë njëkohësisht që të adresojnë idetë e tyre inovatore drejt këtyre skemave për të sjellë një vëmendje dhe mbështetje të zhvillimit të ekonomisë digjitale në të ardhmen”, bëri të ditur Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj.