Postuar më: 30/03/2022

Qeveria vendos indeksimin e pensioneve me 3.3 %, përfitojnë të gjitha kategoritë e pensionistëve

Të gjitha kategoritë e pensionistëve në vend do të përfitojnë indeksimin e pensionit në  masën 3.3 për qind.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të radhës projektvendimin e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Për indeksimin e pensioneve dhe të bazës së vlerësuar”.

Në komunikimin me mediat dhe publikun pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj informoi se efekti në buxhet i indeksimit të pensioneve do të jetë 3.3 miliardë lekë.

Ministrja sqaroi qeveria do të indeksojë pensionet në masën 3.3 %, ndryshe nga parashikimi fillestar në buxhetin e shtetit për indeksimin e pensioneve rreth 2.4 %, për shkak të rritjes së çmimeve së vërejtur në vend në dy muajt e parë të vitit.

“Parashikimi fillestar për indeksimin e pensioneve në buxhetin e shtetit ka qenë për një vlerë të përafërt me 2.4 %, pasi ky është inflacioni mesatar dhe në bazë të ligjit është inflacioni mesatar i 12 mujorit të vitit 2021, i cili shërben si indeks për indeksimin e pensioneve. Ne këtë vit morëm një vendim ndryshe nisur nga rritja e çmimeve në dy muajt e fundit, janar dhe shkurt. Ne vendosëm që për shportën e pensionistëve të bëjmë një rritje me 3.3 %, që i përket mesatares së 12 mujorit shkurt 2022- shkurt 2021”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Ministrja theksoi se indeksim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve: pensionet e plota apo pensionet e pjesshme, pensionet e invaliditetit, pensionet në qytet apo në fshat, pensionet që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj, si dhe do të indeksohet me 3.3 % jo vetëm pensioni por edhe shtesa mbi pensionin.

Indeksimi i pensioneve në masën 3.3 % është pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit për vitin 2022, të cilin qeveria po e ndryshon përmes një Akti Normativ pikërisht për të përballuar pasojat që po shkakton lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe hidrokarbureve,

Në bazë të vendimit të miratuar, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 prill 2022, indeksimin do ta përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri në datën e hyrjes në fuqi të tij.

Efekti financiar për zbatimin e këtij vendimi përllogaritet në shumën 3.3 miliardë lekë dhe ndahet: 3 267 milionë (tre miliard e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë milion) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve dhe ; 33 milionë (tridhjetë e tre milion) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare sh.a dhe Bankat e Nivelit të Dytë.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.