Zhvillimi i mëtejshëm i arsimit dhe formimit profesional mbetet një ndër objektivat dhe prioritetet kryesore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Prej vitesh tashmë, Qeveria Shqiptare e ka vendosur Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) në qendër të përpjekjeve të saj për të krijuar shanse për një punësim të denjë dhe të qëndrueshëm dhe për t’i pajisur të rinjtë dhe të rriturit me aftësitë e nevojshme për t’i bërë ballë kërkesave që vijnë nga tregu i punës.
Konferenca Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional 2022 mblodhi së bashku aktorët kryesorë të fushës, për të diskutuar rresh arritjeve dhe sfidave për të ardhmen.
Pjesëmarrësit nga qeveria, sektori privat, shoqëria civile dhe projektet për zhvillim prezantuan zhvillimet më të fundit dhe ndanë përvoja praktike lidhur me zbatimin e ndërhyrjeve në sistemin e AFP-së në Shqipëri.
E pranishme në konferencë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shprehu angazhimin për të vazhduar përmirësimin e politikave në fushën e arsimit dhe formimit profesional, të cilat në themel të tyre i dedikohen të rinjve, aftësimit dhe përgatitjes së tyre në tregun e punës.
Ministrja theksoi faktin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të hartojë Strategjinë e Aftësimit dhe Formimit Profesional 2030, bazuar edhe në sugjerimet e studentëve të arsimit profesional dhe biznesit, të cilat përfshijnë rritjen e punësimit, rritjen e numrit të shkollave, përmirësimin e cilësisë së ambienteve të punës, por mbi të gjithë përshtatjen me nevojat e biznesit.
Ibrahimaj vlerësoi arritjet e deritanishme në fushën e arsimit dhe formimit profesional dhe u shpreh se duhet t’i kushtohet vëmendje përmirësimit në kurset e formimit profesional dhe ofrimin e atyre punëve që më së shumti ofron tregu i punës. Njohja e nevojave të tregut, theksoi Ministrja, do të orientojë në çeljen e shkollave të reja, në hapjen e kurseve të reja dhe ofrimin e atyre kurseve profesionale që ka më shumë nevojë.
“Sot Shqipëria ka projekte investimi të mëdha, po investohet në hapjen e marinave, po investohet në hapjen e aeroporteve të reja, në industri që kanë qenë të pa zhvilluara, por mbi të gjitha kemi një Shqipëri që ka një axhendë të orientuar drejt dixhitalizimit apo turizmit. Të gjithë këto janë fusha që do të jenë në vëmendjen tonë me qëllim që formimi dhe aftësimi profesional të arrijë të ofrojë atë që kërkon tregu, me qëllim që studentët e arsimit profesional të dalin në tregun e punës me rroga të barabarta dhe pse jo më të larta se ato që merren nga të punësuarit që dalin nga universitetet, sepse janë teknikët ata që sot paguhen më shumë se çdo njeri tjetër. Ky është vizioni ynë”, vijoi Ministrja.
Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître, tha se një fuqi punëtore e kualifikuar mbetet kyç për të krijuar më shumë vende pune dhe vende pune më të mira.
“Të rinjtë në Shqipëri duhet të përgatiten që tani për profesionet e së ardhmes. E ardhmja e punës ka të bëjë me aftësitë, dhe për këtë arsye ripërshtatja e arsimit është thelbësore”, u shpreh Ambasadori Maître.
Nga ana e saj, Monica Merino, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, nënvizoi: “Përmes partneritetit tonë afatgjatë me qeverinë e Zvicrës, mbështetja jonë ka ndihmuar në adresimin e prioriteteve strategjike të qeverisë në përputhje me agjendën e anëtarësimit në BE. Jemi në një moment kritik të zhvillimit. Qeveria e Shqipërisë mund të mbështetet tek PNUD për të ndërtuar një sistem inovativ dhe të qëndrueshëm të Arsimit dhe Formimit Profesional. Synimi ynë është të pajisim brezin e ri të Shqipërisë me aftësitë e nevojshme për një të ardhme gjithëpërfshirëse, të gjelbër dhe digjitale. ”
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
I nderuar, zoti Maître (Ambasador i Zvicrës në Shqipëri),
zoti Perr (Përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Tiranë),
zonja Merino (Përfaqësuese e Përhershme e UNDP në Shqipëri),
Të nderuar pjesëmarrës,
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë të shumëpritur për arsimin dhe edukimin profesional.
Ne jemi të angazhuar të vazhdojmë të përmirësojmë politikat në këtë fushë dhe kush më mirë se prezantimi që sapo bëri Viktoria, për rezultatet e turneut të përvojave, mund të na ndihmojë për të pasur një vizion të qartë për atë që ne duhet të bëjmë, pasi e gjithë kjo politikë i dedikohet të rinjve, aftësimit dhe përgatitjes së tyre ndaj tregut të punës. Viktoria në fund të fjalës së saj tha se, si rezultat i vrojtimit të turnet të përvojave, shumica e studentëve donin që të rritej punësimi për studentët e arsimit profesional, të rritej numri i shkollave, cilësia e ambienteve të punës dhe mbi të gjitha të rritej përshtatja me nevojat e bizneseve.
Këto do të jenë shtyllat që do të ndikojnë hartimin e Strategjisë së Aftësimit e Formimit Profesional për 2030 për të patur një strukturë të bazuar në direktivat dhe suportin që ndërkombëtarët na kanë dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe, por mbi të gjitha për të pasur një strukturë që ju shërben atyre që janë pjesëmarrës dhe zhvillimit të ekonomisë.
Ne sot kemi një sektor më të mirë se në të kaluarën dhe shkolla më të mira, por ka vend për përmirësim, ka vend për përmirësim në kurset e formimit profesional dhe ofrimin e atyre punëve që më së shumti ofron tregu i punës.
Ne kemi diskutuar shpesh me ekipin tonë brenda MFE dhe me partnerët ndërkombëtare se si mund ta bëjmë më mirë këtë dhe është pikërisht njohja e tregut, njohja e nevojve që tregu ka që do të na orientojë ne në çeljen e shkollave të reja, në hapjen e kurseve të reja dhe ofrimin e atyre kurseve profesionale që ka më shumë nevojë.
Sot Shqipëria ka projekte investimi të mëdha, po investohet në hapjen e marinave, po investohet në hapjen e aeroporteve të reja, në industri që kanë qenë të pa zhvilluara, por mbi të gjitha kemi një Shqipëri që ka një axhendë të orientuar drejt dixhitalizimit apo turizmit. Të gjithë këto janë fusha që do të jenë në vëmendjen tonë me qëllim që formimi dhe aftësimi profesional të arrijë të ofrojë atë që tregu kërkon, me qëllim që studentët e arsimit profesional të dalin në tregun e punës me rroga të barabarta apo dhe pse jo më të larta se ato që meren nga të punësuarit që dalin nga universitetet, sepse janë teknikët ata që sot paguhen më shumë se çdo njeri tjetër. Ky është vizioni ynë.
Shifrat e asaj që ne kemi arritur janë të larta. Unë nuk dua që në fjalën time të mbetem te shifrat, pasi jam e bindur që gjatë punimeve të konferencës do t’i dëgjoni shumë herë. Ashtu sikurse nuk dua të ndalem te arritjet, pasi ajo që ne duhet të shohim është e ardhmja dhe se si të ardhmen do ta bëjmë më të mirë.
Por, dua të ndalem te falenderimet për bashkëpunëtorët tanë kryesorë.
Bashkimi Europian ka qenë i angazhuar me një nga instrumentet e para të mbështetjes buxhetore në Shqipëri, në mbështetje të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2014 – 2020 (IPA 2015).
Nga ana tjetër dhe Agjencia për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC) e qeverisë zviceriane vazhdon të jetë suportuese e kësaj reforme dhe shembull i vizionit tonë për arsimin dhe formimin profesional.
Siç edhe po e bisedonim me ambasadoren, është e rëndësishme që ne të kemi një shembull por është e rëndësishme edhe që ne të kemi një sistem të gjithin tonë, pasi çdo vend ka specifikat e veta.
Nuk do të rrija pa falenderuar Bankën Gjermane për Rindërtim (KfW), e cila është gjithashtu një partner kryesor në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së arsimit dhe formimit profesional. Po ashtu edhe qeverinë gjermane, e cila nëpërmjet programit PROSEED mbështet zhvillimin ekonomik dhe të arsimit dhe formimit profesional.
Nga ana tjetër, ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë ndërkombëtarë, si qeveria austriake, qeveria italiane apo qeveria suedeze, të gjithë partnerë kryesorë të qeverisë shqiptare që kanë kontribuar e vijojnë të kontribuojnë në sektorin e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.
Nga ana tjetër kjo do të ishte e pamundur, dhe përvoja na e tregoi përmes turnetut të pëvojave, pa ndihmën e UNDP, e cila ka qenë gjithmonë dhe është pjesë e çdo projekti zhvillimi e ideje të re në këtë fushë.
Faleminderit të gjithë për suportin dhe për vizionin që na keni ndihmuar të formojmë në këto vite.
Sfida që po kalojmë aktualisht është një sfidë krejt e re, që është sfida ekonomike dhe ne i jemi përgjigjur kësaj sfide duke u munduar të mbështesim ato që janë më shumë në nevojë, por mbështetja dhe përkujdesja që ne kemi dhënë me Paketën e Rezistencës është e përqendruar drejt personave me aftësi të kufizuara dhe personave që nuk kanë mundësi të mund të paguajnë më shumë kostot e kësaj krize që po përjetojmë.
Ky është vizioni që ne kemi edhe në arsimin dhe formimin profesional.
Ne duam që nëpërmjet bazës ligjore të ngritur gjatë këtyre viteve të fuqizojmë personat me aftësi të kufizuara , me qëllim që ato të jenë të aftë për tu punësuar dhe të bëjnë një jetë sa më të denjë, dhe ky do të vazhdojë të jetë një prioritet i programit dhe strategjisë që ne do të ndjekim gjatë viteve në vijim.
Me gjithë sfidën dhe krizën me të cilën po përballemi, ne nuk duhet të humbim boshtin por duhet të përqendrojmë të gjithë burimet tona aty ku ne do të kemi mundësi që zhvillimi të vazhdojë dhe politikat tona prioritare të vazhdojnë, pa u stepur nga ajo që do të na vijë në të ardhmen.
Do të përmbyll fjalën time me një fjalë që tha Viktoria: Studentët kanë më shumë për të dhënë dhe ne e kemi detyrim tu japim atyre mundësinë të japin të gjithë potencialin që kanë në dispozicion. Kjo do të jetë motoja e gjithë zhvillimit të konferencës, pra se si ne mund të bëjmë të mundur që i gjithë potenciali që është te të rinjtë të shkojë atje ku duhet.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.