Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 5 mujore (Janar – Maj 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104 % të planit të 5-mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 5-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 97% të planit të periudhës.
Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e pestë të vitit 2021 rezultoi në rreth 20.3 miliardë lekë.
Performanca Paraprake 5 Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve
Të Ardhurat
Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 191.6 miliardë ose 104 % të planit të 5-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 31 miliard lekë.
Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 67.8 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë ose 23.5% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 1.2 miliardë lekë ose 1.8% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5 mujorin e vitit 2021. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 54.9% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 7 produkte dhe përkatësisht: karburant importi me 23.7% të të ardhurave, cigaret me 12.5% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 6.1% të të ardhurave totale doganore, automjetet e përdorura me 4.4% të të ardhurave, plastika dhe artikujt 2.8% ttë të ardhurave, veshje tekstile 2.7% dhe ushqime të përgatitura 2.6% të të ardhurave. Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i automjeteve të perdorura, karburante importi, metalet bazë dhe artikujt prej tyre dhe veshje, tekstile. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga cigaret, energjia elektrike, mielli dhe gruri dhe karburant importi.
Të ardhurat nga TVSH në import për 5 mujorin rezultojnë 45.8 miliardë lekë, 9.7 miliardë lekë ose 26.9% më shumë se një vit më parë, si dhe 0.6 miliardë ose 1.3% më shumë se plani për 5 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë 5 mujorit 2021, rënia e sasisë së importuar të energjisë elektrike –409.5 mijë megawatorë, krahasuar me vitin 2020, ka sjellë efekt -351 milionë lekë në të ardhurat për tvsh, megjithëse efekti nga ndryshimi I çmimit ishte +183.8 milionë lekë. Gjatë 5 mujorit 2021, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi automjeteve të përdorura, karburante importi, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile, dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +4.8 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, fruta perimet,mishi dhe dhjamra dhe vajra shtazore, me një efekt -0.8 miliardë lekë.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 18.3 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 15.7% më shumë se viti 2020, si dhe 0.5 miliardë lekë ose 3% më shumë se plani i akcizës për 5 mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti karburant importi, me një rritje 38.4 mijë ton (+20.1%) me një efekt +1.6 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar. Ndër produktet e akcizueshme që kishin ndikim negativ, ishte produkti gaz I lëngët me një rënie prej 10.4 mijë ton (-19.4%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -36 milionë lekë.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1 miliardë lekë, 133.4% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 103.9% kundrejt planit, ose 40 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 857.4 milionë lekë, 258 milionë ose 43% më shumë se renta e 5 mujorit të vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 5 mujorin 2021 është 8.9% më shumë se viti i kaluar me efekt +53.1 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +204.9 milionë lekë. Gjatë 5 mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.38 lekë/ton në 3.13 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 197.8 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 13.2% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020 me efekt +21 milionë lekë njëkohësisht dhe rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +18 milionë lekë.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.7 miliardë lekë, 428 milionë lekë ose 19% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 42 milionë lekë ose 1.6% më shumë se plani i 5 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (11.2%), fruta perimet (10.2%), veshjet e këmbës (9.2%), mish importi (9.1%), materialet e ndërtimit (7.1%).
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 5 mujorin 2021 u realizuan në masën 98.8 miliardë lekë, 12 miliardë ose 13.9% më shumë se 5 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.1 miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 5 mujorit 2021.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 21.8 miliardë lekë, 4 miliardë ose 22.7% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 3.2 miliardë ose 16.9% më shumë se plani i TVSH për tu arkëtuar në 5 mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë dhe sektori i prodhimit. Rimbursimet për periudhën 5 mujore 2021 arritën 12.3 miliardë lekë, 6.4 miliardë lekë ose 108.6% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 4.1 miliardë lekë ose 49.7% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 5 mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 15.1 miliardë lekë 3.7 miliardë lekë, ose 32.3% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 136 milionë lekë ose 0.9% më pak se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i shërbimit me rritje 52.7% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020 dhe sektori i ndërtimit me rritje 40.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 16 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 18.2% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 0.2 miliardë ose 1.1% më pak se plani 5 mujor 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur:
të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 360% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020;
të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet me rritje 134% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020;
Taksat nacionale, për peridhën Janar-Maj 2021 u realizuan në masën 14.8 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 27.9% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 0.8 miliardë lekë ose 5.8% më shumë se plani i përcaktuar për 5 mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 43.4 miliardë lekë, 5 miliardë lekë ose 13.2% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe realizim 103.7% të planit për 5 mujorin 2021. Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për maujin prill 2021 rezulton rritje me 2,279 të punësuar ose 0.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e pestë të vitit 2021, arritën në rreth 211.9 miliard LEK me një realizim në masën 97 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 13 përqind më i lartë ose rreth 24.3 miliard LEK më shumë
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 5 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.7 përqind dhe 75.7 përqind të planit të periudhës.
Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)
Niveli i deficitit për periudhën 5 mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 20.3 miliard LEK, ose rreth 6.7 miliard LEK më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 5 mujore niveli i deficitit rezulton 58.6 përqind e planit të periudhës, prej rreth 34.68 miliard LEK.
Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt (në milion Lekë)

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2021)
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.