Komisioni Evropian, në emër të Bashkimit Europian, ka lëvruar pagesën prej 90 milionë euro ndihmë makro-financiare (NMF) për Shqipërinë, për të ndihmuar në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë COVID 19.
Kjo shumë është pjesë e programit të mbështetjes prej 180 milionë euro të BE për Shqipërinë, ku pagesa e parë prej 90 milionë euro është kryer në mars 2021. Gjithashtu, ky program është pjesë e paketës NMF të emergjencës prej 3 miliardë euro, të BE, për partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë, e cila synon t’i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19.
Në kuadër të lëvrimit të kësaj ndihme makro-financiare për vendin tonë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pati një takim me Ambasadorin e Bashkimit në Europian, Luigi Soreca.
Në emër të qeverisë shqiptare, Ministrja Ibrahimaj falënderoi Bashkimin Europian dhe Komisionin Europian për ndihmën makro-ekonomike financiare të dhënë për vendin tonë deri më tani, duke theksuar se kjo ndihmë ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë për përballimin e një periudhe të vështirë financiare dhe ekonomike.
Në mënyrë të veçantë, Ministrja falënderoi Komisionerin Gentiloni dhe Komisionin Europian për çeljen e rrugës për këtë mbështetje financiare, si dhe stafin e delegacionit të BE në Tiranë, për të gjithë kontributin e dhënë në finalizimin e këtij procesi.
Nga ana e tij, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, shprehu përgëzimet për vendin tonë për përmbushjen me sukses të kushteve për Asistencën Makro-Financiare të BE-së dhe theksoi se inkurajon Shqipërinë të ruajë besueshmërinë dhe llogaridhënien e saj ndaj institucioneve të BE-së dhe të çojë përpara zbatimin e reformave që janë thelbësore për qytetarët shqiptarë.
Lëvrimi i pagesës prej 90 milionë euro u përshëndet edhe nga Komisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni, i cili u shpreh se: “Jam shumë i kënaqur që shoh këto fonde të shkojnë sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur agjendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Evropian.”
Vlen të theksohet fakti se Shqipëria ka përmbushur kushtet e politikës të vendosura me BE-në për dhënien e pagesës së dytë dhe të fundit prej 90 milionë eurosh në kuadër të programit NMF COVID-19. Këtu përfshihen masa të rëndësishme për forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe rritjen e mbrojtjes sociale. Gjithashtu, Shqipëria vazhdon të përmbushë parakushtet për dhënien e NMF-së për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe mekanizmave efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak dhe shtetin e së drejtës.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.