Kuvendi miratoi në seancë plenare projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”.
Në fjalën e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë bëri një përmbledhje të parametrave të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare, masave të ndërmarra nga qeveria për biznesit dhe qytetarët, si dhe një panoramë të buxhetit faktit të vitit të kaluar.
Ministrja theksoi faktin se, pavarësisht ndikimit në ekonomi që pati tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID 19, politika e ndjekur gjatë vitit 2020 po materializohet në rritje dyshifrore ekonomike, rritje të punësimit dhe të tregtisë, si dhe rritje të konsumit dhe investimeve private.
Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj:
Të nderuar deputetë,
Politika fiskale ekspansioniste e Shqipërisë, e ndjekur gjatë dy viteve të fundit, është projektuar si një përgjigje ambicioze, për të zbutur ndikimin e goditjeve ekonomike dhe për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme.
Frytet e politikës së ndjekur gjatë vitit 2020 po materializohen këtë vit në rritje dyshifrore ekonomike, në rritje të punësimit dhe të tregtisë, në rritje të konsumit dhe të investimeve private. Ekonomia shqiptare gjatë vitit të kaluar tregoi shenja qëndrueshmërie dhe këtë vit ecuria e aktivitetit ekonomik tregon për optimizëm dhe besim të shtuar. Këto janë rezultatet e një pune intensive të kryer nga qeveria gjatë vitit 2020.
Më lejoni, që në funksion të prezantimit të Buxhetit Faktik 2020, të paraqes një përmbledhje të shkurtër të :
-Parametrave të përgjithshme të ekonomisë shqiptare,
– të masave të marra nga Qeveria për bizneset dhe qytetarët,
– dhe një panoramë të buxhetit faktik të vitit 2020
Situata Ekonomike 2020
Për më shumë se dy dekada, Shqipëria nuk ka hasur një situatë recensioni të ngjashme me atë të vitit 2020 dhe as fatkeqësi natyrore, si tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID 19.
Prej vitit 2013, ku ekonomia kishte një rritje me rreth vetëm 1-2%, Qeveria shqiptare arriti të rikthente norma të larta, duke arritur në mbi 4%.
Si rrjedhojë e të dy fatkeqësive natyrore, por mbi të gjitha e pandemisë mbarë botërore, Prodhimi i Brendshëm Bruto nominal u kontraktua me 4% në vitin 2020, rënie më e përmbajtur se sa parashikimi fillestar, i cili luhatej midis -6% dhe -8% në vit.
Pavarësisht kësaj ecurie, parametrat e tjerë të rëndësishëm të ekonomisë kanë rezultuar të qëndrueshëm, duke vlerësuar masat kufizuese të ndërmarra nga autoritetet publike.
Tkurrja e eksporteve u kompensua nga pesha e lartë strukturore e importeve, gjithashtu në rënie. Ndërkohë gjatë vitit, inflacioni mesatar rezultoi 1.6% dhe inflacioni i fund-vitit rezultoi 1.1% .
Tregu i punës pësoi luhatje të vazhdueshme në vitin 2020, me një rikuperim të mirë në gjysmën e dytë të vitit si pasojë e rihapjes së ekonomisë dhe masave për mbështetjen financiare për sipërmarrjen dhe individët.
Të nderuar Deputetë,
Të gjitha sa më sipër, kanë qenë rrjedhojë e një sërë masash konkrete të marra nga qeveria dhe të ecurisë pozitive ndër vite të ekonomisë si pasojë e reformave, duke përmbajtur efektet në punësim, ekonomi dhe varfëri.
Tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia Covid-19 ndikuan në ecurinë ekonomike të vendit dhe rritën ekspozimin ndaj vendeve fqinje dhe rreziqeve fiskale.
Në kuadër të pandemisë u ndërmorën një sërë masash për të mbështetur ekonominë gjatë krizës, të cilat synuan rritjen ekonomike:
Së pari: u rritën transfertat sociale për familjet e varfra dhe të papunët duke dyfishuar ndihmën ekonomike për familjet përfituese për një periudhë tremujore gjatë karantinës. Po ashtu, familje që kishin aplikuar, por nuk ishin kualifikuar për programin e ndihmës ekonomike, përfituan secila një pagesë prej 16,000 lekë.
Si rezultat, shpenzimet për ndihmën ekonomike u rritën me 24%, ku përfituan 66,650 familje dhe individë në nevojë dhe 7,850 familje të tjera përfituese për herë të parë dhe 168,243 persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë përfitues.
Së dyti: një sërë masash u morën për mbështetje për punësimin dhe për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik përfshirë mbështetje për bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.
Fondet për masat në ndihmë të punësimit u rritën me rreth 12.7 miliardë lekë, dhe shkuan për 243,500 biznese dhe individë të prekur nga pandemia nëpërmjet pagave të luftës. Ndërkohë 23,320 përfitues përfituan mbështetje financiare për zbatimin e masave dhe protokolleve anti-Covid, me një kosto prej 118 milionë lekë.
Gjithashtu, u aktivizuan dy garanci sovrane për mbështetje ndaj biznesit nga të cilat u disbursuan 14.3 miliardë lekë për një shumë të madhe ndërmarrjesh.
Një shumë e madhe parash shkoi dhe për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë. Rreth 2.5 miliardë lekë u akorduan për mbështetje të këtij sektori përveç parave që u akorduan për blerjen e vaksinave.
Këto paketa kushtuan rreth 43 miliardë lekë, ose 2.8% e PBB-së për vitin 2020.
Një sërë masash u ndërmorën në kuadër të lehtësimit fiskal dhe u miratuan gjithashtu gjatë vitit 2020 si:
Njësitë e qeverisjes vendore bënë përjashtime të tjera, sipas rastit.
Buxheti Faktik 2020
Të nderuar Qytetarë,
Ishin këto masa, që zbutën ndikimin e pandemisë, lejuan një zbatim të ndryshimeve të buxhetit në përputhje me nevojat dhe shtruan rrugën për një rikuperim më të shpejtë të ekonomisë në vitin 2021.
Buxheti i vitit 2020 rezultoi me të ardhura në nivelet e 425.9 miliardë lekë dhe shpenzime në nivelet e 536.2 miliardë lekë.
Të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar ishin rreth 34.4 miliardë lekë (-7.5%) më pak se një vit më parë. Edhe ky kontraktim i të ardhurave, edhe si pasojë e kontraktimit më të fortë në dekada, sërish rezultoi të ishte ndjeshëm më i zbutur se sa parashikimet fillestare. Si peshë ndaj ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme publike arritën në 26.5% të PBB (nga 27.4% në 2019).
Në terma nominalë, shpenzimet e përgjithshme publike gjatë vitit 2020 ishin 536.5 miliardë lekë, 44.3 miliardë lekë (9.0%) më shumë, dhe faktor rritjeje zëra të rëndësishëm për qytetarët ishin shpenzimet kapitale për procesin e rindërtimit, si dhe shpenzimet për ndihmën sociale dhe financiare në mbështetjen ndaj efekteve të pandemisë.
Shpenzimet e përgjithshme publike u realizuan në masën 97.7% të planit vjetor të buxhetit fillestar dhe 92.6% e planit vjetor të ndryshuar.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 9.1% më i lartë ose rreth 44.6 miliardë lekë më shumë.
Në përmbyllje, deficiti fiskal në 2020 arriti në 6.8% të PBB-së, nga një mesatare rreth 2% në tre vitet e mëparshme, por megjithatë rezultoi më i ulët se sa kufiri prej 8.4% e PBB-së.
Borxhi publik, i shumë përmendur në media dhe këtu sot, arriti nivelin prej 77,84 % të PBB-së, më i ulët sesa pritshmëria fillestare prej rreth 80%.
Duhet të theksojmë për qytetarët se borxhi publik u rrit për herë të parë pas katër vitesh, për shkak të situatës së pandemisë dhe në linjë me Konferencën e Donatorëve për tërmetin e nëntorit 2019.
Të nderuar qytetarë ,
Viti i kaluar na përballi me recesionin më të egër që kemi hasur që prej vitit 1997 dhe sot ekonomia shqiptare rritet me 18 %, rritja është qartazi materializim i politikave ekonomike, sociale, fiskale të ndërmarra nga qeveria.
Buxheti i vitit 2022 i cili është depozituar në parlament është një pasqyrë e politikave të ndërmarra dhe prioriteteve të qeverisë me qëllim:
Të gjitha këto do të ndërmerren në optikën e rritjes së eficencës së mbledhjes së të ardhurave duke mundësuar rikthimin e parametrave fiskalë të qëndrueshëm duke e sjellë borxhin publik në trajektore rënëse dhe gjithashtu duke sjellë balancën primare në pozitive në vitin 2024 sipas rregullit fiskal të parashikuar në ligj.
Ju ftoj të gjithëve ta votoni buxhetin faktik për vitin 2020.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.