Postuar më: 02/12/2021

Ibrahimaj në Kuvend: Ndryshimet ligjore fuqizojnë mekanizmin parandalues në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”.

Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja u shpreh se qëllimi madhor i ndryshimeve të propozuara është fuqizimi i mekanizmit parandalues në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke kontribuar në fushën e  sigurisë kombëtare dhe globale dhe në përmbushjen e detyrimeve tona në procesin e integrimit Evropian.

Ministrja theksoi se forcimi i luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe korrupsionit është një ndër angazhimet më kryesore të qeverisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Në këtë kuadër, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë raporton në nivel global te Task Forca e veprimtarisë Financiare /FATF dhe si rrjedhojë ndjek zbatimin e politikave dhe planit të dakordësuar në Tetor të vitit 2018, pjesë e planit të përbashkët kundër terrorizmit midis BE dhe vendeve të Ballkan Perëndimor.  Gjithashtu, në nivel rajonal,  MFE raporton në Komitetin e ekspertëve për mbikëqyrjen financiare, mbi adresimin e  rekomandimeve të Moneyval dhe grupit të posaçëm të veprimit financiar.

Sipas Ministres, pikërisht për të qenë në një linjë me rekomandimet e këtyre organizmave dhe me standardet ndërkombëtare, është ndërmarrë nisma ligjore e rishikimit të ligjit organik të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke harmonizuar dispozitat e tij në përputhje me Direktivën e ndryshuar të BE “Mbi parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se, gjatë vitit të kaluar, qeveria shqiptare u angazhua në zbatimin e planit të veprimit të dakordësuar me FATF dhe adresoi të gjitha çështjet që konsideroheshin si decizive për daljen e Shqipërisë nga lista gri.

Ndër të tjera, Ministrja përmendi edhe projektin e fiskalizimit, i cili jo vetëm do t’i shërbejë qëllimeve kryesore të tij, si rritjes së mbledhjes së të ardhurave, reduktimit të informalitetit dhe rritjes së eficiencës së administratës tatimore, por dhe gjurmimit në kohë reale të çdo subjekti, individi apo ojf-je të përfshirë në veprat penale të lidhura me evazionin apo pastrimin e parave duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në rajon të pajisur me infrastrukturën e nevojshme në këtë drejtim dhe duke shërbyer si  një kartë jeshile në përmbushjen e rekomandimit përkatës për daljen nga Lista gri.

“Open Data është strategjia politike ku mund të veprohet për të luftuar korrupsionin dhe pastrimin e parave dhe ne e kemi bërë këtë duke filluar me regjistrin e pronarëve përfitues, Databazën e PEP, apo me databazën e kompanive offshore etj. Absolutisht që përpjekjet tona janë të shumta dhe përparimet gjithashtu. Synimi ynë është që të integrohemi në Bashkimin Europian duke i përmbushur të gjitha standardet. E them këtë me bindjen të plotë se kurrë më parë nuk kemi patur kaq intensifikim të punës tonë në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave”, u shpreh Ministrja.

Me miratimin e projektligjit, sipas Ibrahimaj, nuk do t’i hapet vetëm drita jeshile Shqipërisë për daljen nga statusi nën monitorim të shtuar, por do të  bëhet një hap më shumë në harmonizimin e politikave dhe ligjeve në përputhje me standardet e BE, si e vetmja rrugë e përbashkët në integrim, prosperitet, siguri kombëtare dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

 

Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj:

E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Ky muaj intensiv i punës për prezantimin e buxhetit 2022 në Kuvend, nuk ka lënë jashtë vëmendjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe qeverisë shqiptare një angazhim ndër më kryesorët ,

atë të forcimit të luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit  dhe korrupsionit.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë raporton në nivel global te Task Forca e veprimtarisë Financiare /FATF dhe si rrjedhojë ndjek zbatimin e politikave dhe planit të dakordësuar në Tetor të vitit 2018, pjesë e planit të përbashkët kundër terrorizmit midis BE dhe vendeve të Ballkan Perëndimor.

Nga ana tjetër, në nivel rajonal,  MFE raporton në Komitetin e ekspertëve për mbikëqyrjen financiare, mbi adresimin e  rekomandimeve të Moneyval dhe grupit të posaçëm të veprimit financiar.

Pikërisht për të qenë në një linjë me rekomandimet e këtyre organizmave dhe me standardet ndërkombëtare, kemi ndërmarrë nismën ligjore të rishikimit të ligjit organik të Drejtorisë së Parandalimit te Pastrimit të Parave duke harmonizuar dispozitat e tij në përputhje me Direktivën e ndryshuar të BE “Mbi parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Një angazhim ky i premtuar dhe i mbajtur për t’u përmbushur brenda këtij viti!

Qëllimi madhor i ndryshimeve të sjella përmes këtij projekt – akti është fuqizimi i mekanizmit PARANDALUES në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke kontribuar në fushën e  sigurisë kombëtare dhe globale nga njëra anë dhe në përmbushjen e detyrimeve tona në procesin e integrimit Evropian.

Ky ligj sjell me ndryshimet e tij sjell:

rishikimin e kategorizimit të subjekteve raportuese,  duke bërë qartësime të nevojshme të cilat në ligjin aktual lenë vend për ambiguitet si për kategorinë e subjekteve të ekspozuar politikisht edhe për familjarë të tyre apo dhe duke rikategorizuar veçmas audituesit, kontabilistët e miratuar dhe këshilltarët tatimorë, si subjekte raportuese.

përfshirjen e kategorive të reja raportuese si: shitësit e veprave të artit, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme që kryejnë transaksione mbi 500.000 lek në raste dhënie me qira, si dhe përfshirjen si subjekt raportues të çdo individi, person fizik apo juridik që tregtojnë mallra mbi 1.000.000 lek etj.

-Për herë të parë kemi parashikimin në këtë projektligj të një procedure të qartë të vigjilencës së zgjeruar për vendosjen e marrëdhënieve të biznesit apo transaksioneve me vendet me risk të lartë.

– Për herë të parë, përcaktojmë në këtë ligj detyrimet edhe për ofruesit e shërbimeve virtuale, si dhe parashikimi i detyrimit për t’ju përgjigjur kërkesave të DPPPP, detyrim i cili nuk ka qenë më përpara për këtë kategori subjektesh.

– Në përgjigje të rekomandimeve të Moneyval dhe të FATF, ky ligj rishikon sanksionet administrative si për personat fizikë dhe ato juridikë, nisur nga fakti se sanksionet aktuale janë të ulëta dhe jo proporcionale.

– Janë ndryshuar afatet e ruajtjes së të dhënave pas përfundimit të marrëdhënies midis biznesit dhe klientit të cilat variojnë nga 5 vjet deri në 40 vjet, duke iu përshtatur procedurave të parashikuara në Kodin Penal.

Të nderuar deputetë,

Më lejoni të theksoj se prej hyrjes së Shqipërisë në listën gri, në muajin Shkurt të vitit të kaluar, pavarësisht gjithë vështirësive të shkaktuara nga pandemia “Covid–19”,  Qeveria Shqiptare ndërmori menjëherë një angazhim të nivelit të lartë politik për zbatimin e planit të veprimit të dakordësuar me FATF.

Që prej atij momenti, ne kemi adresuar të gjitha çështjet të cilat konsideroheshin si decizive për daljen nga lista gri.

  1. Tashmë kemi një kuadër të plotë ligjor dhe funksionim të plotë të regjistrave për deklarimin e pronarëve përfitues si dhe të regjistrit të centralizuar të llogarive bankare, të cilat janë ndër mjetet më efektive që institucionet ligj zbatuese duhet të përdorin të dhënat për të gjurmuar veprat penale në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
  2. Kemi miratuar ligjin për organizatat jofitimprurëse, i cili do të jetë një mekanizëm më shumë për transparencën e të dhënave në këtë sektor dhe për ndjekjen e veprimtarive të organizatave që mund të jenë të përfshira në aktivitete kriminale.
  3. Është në funksion të plotë ligji dhe projekti i fiskalizimit, i cili jo vetëm do t’i shërbejë qëllimeve kryesore të tij, si rritjes së mbledhjes së të ardhurave, reduktimit të informalitetit dhe rritjes së eficiencës së administratës tatimore, por dhe gjurmimit në kohë reale të çdo subjekti, individi apo ojf-je të përfshirë në veprat penale të lidhura me evazionin apo pastrimin e parave duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në rajon të pajisur me infrastrukturën e nevojshme në këtë drejtim dhe duke shërbyer si një kartë jeshile në përmbushjen e rekomandimit përkatës për daljen nga Lista gri.
  4. Kemi rritur numrin e dënimeve penale për veprat penale të pastrimit të parave si dhe rritur numrin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve në lidhje me këto vepra penale, ku theksi i veçantë është vazhdimi i reformës në Drejtësi.
  5. Të pajisur me të gjithë instrumentet e duhur dhe në kuadër të planit të veprimit ICRG/ FATF, kemi kryer analiza risku, sektoriale dhe të produkteve specifike për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke u përqendruar në: rrezikun e keqpërdorimit të personave juridikë; ai i pastrimit të parave në sektorin e pronave të paluajtshme; për agjentët e pasurive të paluajtshme; për avokatët; për kontabilistët/auditorët; analiza e rrezikut/riskut të aseteve virtuale dhe ofruesve të shërbimeve të aseteve virtuale për pastrim parash dhe financim terrorizmi.

 

  1. Tashmë bashkëpunimi me institucionet mbikëqyrëse nëpërmjet inspektimeve të përbashkëta, duke përfshirë noterët, avokatët, audituesit ligjor apo institucionet financiare, është në një nivel më të lartë.
  2. Kemi rritur bashkëpunimin me organet e akuzës dhe korrupsionit si SPAK, Prokurori, Shërbimin Informativ Shtetëror, etj.
  3. Po punojmë për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të detyrimeve që rrjedhin nga ligji kombëtar por dhe detyrimet ndërkombëtare.
  4. Po punohet në fushën e licencimit të profesioneve të lira si noterët, avokatët, agjentët e pasurive të paluajtshme apo audituesit dhe kontabilistët, për të cilët është kërkuar që subjektet mbikëqyrëse të kryejnë një proces të mirëfilltë shqyrtimi “vettingu të tyre” me qëllim parandalimin e çdo të licencuari me historik kriminal për të ushtruar një nga këto profesione të lira.

 

Të nderuar deputetë,

Jam e vetëdijshme se kemi ende shumë punë për të bërë, por më lejoni të them se ndryshime të tilla siç janë hyrja dhe dalja nga lista GRI, pra nën monitorim të shtuar, nuk vijnë gjithmonë si pasojë e vendit që vlerësohet por edhe për shkaqe që lidhen me metodologjinë e përdorur nga këto organizma.

Vlerësimi i organizmave ndërkombëtarë është një vlerësim sa teknik aq edhe i nivelit të zbatimit të politikave.  Shqipëria ka hyrë në listën gri në vitin 2012 e më pas 2015 në listën gri dhe tashmë sërish në vitin 2020.

Është e rëndësishme të analizojmë arsyet dhe shkaqet e hyrjes dhe daljes nga lista Gri, dhe mbi të gjitha reagimet e Qeverisë në drejtim të përmirësimit së eficiencës në luftën për parandalimin e pastrimit të parave.

Në vitin 2012 Shqipëria kishte mungesë të theksuar strategjike në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke u vlerësuar nga FATF si një vend me mungesë dhe deficence në legjislacion dhe implementimin e proceseve të identifikimit, gjurmimit dhe sekuestrimit të aseteve kriminale, si dhe mungesë në legjislacion për financimin e terrorizmit.

Në 2020 jemi vlerësuar për mungesë efektiviteti të masave të marra.

E si mund të ishte ndryshe, për të arritur një reformë fillimisht duhet të hartohet e gjithë baza ligjore, duhet të forcohen institucionet e vetëm më pas të flitet për eficiencë dhe efektivitet të tyre.  Reforma në drejtësi nuk ishte e lehtë, por u zbatua.

Nuk duhet të harrojmë që përfshirja në listën gri është një proces që e kalojnë shumë shtete. Në rajon, deri në vitin 2019, Serbia ka qenë në listën gri. Gjithashtu, në vitin 2020, së bashku me Shqipërinë, në listën gri ishte edhe Islanda, dhe aktualisht është Malta dhe Turqia.

Open Data është strategjia politike ku mund të veprohet për të luftuar korrupsionin dhe pastrimin e parave dhe ne e kemi bërë këtë duke filluar me regjistrin e pronarëve përfitues, Databazën e PEP, apo me databazën e kompanive offshore etj.

Absolutisht që përpjekjet tona janë të shumta dhe përparimet gjithashtu. Synimi ynë është që të integrohemi në Bashkimin Europian duke i përmbushur të gjitha standardet.

E them këtë me bindjen të plotë se kurrë më parë nuk kemi patur kaq intensifikim të punës tonë në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Lufta kundër korrupsionit dhe rryshfetit është një sfidë e të gjithë ne, dhe dukshëm nuk mund të lexohet vetëm përmes indeksesh të cilat kanë burime të ndryshme informacioni apo dhe metodologjie matjeje, por mund të lexohet në përpjekjet tona karshi këtyre fenomeneve.

Tashmë flasim për një Rrjet antikorrupsioni ku çdo agjenci ka një koordinator korrupsioni.

Flasim për një transparencë publike dhe shërbime dixhitale të cilat në masën 90% kanë minimizuar kontaktet fizike,

Flasim për një sistem denoncimi të korrupsionit dhe për institucione të cilat investigojnë atë dhe për prokurori speciale që merret me këto raste.

Tashmë kur vigjilenca është shtuar dhe barrierat në çdo nivel janë forcuar, nuk mund të flasim për nivel korrupsioni të lartë bazuar në perceptime.

Por siç thotë dhe një eksperte e nivelit të lartë të fushës antikorrupsion, sa më e lartë të jetë përpjekja për marrjen e masave kundër korrupsionit aq më i lartë është perceptimi për ekzistencën e tij.

Të nderuar deputetë,

Prezantimi i këtij ligji sensitiv ka sjellë mjaft diskutime në Komisione për shkak të rëndësisë dhe objektit që ai ka në fokus, por më lejoni të theksoj se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për të realizuar atë ç’ka të gjithë ju të nderuar deputetë por edhe mua më shqetëson, daljen e  Shqipërisë nga listën gri.

Sot, më shumë se një vit pas hyrjes së Shqipërisë në Listën gri, kemi marrë të gjitha masat për të pasur 3 elementët bazë për luftën kundër pastrimit të parave:

bazën ligjore, burimet njerëzore nëpërmjet nëpunësve civil të trajnuar që punojnë në institucione të forta, pajisjen me sisteme e databaza të ndërthurura jo vetëm me sistemet në vend por dhe ato ndërkombëtare.

Me miratimin e këtij projektligji nuk do t’i hapim dritën jeshile Shqipërisë për daljen nga statusi nën monitorim të shtuar por më shumë se kaq, do të bëjmë një hap më shumë në harmonizimin e politikave dhe ligjeve në përputhje me standardet e BE, si e vetmja rrugë e përbashkët në integrim, prosperitet, siguri kombëtare dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Ndaj ju ftoj të gjithëve ta votoni atë.

Faleminderit.