Postuar më: 19/03/2022

Paketa e Rezistencës Sociale, mbështetja për fermerët për naftën pa taksa 1.45 miliardë lekë

Qeveria do të bëjë gjithçka është e mundur për të mbështetur ata që kanë më tepër nevojë për mbështetje, duke përfshirë edhe fermerët.

Ky ishte premtimi që bëri Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me fermerë në Durrës, ku i shoqëruar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe  Ministrja e Bujqësisë dhe Ushqimit, Frida Krifca, prezantuan Paketën e Rezistencës Sociale të miratuar nga qeveria.

Rama tha, se mbështetja për fermerët për naftën pa taksa është 500 milionë lekë duke e çuar në total 1.45 miliardë lekë fondin në këtë skemë, por megjithëse është dyfishuar sipërfaqja e tokës së punuar sërish mbetet shumë për tu bërë. Ai vlerësoi, se bashkimi i fermerëve është një nga instrumentet që do të çojë në më shumë prodhim vendas jo vetëm në tregjet shqiptare,  por edhe në ato të huajat.

“Në këtë sfidë të madhe që na ra do të bëjmë gjithçka mundemi të mbështesim ata që kanë nevojë për mbështetje dhe këtu hyjnë edhe fermerët dhe na duhet të llogarisim mirë hapat sepse nuk e dimë se sa zgjat, tha Rama, duke shtuar, se kemi ende një sfidë të madhe të hapur që është sfida e mentalitetit që në shumë zona pengon që të shkohet para”.

“E mentalitetit në kuptimin e të qenurit të ndarë, secili për vete. Në bujqësi nuk mund të shkohet larg duke menduar secili për vete, por vetëm duke bashkuar forcat, jo si më parë bashkim me detyrim, por një bashkim me vullnet të lire,  ku të gjithë bashkë koordinojnë forcat për atë se çfarë do të mbillet si do të trajtohet dhe të shesin së bashku. Pra të ndarë në prodhim dhe të bashkuar në shitje është sekreti i suksesit. Aty ku kemi shumë ndarje ndeshemi me fenomenin e hedhjes së prodhimit, sepse janë sasira të vogla dhe bëhet e pamundur për ti shitur”, tha Rama.

Kryeministri foli me shifra teksa tha,  se synohet që në fund të mandatit eksportet bujqësore të shkojnë në 1 miliard lekë,  nga 125 milionë lekë që ishin 7-8 vite më parë.

Ndërsa Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi, se qeveria do të vijojë me paketa të tjera mbështetëse në varësi të ecurisë së situatës.

“Është një periudhë e karakterizuar nga fjala rezistencë dhe prek të gjithë aktorët. Është dita për solidaritet dhe prioritizim, por mbi të gjitha për gjakftohtësi në vendimmarrje. Kemi përgatitur një paketë. Kemi vendosur të mbështesim fermerët me karburant, ashtu si dhe transportin publik”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ministrja tha,  se nga ana tjetër kemi kërkuar solidaritet nga një pjesë tjetër e biznesit, të cilët preken nga rritja e çmimit të karburantit, por që mund ta përballojnë.

“Logjika e paketës së soloidaritet që ne kemi bërë është që kush fiton më shumë paguan më shumë dhe , sipas saj,  rritja e çmimit të energjisë elektrike prek të gjitha kategoritë, individët, biznesin dhe buxhetin.

“Por ne kemi vendosur të mos e çojmë të gjithë koston të plotë të energjisë te familjet dhe biznesi i vogël. Ne na duhet të importojmë dhe çmimi që vjen në faturën e secilit është tre herë më i ulët së sa ai që ne paguajmë”, tha ministrja.

Ajo shpjegoi edhe lehtësitë fiskale që aplikohen për fermerët.

“Për fermerët ne kemi një sistem totalisht të përjashtuar nga taksat, jo vetëm taksat standarde, tvsh e tatimfitimi, që është edhe për biznesin e vogël ndryshe nga e gjithë Evropa, por fermerët kanë një kosto më të ulët dhe për sigurimet shoqërore. Pjesa më e madhe e pensioneve të fermerëve subvencionohet nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër fermerët janë të përjashtuar nga taksa e tokës bujqësore. Një fermer në të gjitha vendet e botës do të kishte këtë taksë. Ndërsa pjesa më e madhe e fermerëve nuk paguajnë taksë të ujitjes”, tha ministrja.

Ibrahimaj vuri në dukej se në Paketën e Rezistencës Sociale parashikohet edhe subvencioni me 3 mijë lekë për pensionet e ulëta dhe përfituesit më të shumtë janë në fshat, pasi këtu janë edhe pensionet më të ulëta.

Ajo informoi, se do të ketë indeksim të pensioneve dhe se masa do të jetë në nivelin e inflacionit të muajit shkurt dhe jo sipas rregullit bazë që është mesatarja e vitit paraardhës.

Ministrja bëri të ditur,  se tregtarët dhe farmacitë bujqësore do të ulen në tavolinë me qeverinë për të parë se çfarë marzhesh fitimi do të aplikojnë, në mënyrë që të mos shkojë kosto e pasigurisë te fermeri.

“Ne kemi rënë dakord që risqet e pasigurisë për të ardhmen të mos transferohen direkt te fermerët dhe qytetarët”, deklaroi ministrja.