Ministrja Delina Ibrahimaj paraqiti në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektligjin “Për Eurobondin, që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë”.
Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi se emetimi i Eurobondit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për plotësimin e nevojave të financimit për funksionimin normal të buxhetit të shtetit, por edhe për të përmirësuar perceptimin e investitorëve në ekonominë e vendit tonë, duke pasqyruar perspektivat optimiste afatmesme dhe qëndrueshmërinë e vendit që nga dalja e fundit në tregjet ndërkombëtare
“Kjo është hera e pestë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e Eurobondit. Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar gjithmonë kosto më të ulëta, kjo për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve të huaj, por edhe si pasojë e normave të referencës në rënie, të cilat janë pasqyruar gjatë viteve të fundit”, tha Ibrahimaj.
Ministrja informoi se emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme të menaxhimit të borxhit publik, hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Eurobondi pritet të ketë një madhësi nga 500 në 700 milionë euro dhe një afat maturimi nga 7 deri në 10 vite, në varësi të kushteve të tregjeve ndërkombëtare.
Ibrahimaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar me intensitet që dalja në tregjet ndërkombëtare të kapitalit të ndodhë në fillim të muajit nëntor, me pritshmëritë se në këtë periudhë do të sigurohen terma më të mira volumi dhe çmimi.
“Financimi i siguruar nga Eurobondi do të përdoret në mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të aplikohet për shpenzime publike, në sektorë kryesorë, si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura, dhe në mbështetje të investime publike, duke i lejuar që ato të qëndrojnë rreth nivelit 5 % të PBB-së. Një pjesë e financimit do të mbetet balancë në Thesar, për vitin 2022”, u shpreh Ministrja Delina Ibrahimaj.
Ministrja bëri me dije se lidhur me këtë transaksion i është kërkuar mendim Bankës së Shqipërisë, e cila ka konfirmuar se emetimi i Eurobondit, në vlerat dhe parametrat e shpallur, nuk cënon politikën monetare të bankës së Shqipërisë të terma afatshkurtër.
“Më lejoni t’ju rikujtoj se stabiliteti i financave publike u prek ndjeshëm si rezultat i goditjes së dyfishtë të ardhur nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemisë COVID 19, duke ndikuar në disa parametra si borxhi, deficiti dhe bilanci primar. Megjithatë, siç është thënë edhe më parë nga qeveria, politika fiskale ekspansioniste e Shqipërisë është projektuar si një përgjigje ambicioze, por e përkohshme, për të zbutur ndikimin e këtyre goditjeve dhe për të siguruar një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme”, u shpreh Ibrahimaj.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja tha se forcimi i stabilitetit makroekonomik, duke siguruar një rënie graduale të borxhit publik, është prioritet i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Ndërkohë, e pyetur nga deputetët në komision mbi periudhën e emetimit të Eurobondit, Ministrja Ibrahimaj sqaroi se, paralajmërimet e bankave qendrore ndërkombëtare flasin për një rritje të kostove dhe interesave në vitin e ardhshëm. Në këtë drejtim, është gjykuar se është në favor të interesave ekonomike të vendit që Eurobondi të emetohet këtë vit, me pritshmëritë për norma interesi dhe kosto më të ulëta, dhe të mos zhvillohet vitin e ardhshëm.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.