Postuar më: 05/11/2021

Shqipëri-Izrael, ratifikohet Konventa për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhura

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për ratifikimin e Konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhura”.

Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se Konventa hedh bazat për një bashkëpunim më intensiv ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo izraelitë.

Parashikimet e kësaj konvente kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dy vendeve. Në fokus janë aktivitetet e biznesit apo të ardhura të tjera nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të dy shteteve, duke përfshirë një sërë taksash me interes të gjerë si tatimin mbi të ardhurat e shoqërive, tatimin mbi të ardhurat personale, atë mbi të ardhurat të kapitalit, mbi aktivitetet e biznesit të vogël; të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licenca; të ardhurat nga pronësia intelektuale – të drejtat e autorit apo tatimet nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”, tha Ibrahimaj.

 

Ministrja theksoi më tej edhe përfitimet nga përfshirja e këtyre tatimeve në këtë Konventë, si:

  • Ulja e mundësive të shmangies së tatimit nga evazorët për të gjithë kuadrin fiskal në të dy vendet;
  • Rregullimi i kësaj të drejte pa rënduar pa të drejtë qytetarët apo subjektet juridike me tatim të dyfishtë;
  • Lehtësimi i komunikimit institucional mes autoriteteve fiskale të vendeve dhe bëjmë të mundur shkëmbimin e informacionit;
  • Rritja e bashkëpunimit për parandalimin e evazionit fiskal për subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet.

 

Sipas Ibrahimaj, qëllimi afatgjatë i qeverisë është krijimi dhe zbatimi i një kuadri të plotë ligjor, i cili respekton në mënyrë rigoroze funksionimin e sistemeve tatimore dhe që bën të mundur përpjekjet e Qeverisë Shqiptare kundër evazionit fiskal.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

E Nderuar znj. kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

 

Në vitet e fundit Shqipëria ka marrë një sërë angazhimesh në kuadër të mbështetjes për investitorët e huaj, por mbi të gjitha në kuadër të punës së përbashkët me partnerët ndërkombëtarë kundër evazionit fiskal.

Në përputhje me angazhimet e deklaruara Shqipëria ka aderuar edhe në Kuadrin Gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS), prej vitit 2019, duke siguruar një instrument të rëndësishëm:

  • për të adresuar shmangien e taksave dhe
  • për të siguruar që fitimet të tatohen aty ku kryhen aktivitetet ekonomike, që gjenerojnë fitimet dhe aty ku krijohet vlera.

 

Administrata Tatimore tashmë zbaton Shkëmbimin Automatik të Informacionit, për të mundësuar:

  • parandalimin e evazionit fiskal, mosdeklarimit dhe mostaksimit të të ardhurave,
  • trajtimin e mashtrimit fiskal, por edhe parandalimin e pastrimit të parave.

 

Qeveria Shqiptare ka intensifikuar luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe ka krijuar një kuadër të plotë ligjor për monitorimin e aktivitetit të dyshimtë ekonomik.

Në marrëdhënie të drejtpërdrejtë bilaterale, prej vitit 2013 Qeveria Shqiptare ka ratifikuar dhe rishikuar 7 marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë.

Në kushtet e rritjes së aktiviteteve të biznesit të shoqërive shumëkombëshe dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe parave, këto marrëveshje po fitojnë një rëndësi të veçantë.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë se marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal përbëjnë një faktor kyç në nxitjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare ndërmjet shteteve.

Projektligji që ju paraqitet për miratim sot lidhet me Konventën ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat,

  • projektligj i mbështetur në nenet 78 dhe 83, pika 1 dhe 121, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

 

Kjo Konventë është firmosur në muajin Maj të këtij viti në Tel Aviv,

  • duke hedhur bazat për një bashkëpunim më intensiv ekonomik dhe tregtar me partnerët tanë izraelitë dhe
  • duke krijuar një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo izraelitë.

 

Të nderuar qytetarë,

 

Në rastet kur ju, një familjar i juaji apo një kompani/person juridik zhvillon aktivitet ekonomik në Shqipëri dhe Izrael, apo është rezident i njerit shtet ndërkohë që siguron të ardhura në një shtet tjetër, ekziston mundësia që të tatohet dy herë për të njejtën të ardhur.

Përmes kësaj Konvente, që propozohet për ratifikim, Qeveria Shqiptare siguron kuadrin e plotë funksional që ky fenomen të mos ndodhë.

Parashikimet e kësaj konvente kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dy vendeve.

Në fokus janë aktivitetet e biznesit apo të ardhura të tjera nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të dy shteteve, duke përfshirë një sërë taksash me interes të gjerë si:

  • tatimin mbi të ardhurat e shoqërive, tatimin mbi të ardhurat personale, atë mbi të ardhurat të kapitalit, mbi aktivitetet e biznesit të vogël,
  • të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licenca (të ardhurat nga pronësia intelektuale – të drejtat e autorit, tatimet nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme etj.

 

Me përfshirjen e këtyre tatimeve në këtë Konventë ne:

  • Ulim mundësitë e shmangies së tatimit nga evazorët për të gjithë kuadrin fiskal në të dy vendet;
  • Rregullojmë këtë të drejtë pa rënduar pa të drejtë qytëtarët apo subjektet juridike me tatim të dyfishtë;
  • Lehtësojmë komunikimet institucionale mes autoriteteve fiskale të vendeve dhe bëjmë të mundur shkëmbimin e informacionit;
  • Rrisim bashkëpunimin për parandalimin e evazionit fiskal për subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet.

 

Të nderuar deputetë,

 

Qëllimi ynë afatgjatë është krijimi dhe zbatimi i një kuadri të plotë ligjor në këtë fushë; një kuadër ligjor që respekton në mënyrë rigoroze funksionimin e sistemeve tatimore dhe që bën të mundur përpjekjet e Qeverisë Shqiptare kundër evazionit fiskal.

Izraeli është vendi i 43-të me të cilin Shqipëria nënshkruan një marrëveshje të tillë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vijojë angazhimin për të negociuar marrëveshje të taksimit të dyfishtë me një listë më të zgjeruar të vendeve partnere.

Ndaj të nderuar, duke vlerësuar rëndësinë e qasjes kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, ju ftoj të miratojmë këtë projektligj, duke ratifikuar Konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

 

Ju faleminderit.