Postuar më: 19/01/2021

Miradministrimi fiskal-Denaj: Thjeshtuam të gjitha procedurat për biznesin, ulëm informalitetin

Miradministrimi fiskal, thjeshtimi i procedurave për biznesin, si dhe ndërtimi i sistemeve të ndërthurura online,  do të bëjë  që të ulim informalitetin dhe të rriten të ardhurat  në buxhetin e shtetit.

Kështu deklaroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Edi Rama dhe Drejtoren e Tatimeve, Delina Ibrahimaj,  “Ekonomia në fokus”, ku në qëndër të saj ishte miradministrimi fiskal.

Duke bërë një paraqitje  të përgjithshme  të situatës  makrofiskale, Ministrja Denaj, theksoi, se po rindërtojmë  një sistem të rëndësishëm,  i cili do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, dhe që  promovon ekonominë shqiptare.

Duke bërë një krahasim  të ardhurave në vite, Ministrja e Financave,  vlerësoi,  se rritja në 27.38% të ardhurat mbi PBB, tregon se kemi ndërtuar vetëm “karabinanë”, e cila tashmë duhet mbushur me gjithë elementët funksionalë.

Referuar procesit të fiskalizimit, që tashmë po imlementohet, Ministrja Denaj, tha,  se qeveria synon të  rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit  me 10 %. Në këtë do të ndikojnë,  sipas saj, dy elemente të rendësishëm, sic janë thjeshtimi i deklaratave dhe raportimi online i shërbimeve për bizneset, çka ka  lehtësuar procedurat dhe ka ulur kontaktin fizik .

-Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe të Ekonomisë, Anila  Denaj-

Sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm për të projektuar të ardhmen, por duhet të shohim dhe nga e shkuara, se nga vijmë. Sikurse edhe ju e përmendet, jemi në mes të një procesi. Jemi në momentin e një procesi rindërtimi do të thoja. Rindërtimi të një sistemi të rëndësishëm, i cili do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, ato të ardhura që promovon ekonomia shqiptare që shpesh në të gjitha debatet tona televizive apo më gjerë i kemi artikuluar me terminologji të ndryshme në aspekt edhe të informalitetit, por përpjekja për të luftuar informalitetin nuk ka nisur sot, ka nisur me vite. Nëse do ti kthehem grafikut sesi morëm në 2013 të ardhurat e buxhetit të shtetit do të thosha se ne nisëm nga një e ardhur shumë e ulët me 24.23% mbi PBB dhe për të parafrazuar sistemin e rindërtimit në të cilin jemi do të thosha se ne nisëm nga një kënetë.

Nisëm nga një sistem ku akoma nuk kishte karabina dhe me momentin në vitin 2019 që bëjmë referencë, pse është një vit i rëndësishëm? Rritëm në 27.38% të ardhurat mbi PBB, ndërtuam karabinanë. Sigurisht, kjo përfaqëson gjysmën e rrugës që dhe Z. Kryeministër përmendi pak më parë dhe kjo karabina duhet ndërtuar me të gjithë elementët funksional. Do ngelem pak në debatet e shpeshta që bëjmë sesi kjo e ardhur e shoqëruar njëkohësisht me politikat fiskale dhe administrimit fiskal është realizuar. Debatet janë të pafundme sesi rritja e politikave fiskale ndikoi bizneset,  por edhe individët. Do të fillojmë tek pjesa e biznesit, ai i cili përtej rritjes së tatim fitimit nga 10% në 15%, në vlerë absolute nga 2013 në 2019 flasim për një rritje me 142% në krahasim me vitin 2013 dhe po të shohim vetëm rritja e normës ndikon me 25%. Pjesa kryesore e rritjes në 142% është kryesisht nga mirë administrimi fiskal, nga përpjekja për të formalizuar ekonominë. Kjo përpjekje nuk nisi sot, ka nisur prej vitit 2014 dhe ka dhënë rezultate. Sigurisht, me vështirësitë e saj,  por rezultatet janë të dukshme.

E tregon gjithashtu dhe numri i bizneseve të regjistruara. Flasim për një numër mesatar vjetor të rritjes së bizneseve të regjistruara në 20.785 nga 14.121 ku një pjesë e rëndësishme janë biznese që më parë ishin në informalitet dhe vetë politikat e miradministrimit fiskal në vite kanë realizuar një rritje të konsiderueshme, jo vetëm të numrit të bizneseve të regjistruara por edhe të qarkullimit të tyre. Për të vijuar më tej tek pjesa e tatimit mbi pagën e individëve. Po, është e vërtetë që tatimi progresiv ka krijuar diskutime dhe debate, por është fakt që për 97% të punësuarave barra fiskale u reduktua dhe ishte e pritshme në buxhet shteti në 2014 me gati 2 miliardë lekë,  por po të shikojmë mënyrën sesi dhe mirë administrimi fiskal ka kontribuar është dukshëm një rritje në kontribut të të ardhurave me 27.3% të ardhura nga tatimi mbi pagën në 2019 krahasuar me 2013.

Për të vijuar më tej me premtimin e mbajtur të numrit të personave të punësuar me 46% rritje të numrit të tyre. Flasim dhe diskutojmë për premtimet, për 300.000 vendet e punës. Flasim për një rritje konkrete të numrit të punësuarve në nivelin më të lartë të viteve të fundit duke arritur në nivelin e shifrës 698.235 për fondin e 2015 me gati 225.000 vende pune shtesë. Sigurisht që politikat fiskale kanë kontribuar në rritjen e të ardhurave,  por miradministrimi fiskal ka qenë po aq i rëndësishëm për të ndërtuar këtë karabina dhe për të projektuar ndërtimin final të tij.

Do të ndalesha pak tek tatimi mbi vlerën e shtuar dhe kryesisht në raport me rimbursimin e TVSH-së, një element shumë i rëndësishëm për bizneset për të cilët viti 2019 shënon vitin rekord të rimbursimit të stokut të TVSH-së, jo vetëm në vlerë absolute në nivele 23.5 miliardë lekë krahasuar me 7.3 në vitin 2013, por mbi të gjitha në atë që të gjithë bizneset brenda metodologjisë që ne kemi në sistemin e administratës tatimore, në fund të dhjetorit janë me 0 ditë pagese dhe ky është një obligim i administratës tatimore dhe politikës sonë për të kontribuar në shkurtimin e kohës dhe procedurës por dhe për të kthyer tek biznesi atë që takon.

Sigurisht, vetëm politika fiskale nuk do të mjaftonte për të realizuar të ardhurat. Lehtësimi i procedurave ka qenë në fokus të të gjithë viteve të qeverisë socialiste dhe do të ngelesha për pak minuta në dy element të rëndësishëm: së pari në thjeshtimin e deklaratave dhe së dyti në elementin kyç mbi raportin e shërbimeve online për bizneset dhe qytetarët. Kjo bëhet për dy arsye, për të thjeshtuar këto procedura dhe njëkohësisht për të eliminuar kontaktin fizik i cili është shumë i rëndësishëm në këtë proces të rindërtimit të kësaj karabinaje. Për të vijuar më tej në procese të cilat ne kemi filluar punë në dy vitet e fundit në sisteme. Sisteme shumë të rëndësishme për të cilat ne projektojmë përfundimin e karabinasë. Këto sisteme nuk nisën sot por kanë nisur përpara dy vitesh.

Flasim për shtatë sisteme të cilat në formatin më klasik të tyre do të fillonin me fiskalizimin, një produkt i cili është funksional për një nga elementët kyç, atë të marrëdhënies biznes me qeveri por ju e dini që ligji ka kaluar për të gjithë produktin e të tre marrëdhënieve dhe më tej për gjashtë regjistra të tjerë të cilët do të ndërtojnë karabinanë në të gjithë funksionalitetin e tij duke realizuar përfundimin e një procesi rindërtimi, ai i cili do të sigurojë në bazë të utiliteteve, të dhënat të cilat duke u analizuar në kohë reale do të përmirësojnë ndjeshëm jo vetëm informacionin që vjen në administratën tatimore doganore por edhe mënyrën si ne punojmë më bizneset dhe individët duke synuar në këtë mënyrë jo vetëm funksionin e plotë të kësaj ndërtese por njëkohësisht dhe marrëdhënie të përmirësuara dukshëm dhe në marrëdhënien e kontrollit të administratës tatimore.

Ne flasim për një proces rindërtimi i cili nuk ka përfunduar. Flasim për një proces të cilin e kemi shtruar dhe të gjithë elementët e të shtatë ligjeve të cilave i bëj referencë nëpërmjet sistemeve janë sot të aprovuara dhe ratifikuara. Ku synojmë? Synojmë të rrisim në 10% të ardhurat nga fiskalizimi dhe 20% në raport me të gjithë kontrollet si rezultat i përfundimit të gjithë këtyre proceseve dhe regjistrave. Kjo, sigurisht nuk është një pune e lehtë. Është një punë e cila do të bëjë me baltë të gjithë personat që do të përfundojnë ndërtimin e kësaj karabinaje. Me baltë nënkuptojë fjalët, komentet, pamundësinë për ta bërë. Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm se koha në të cilën ne duhet të punojmë nëpërmjet njerëzve ka përfunduar. Ne punojmë nëpërmjet sistemeve. Kjo është një kërkesë jo vetëm e një qeverisjeje më të mirë por e kohës dhe dua të theksoj dhe një herë se kthimi në sistemet e mëparshme të vitit 2013 me të ardhura të ulta në buxhetin e shtetit, me sisteme të cilat nuk sigurojnë një qëndrueshmëri afatmesme dhe afatgjatë në rritjen e të ardhurave por dhe në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me biznesin është një kohë e cila ka kaluar.

Sigurisht, për të embarguar në këtë proces ka nevojë për komunikim më të drejtpërdrejtë. Ne jemi duke punuar në mënyrë të përditshme së bashku me drejtoreshën për një nga proceset kryesore, ai që është fiskalizimi. Ju keni qenë dëshmitarë për çdo komunikim që kemi bërë gjatë këtij viti dhe do vazhdojmë të bëjmë por mbi të gjitha bizneset janë ato që flasin vetë në marrëdhënien e përmirësuar mes tyre dhe administratës tatimore. Një element të fundit që lidhet me materialin klasik të cilin shpesh e marrim si referencë, ai i “Doing business” dhe përfundimet të cilat shpesh lidhen me këtë pikë që janë shumë të rëndësishme kur flasim për pagesën e taksave ku pikëzimi për Shqipërinë është përmirësuar dukshëm nga 55.3% në 2013 në 65.2% në 2019.

Për të vijuar më tej me një element shumë të rëndësishëm përsëri të “Doing business”, atë që ka të bëjë mes tregtisë që ndodh mes vendeve të rajonit dhe ku dukshëm Shqipëria është dukshëm pas Kroacisë dhe është në një vend shumë të lartë krahas vendeve të rajonit ku edhe pikëzimi në këtë kriter është rritur nga 72 në 2013 në 93.6 në 2019. Këto për të konkretizuar me fakte jo vetëm një punë që lidhet drejtpërdrejtë me qytetarët e bizneset në aspekt të procedurave dhe përmirësimit të administrimit fiskal por mbi të gjitha me atë që lidhet me politikat e përgjithshme fiskale, rritjen e të ardhurave në PBB në vitet që vijnë të cilat synohet të shkojnë në 31% për të arritur atë mesatare që sot ka rajoni.