Postuar më: 05/11/2021

Ministrja Ibrahimaj: Bashkëqeverisja ka ndihmuar në zgjidhjen e problematikave të biznesit dhe qytetarëve

Platforma e Bashkëqeverisjes ka qenë një instrument që ka ndihmuar bizneset dhe qytetarët në zgjidhjen e problematikave të hasura gjatë marrjes së shërbimeve të ofruara nga institucionet publike.

Gjatë diskutimit në Parlament mbi projektligjin “Për Bashkëqeverisjen”, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shprehu mbështetjen për këtë nismë ligjore, duke theksuar, se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Platforma ka siguruar një dialog të përhershëm me komunitetin e sipërmarrjes.

Ministrja tha se Bashkëqeverisja ka shërbyer si një instrument për garantimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe përgjegjshmërisë së organeve administrative për çështjet e lidhura me fushën e veprimit të financave, ekonomisë dhe punës. Përmes saj i është dhënë mundësia 16,287 qytetarëve dhe rreth 1400 bizneseve të ngrenë shqetësimet dhe problematikat e hasura gjatë marrjes së shërbimeve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të saj të varësisë.

Me mjaft rëndësi, sipas Ministres Ibrahimaj, ka qenë dhe roli i Bashkëqeverisjes gjatë periudhës së pandemisë COVID 19, duke u kthyer në Platformën e qytetarëve për koordinimin e mbështetjes me paketat e qeverisë, sqarimet për qytetarët, qartësimet për bizneset për mbylljen apo lejimin e ushtrimit të aktivitetit.

Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj:

E nderuar znj. kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Më vjen mirë të jem para jush për të diskutuar mbi këtë projektligj kaq të rëndësishëm për qytetarët, i cili përmes dixhitalizimit të mëtejshëm synon të rrisë eficencën e shërbimeve të ofruara nga institucionet publike dhe t’u kursejë qytetarëve kohë dhe kosto për marrjen e këtyre shërbimeve

Në vitet e fundit, qytetarët shqiptarë kanë patur mundësinë të përdorin një dritare të vetme për ankesat, kërkesat dhe sugjerimet e tyre ndaj institucioneve publike.

Kjo dritare quhet dritarja e bashkëqeverisjes.

Objektivi ynë kryesor ka qenë rritja e cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike dhe e përgjegjshmërisë së nëpunësve publikë ndaj qytetarëve dhe të gjithë subjekteve të së drejtës.

Bashkëqeverisja në këto 4 vite ka bërë të mundur që ankesat dhe kërkesat e qytetarëve të adresohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivel institucionesh qendrore.

Ky mekanizëm ka krijuar mundësinë që e drejta trajtimin dhe përgjigjen të mos mohohej nga strukturat zbatuese apo zyrat kompetente për asnjë qytetar.

Shumë ka ndryshuar në raport me shërbimin ndaj qytetarëve; më parë strukturat në institucione, me mosveprimin e tyre dhe duke shkelur procedurat administrative, sillnin dëm moral dhe financiar për qytetarët dhe bizneset, duke krijuar sorollatje të stërzgjatura.

Është e rëndësishme të theksohet se nëpërmjet kësaj platforme u bë i mundur evidentimi i hallkave, të cilat në kundërshtim me procedurat administrative pengonin mbarëvajtjen e institucioneve dhe ushtrimin e të drejtave të qytetarëve.

Asgjë nuk ndodh brenda një viti.

Duke shërbyer si një instrument për garantimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe përgjegjshmërisë së organeve administrative për çështjet e lidhura me fushën e veprimit të financave, ekonomisë dhe punës, platforma:

  • I ka dhënë mundësi 16,287 qytetarëve dhe rreth 1400 bizneseve të ngrenë shqetësimet dhe problematikat e hasura gjatë marrjes së shërbimeve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të saj të varësisë;

Të nderuar,

Platforma e Bashkëqeverisjes dhe Revolucioni Digjital kanë sjellë rezultate të prekshme gjatë qeverisjes tonë, domosdoshmëria e të cilëve u dëshmua edhe më tej gjatë periudhës së pandemisë.

Nga viti 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë filloi 2 procese të rëndësishme:

  • Ndjekjen e posaçme të problematikave të bizneseve përmes koordinatorit të biznesit në Bashkëqeverisje;
  • Zbatimin e procesit të ri për aplikimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset nëpërmjet e-albania.

 

Në mënyrë që të zvogëlohen sa më shumë burokracitë e lidhura me shërbimet publike, tashmë në 2 vitet e fundit, u ndoq një proces rregullimi që synonte:

  • Reduktimin e numrit të dokumenteve shoqëruese që u kërkohen qytetarëve dhe bizneseve;
  • Ri-inxhinierimin e të gjithë procesit të sigurimit të tyre, në mënyrë që të zvogëlohen hapat e përpunimit, të dixhitalizohen proceset e brendshme duke ulur kështu burokracitë, kostot dhe kohën për qytetarët.

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet 11 institucioneve të varësisë, ofron online 474 shërbime. Më lejoni të ndalem tek institucionet me të cilat qytetarët dhe bizneset kanë ndër vepruar më së shumti për marrjen e shërbimeve:

ISSH ofron 56 shërbime online, duke arritur rreth 200 mijë aplikime vetëm në 10 mujorin e këtij viti.

Duke llogaritur një kohë mesatare prej 3 orësh që kërkohet për të shkuar pranë zyrave të sigurimeve shoqërore, radhët e pritjes dhe plotësimit të formularëve manualisht, janë kursyer mesatarisht 581.502 orë në kohën e qytetarëve.

Krahas kursimit të kohës për qytetarët, platforma ka mundësuar shmangien e kontaktit fizik me punonjësit e sigurimeve shoqërore, duke i shërbyer objektivit madhor të qeverisë për eliminimin e dukurisë të korrupsionit.

Nëpërmjet sistemit të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik brenda këtij viti janë marrë 32.859 dokumente që nevojiten për përfitimet nga vetë institucioni duke kursyer minimalisht 33 mijë ditë për qytetarët në rastin më të mirë, nëse këto dokumente merren brenda ditës, ose 66 mijë ditë nëse do ta llogarisim dy ditë marrjen e dokumenteve.

Një rëndësi të veçantë në Platformë i është dhënë shërbimeve të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ofron rreth 98 % të shërbimeve online.

Përmes procedurave më të lehta, të shpejta dhe të sigurta, tatimpaguesit kanë kursyer kohë dhe burime njerëzore, me rreth 213,000 orë të kursyera për afro 640,000 shërbime të kryera online në 2020.

Nëpërmjet dixhitalizimit, të gjitha deklaratat tatimore dorëzohen online, duke ulur ndjeshëm ndërveprimin tatime-individ dhe duke ulur ndjeshëm mundësinë për korrupsion.

Gjithashtu, qytetarët dhe bizneset kanë kursyer ndjeshëm kohën e marrjes së shërbimit edhe gjatë aplikimi të shërbimeve online nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, koha mesatare e kursyer nga operatorët dhe qytetarët varion nga 40% deri në 60%, sipas kategorive së shërbimeve të ofruara.

Kujtojmë që bizneset dhe qytetarët nuk paraqiten më pranë zyrave të autoritetit doganor për depozitim kërkesash apo dokumentesh, proces i cili merrte mesatarisht 2 ditë, një për hyrjen e një për daljen e shkresës. Për sa më sipër, koha mesatare e përpunimit të praktikave online është ndjeshëm më e ulët se ajo e parashikuar në legjislacionin doganor.

Në varësi të problematikave dhe kategorive të shërbimeve, koha mesatare e shqyrtimit të aplikimeve online zgjat 4-5 ditë, me përjashtim të rasteve specifike.

Nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes janë adresuar 1428 raste biznesi, nga këto 538 kanë marrë zgjidhje përfundimtare.

Vlen të theksojmë se vetëm gjatë vitit të pandemisë, në 2020, qytetarët kanë marrë shërbime pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi 992 mijë herë. Kujtoj se për të gjitha rastet e mundshme problematike për këto shërbime, çdo qytetar kishte mundësinë të përcillte ankesën pranë Platformës së bashkëqeverisjes.

Për të ndarë me publikun rolin e vazhdueshëm të kolegëve dhe strukturave të bashkëqeverisjes, rikujtojmë periudhën e shpërthimit të pandemisë, ku Platforma dëshmoi se ishte Platforma e Qytetarëve:

Koordinimi për mbështetjen me paketat e qeverisë, sqarimet për qytetarët, qartësimet për bizneset për mbylljen apo lejimin e ushtrimit të aktivitetit kanë qenë një aset për atë situatë të vështirë.

Së fundmi, më lejoni të kujtoj një shtyllë tjetër të rëndësishme të Platformës dhe të problematikave të biznesit, interpelancat, të cilat, ndryshe nga disa prej interpelancave që ndodhin këtu në Kuvend, që marrin ngjyrime politike, i kanë dhënë zgjidhje bizneseve për shqetësimet e tyre. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka realizuar shtatë interpelanca përgjatë gjithë funksionimit të Platformës së Bashkëqeverisjes.

Sipërmarrja është dëgjuar në interpelanca me strukturat më të larta drejtuese dhe janë fuqizuar bizneset, pasi janë marrë masa në përputhje me propozimet konkrete që kanë ardhur në këto interpelanca.

Do të më lejoni të veçoj dy interpelanca, ku kam pasur kënaqësinë dhe mundësinë të jem pjesë e zgjidhjes:

  1. Bashkëpunimi dhe përpjekja me biznesin për çështje të informaliteit në ekonomi;
  2. Përmirësimi i shërbimeve dhe procedurave për rimbursimin e TVSH-së.

Të nderuar,

Platforma, e kombinuar me punën e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen, ka siguruar një dialog të përhershëm me komunitetin e sipërmarrjes, vendas dhe të huaj, si dhe me ekspertizë të spikatur të huaj dhe vendase.

Me projektligjin e propozuar, me qëllimin për të vijuar punën e mirë të bërë deri më sot, më lejoni të shpreh bindjen time se ky mekanizëm gjithëpërfshirës i vendimmarrjes së përbashkët me publikun, qytetarë dhe bizneseve, duhet miratuar.

Faleminderit,