Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për linjën e kredisë për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”.
E pranishme në mbledhjen e komisionit, Ministrja Denaj bëri një prezantim të shkurtër të projektligjit dhe u shpreh se ai vjen në frymë dhe vijim të masave mbështetëse që qeveria shqiptare ka dhënë për stabilitetin e sistemit financiar bankar, për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia Covid 19.
“Në këtë marrëveshje ne vijmë me një eksperiencë të mëparshme, me të njëjtin institucion, me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe kemi dakordësuar një linjë kredie në vlerën prej 100 milionë euro në dispozicion të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, kundrejt lëshimit të një garancie shtetërore për këtë hua”, tha Denaj.
Linja e kredisë do të shërbejë si një burim fondesh shtesë përtej fondit të Agjencisë, për të përmbushur detyrimet që ajo ka kundrejt depozituesve, në rast ngjarje të sigurimit.
Ministrja theksoi se: “Linja e kredisë është një mekanizëm i njohur, e përdorur dhe në vendet e rajonit, e përdorur edhe më parë në raport me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave dhe forcon skemën e sigurimit të depozitave, rrit besimin e publikut dhe njëkohësisht garanton një stabilitet më të shtuar të sektorin bankar dhe financiar”.
Ndërkohë, shpenzimet për linjën e kredisë, si në rast përdorimi apo jo, do të përballohen nga të ardhurat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, e cila ka patur një performancë të mirë financiare.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.