Postuar më: 04/07/2022

MFE, nis puna për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjes së Tregut 2023-2030

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur punën për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjes së Tregut 2023-2030.

Nën drejtimin e zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, u zhvillua takimi i parë i Grupit Ndërinstitucional të Punës, ku morën pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh.

Strategjia e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjes së Tregut 2023-2030 do të shërbejë për të identifikuar të gjithë treguesit e mbrojtjes së konsumatorit që mungojnë, ose që duhet të forcohen, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i MSA-së.

Shtyllat kryesore ku do të mbështetet kjo strategji janë:

Siguria e produkteve- ushqimore dhe e produkteve jo-ushqimore; barnat për përdorim njerëzor; kozmetika; fusha e infrastrukturës së cilësisë; mbikëqyrja e tregut; etj.

Çështje të mbrojtjes së konsumatorëve që nuk kanë lidhje me aspektet e sigurisë- Mbrojtja e konsumatorëve sa i përket praktikat tregtare; zbatimi i të drejtave të konsumatorëve; zgjidhja alternative dhe online e mosmarrëveshjeve; mjedisi; turizmi; digjitalizimi; etj.

Informimi dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve dhe i subjekteve, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me të gjithë aktorët e tjerë: organizatat e konsumatorëve, shoqëria civile, biznesi, akademikët.

Gjatë takimit u theksua nevoja për hartimin e një startegjie të re që mbështetet edhe në zhvillimet e shpejta dhe ndryshimet e legjislacionit të BE në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, ku BE ka kërkuar që çdo dokument i ri strategjik që hartohet të ketë si pjesë të tij edhe një kapitull më vete që adreson çështjet e mbrojtjes së konsumatorëve.

Në përfundim të takimit u dakordësua që institucionet, sipas fushës së përgjegjësisë, duhet të punojnë dhe të dërgojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kontributin e parë për strategjinë.