Ekonomia shqiptare është futur në rrugën e rimëkëmbjes pas dy goditjeve që mori nga pandemia COVID 19 dhe tërmeti i vitit 2019.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto është rritur me 5.53 % në tremujorin e parë të vitit 2021, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2020, dhe me një rritje prej 2.29 % kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2020.
Degët e ekonomisë që kanë dhënë kontributin më të madh pozitiv në këtë rritje janë:
• Industri, Energji dhe Ujë me + 2,56 pikë përqindje (pp);
• Ndërtimi me +1,09 pp;
• Administrata publike, Arsim dhe Shëndetësi me + 0,97 pp.
Referuar të dhënave:
• Konsumi final i popullatës, i cili përbën dhe komponentin kryesor të shpenzimeve, u rrit me 1,49 %;
• Konsumi final i qeverisë u rrit me 5,16 %;
• Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 21,11 %;
• Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën 0,66 %, ndërsa Importet u rritën 7,55 %
Treguesit pozitivë të rritjes ekonomike të tremujorit të parë të këtij viti vijnë edhe si rezultat i masave të marra gjatë vitit të kaluar nga qeveria shqiptare në mbështetje të bizneseve dhe qytetarëve, për të përballuar efektet negative të shkaktuara nga pandemia.
Në vlerësimet aktuale të situatës makroekonomike, mbështetja buxhetore po reflektohet edhe gjatë këtij viti në sektorët jetikë për vendin, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.