Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, prezantoi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2022 në Konferencën e Kryetarëve.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se projektbuxheti i vitit të ardhshëm ka si objektiv primar konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin në mënyrë të njëpasnjëshme, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID-19.
Ky objektiv madhor, theksoi Ministrja, bazohet në pritshmëritë pozitive të qeverisë për një rritje ekonomike prej 7.6 % në vitin 2021, pritshmëri në linjë me parashikimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si FMN, BB, BERZH, etj, të cilat konfirmojnë njëkohësisht trendin pozitiv për periudhën afatmesme 2022-2024.
“Rritja ekonomike do të na mundësojë që të mbështesim qytetarët duke rritur mirëqenien e tyre”, tha Ibrahimaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se nëpërmjet projektbuxhetit do të vijohen reformat strukturore të nisura, të cilat do të nxisin rritjen ekonomike në vijim në çdo sektor e duke sjellë, mbi të gjitha, rritjen e punësimit.
Përsa i përket objektivit madhor të uljes së borxhit, Ministrja bëri me dije se në projektbuxhetin e vitit 2022, deficiti fiskal parashikohet me 5.4% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2021 prej 6.8% të PBB.
Balanca Primare edhe pse e parashikuar në vlerën -2.7% të PBB në vitin 2022, është sërish me ulje krahasuar me nivelin e pritshëm prej -4.6% të fundvitit 2021, duke synuar një nivel pozitiv në fund të vitit 2024, sipas rregullit fiskal të paraqitur në ligjin organik të buxhetit.
Ndërkohë, balanca korrente, diferenca midis investime publike dhe deficitit fiskal, vijon të planifikohet në shifra pozitive edhe gjatë vitit 2022, në nivelin 1.5% të PBB, me një rritje me 1% të PBB krahasuar me të pritshmin e vitit 2021 (0.5% të PBB), në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal që përcakton se huamarrja totale në vitin 2022 merret ekskluzivisht për financimin e investimeve publike.
Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2022 me një vlerë rreth 78.9% të PBB nga rreth 80% që pritet të jetë në fund të vitit 2021.
Sa i përket të ardhurave të projektbuxhetit, Ministrja Ibrahimaj theksoi se në vitin 2022 ato parashikohen të arrijnë në 536.8 miliardë lekë dhe, krahasuar me pritshmëritë e vitit 2021, ato pritet të rriten me 7.8%, si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme e Mbledhjes së të Ardhurave (MTRS), e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë, dhe sistemeve të monitorimit.
Ndërkohë, Shpenzimet Buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB dhe do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, të cilat së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim.
Lidhur me investimet publike të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2022, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë theksoi se ato janë parashikuar në masën 6.4% e PBB ose 119 miliardë lekë, ndërkohë që përparësi do të ketë financimi i projekteve në vazhdim.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj ritheksoi se dy objektivat madhorë të qeverisë shqiptare përmes projektbuxhetit janë rimëkëmbja ekonomike dhe qëndrueshmëria fiskale, përmbushja e të cilëve siguron qëndrueshmëri të financave publike shqiptare për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, duke krijuar kësisoj baza të forta për një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Në këtë drejtim, sipas Ministres, gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit në komisionet parlamentare është e rëndësishme që çdo propozim që mund të bëhet të ketë si bazë pikërisht ruajtjen e këtyre parametrave.
PROJEKTBUXHETI 2022 – Fjala e Ministres në Konferencën e Kryetarëve
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare dhe të Komisioneve Kuvendore!
Projektbuxheti i vitit 2022 që keni në dispozicion për shqyrtim, ka si objektiv primar konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme, gjatë fundit të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020: pra tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.
Ky objektiv madhor, bazohet në pritshmëritë pozitive të Qeverisë për një rritje ekonomike domethënëse në vitin 2021 prej 7.6%, duke lënë pas recesionin ekonomik të vitit 2020, prej -4%.
Dëshiroj të theksoj këtu se rritja ekonomike përgjatë vitit 2021 është në linjë me parashikimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, BERZH etj., të cilat konfirmojnë njëkohësisht dhe trendin pozitiv për periudhën afatmesme 2022–2024.
Specifikisht, për vitin 2022 parashikojmë një rritje të ekonomisë me 4.1% duke mbajtur një nivel mesatar prej mbi 4% për vitet pasuese 2023 dhe 2024.
Rritja ekonomike do të na mundësojë që të mbështesim qytetarët duke rritur mirëqënien e tyre.
Nëpërmjet këtij buxheti do të vijojmë të kryejmë reforma strukturore të nisura, të cilat do të shërbejnë si stimul fiskal për të nxitur një rritje ekonomike në vijim në çdo sektor, duke sjellë rritjen e punësimit
Investimet në infrastrukturën dixhitale do të jenë në shumë sektorë:
Në Ministrinë e Brendshme, ministrinë e Mbrojtjes, ministrinë e Shëndetësisë, ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në Arsim.
Gjithashtu do të kemi projektin e droneve dhe satelitëve, të cilët do të rrisin efikasitetin e kontrollit në disa sektorë prioritarë.
Këto nisma do të shkojnë si mbështetje kryesisht për të rinjtë dhe do të bëjnë një orientim të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, duke mundësuar edhe krijimin e vendeve cilësore të punës.
Nxitja e dixhitalizimit, në kushtet kur ekzistojnë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, në një popullsi relativisht të re në krahasim me vendet e Europës, do të mundësojë një rritje të produktivitetit dhe rrjedhimisht, do ta bëjë ekonominë shqiptare më konkurruese.
Projektbuxheti i cili ju paraqitet parashikon rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe, siç përmenda edhe më sipër, kjo do të përkthehet në punësim.
Në këtë kontekst, projektbuxheti i vitit 2022 do të vijojë të mbështesë fuqimisht, si nga krahu i të ardhurave dhe ai i shpenzimeve, nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe skema më efektive për punësimin dhe aftësimin profesional.
Më lejoni t’ju prezantoj shkurtimisht logjikën mbi të cilën është bazuar pritshmëritë tona për rritjen ekonomike dhe nivelin e borxhit publik:
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ekonomia shqiptare shfaqi shenja mjaft inkurajuese duke shënuar rikuperim të shpejtë të aktivitetit ekonomik.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka shënuar rritje prej rreth 11.9 përqind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 sipas vlerësimit më të fundit të disponueshëm nga INSTAT. Ky rikuperim mbështetet në një gamë të gjerë faktorësh dhe është prezent në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Reduktimi, thuajse heqja fare e kufizimeve pas rënies së infektimeve, ku një rol kyç ka pasur edhe procesi i vaksinimit, rritja e besimit konsumator, përmirësimi i ekonomive partnere, si dhe politikat mbështetëse fiskale e monetare, kanë sjellë një rritje të konsumit të familjeve, të investimeve publike e private, si dhe të eksporteve. Nga këto zhvillme kanë përfituar si sektori prodhues dhe ai i shërbimeve, duke ofruar një rimëkëmbje për biznesin dhe punësimin dhe duke krijuar premisa të mira në perspektivën afat-mesme.
Sipas optikës së kërkesës agregate, në gjysmën e parë të vitit 2021 vlerësohet se të gjithë komponentët e kërkesës agregate kanë shënuar rritje të fortë duke reflektuar kështu rifillimin e aktivitetit normal ekonomik, pas bllokimit të fortë që përjetoi gjatë 2020. Rritja përgjatë gjysmës së parë të vitit 2021 u gjenerua pothuajse e gjitha nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet. Ndërkohë që kërkesa e huaj neto vlerësohet të ketë pasur gjithashtu një kontribut pozitiv në rritjen totale, por mjaft më të moderuar. Kjo sepse kontributi më i lartë pozitiv prej rritjes së fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve u kundër-peshua pothuasje tërësisht nga kontributi negativ, nga rritja gjithashtu shumë e fortë e importeve të mallrave e shërbimeve.
Në anën e ofertës agregate, kontribut pozitiv në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 dhanë thuajse të gjitha degët:
Pra, është evidente që në të gjithë sektorët, si ata me rritje pozitive të fortë, ashtu si dhe ato si bujqësia me rënie, “efekti i bazës” përbën peshën substanciale.
Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2022-2024 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet. Ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë efekt pozitiv të moderuar. Eksportet si të mallrave ashtu edhe të shërbimeve (veçanërisht turizmi) pritet të kenë një ecuri të mirë, por njëkohësisht pritet që edhe importet të kenë po ashtu një rritje (në reflektim të rritjes së kërkesës agregate, veçanërisht investimeve), e për rrjedhojë kontributi neto i kërkesës së huaj në afat-mesëm pritet të jetë sërisht pozitiv, por ndjeshëm më i moderuar se ai i kërkesës së brendshme.
Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme, 2022 – 2024, parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 2.6 përqind në vit, duke kontribuar me mesatarisht 2.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB.
Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mbi nivelin 5.5 përqind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 pikë përqindje në vit.
Për sa i përket objektivit madhor të uljes së borxhit publik, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe të projektbuxhetit 2022:
Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2022 me një vlerë rreth 78.9 % të PBB nga rreth 80% që pritet të jetë në fund të vitit 2021.
Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.1 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 112 miliardë lekë.
Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2022 parashikohen të rriten me 7.8%, si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme e Mbledhjes së të Ardhurave (MTRS), e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë, dhe sistemeve të monitorimit.
Shpenzimet Buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB dhe do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, të cilat së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim.
Shpenzimet e Personelit për vitin 2022 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.
Shtesa e fondit vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në vlerën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit e tre sektorëve të sipërcituar. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% të PBB.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2022 janë parashikuar në masën 64.2 miliardë lekë ose rreth 3.4% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si skema e fermerëve, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimi i sportit.
Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 50.8 miliardë lekë ose 2.7% të PBB, duke përfshirë në të dhe një kontingjencë prej 0.3% të PBB për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit.
Subvencionet janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke qëndruar konstante në terma nominalë krahasuar me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për të mbështetur sektorin e ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.
Shpenzimet e fondeve speciale, ku përfshihen shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimi në vlerë i ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 212.8 miliardë lekë për vitin 2022:
Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2022 parashikohet në masën 148.9 miliardë lekë ose 8.6% të PBB.
Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.6 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët, i cili tashmë është një zë buxhetor i sigurt për këtë kategori të nderuar përfituesish;
Për Skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2022 janë parashikuar 52.8 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 50 miliardë lekë që priten të shpenzohen deri në fund të vitit 2021.
Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve parashikohet në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% të PBB.
Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:
Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2022 parashikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët.
Investimet Publike në vitin 2022 janë parashikuar në masën 6.4% e PBB ose 119 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë si dhe transfertën kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2022 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3 % përgjatë periudhës 2022-2024. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit, në këtë sektor do të financohet me përparësi:
Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale, ku financimi do të mbetet dukshëm mbi 3 % të PBB mesatarisht për periudhën 2022-2024, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët do të financohen me prioritet këto politika:
Bujqësia, do të përfitojë rreth 12.7 miliardë lekë në vitin 2022 ku parashikohet:
Në Infrastrukturë synohet:
Për sektorin e Mbrojtjes synohet arritja e target-it prej 2% të PBB të dakordësuar me NATO në vitin 2024. Për vitin 2022 ky target është 1.75 %. Në mbrojtje do të alokohen:
Në sektorin e Turizmit dhe Mjedisit do të financohen:
Në sektorin e Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit do të financohet me prioritet:
Jo pa qëllim kam lënë në fund dy projektet madhore prioritetet e ardhura si pasojë e dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tonë:
– Rindërtimin, i cili në projektbuxhetin e vitit 2022 parashikohen në vlerën e 20 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019, duke synuar përfundimin e këtij procesi brenda gjysmës së parë vitit të ardhshëm.
Gjithashtu, dua të ritheksoj përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19, i cili ka të alokuar buxhet si për vitin 2022, ashtu edhe për vitin 2023.
Për të kaluar tek Shpenzimet për Buxhetin Vendor, ku decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë. Reformat e ndërmarra deri më tani priten të kenë impaktin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë refoma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor.
Qeveria Shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore kanë bërë të mundur që pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.2% të PBB-së në vitin 2022.
Në vijim të procesit efektiv të decentralizimit, vend të rëndësishëm zënë vazhdimi dhe konsolidimi i reformës së financimit të arsimit parashkollor. Përmes buxhetit të vitit 2022, do të vazhdojë mbështetja financiare për reformën në arsimin parashkollor me synim konsolidimin e një skeme financimi të përshtatshme dhe efektive që synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.
Në buxhetin e vitit 2022, fondet e pagave për edukatorët ndahen kryesisht mbi bazën e numrit të fëmijëve. Më specifikisht, 60% e fondeve për pagat e edukatorëve ndahen mbi bazën e numrit të fëmijëve (me moshë 3-6 vjeç) dhe 40% mbi bazën e numrit të edukatorëve.
Reforma për financimin e funksionit të arsimit parashkollor do të vazhdojë të sigurojë në vitin 2022:
Kostoja e kësaj reforme është 327 milion lekë dhe mbulohet nga transferta e pakushtëzuar për bashkitë për vitin 2021, garanton vazhdimin e shërbimit të mbi 400 edukatorëve shtesë, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në kopshte.
Duke e mbyllur fjalën time, dëshiroj t’ju risjell në vëmendje 2 objektivat madhorë që synon qeveria shqiptare nëpërmjet projektbuxhetit, sikurse ai i rimëkëmbjes ekonomike dhe i qëndrueshmërisë fiskale, i cili siguron qëndrueshmëri të financave publike shqiptare për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, duke krijuar kësisoj baza të forta për një rritje të qëndrueshme ekonomike. E theksoj këtë, pasi gjatë shqyrtimit të këtij projektbuxheti nga secili prej komisioneve të Kuvendit apo prej secilit nga deputetët e tij, çdo propozim alternativ i prodhuar të ketë si bazë pikërisht ruajtjen e parametrave që lidhen me këto 2 objektiva madhorë!
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.