Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u zhvillua takimi i 15-të i Komitetit Drejtues të Menaxhimit të Financave Publike.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi dhe miratimi i Raportit të Monitorimit për vitin 2021 i Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022, ndërsa u prezantuan disa prej arritjeve të shënuara gjatë vitit 2021 sa i përket realizimit të objektivave të vendosura në këtë Strategji.
Më konkretisht, arritjet kryesore janë:
Ulja e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në krahasim me vitin 2020;
Përmirësimi dhe rritja e të ardhurave nga taksat dhe doganat;
Ulja e detyrimeve të prapambetura;
Forcimi i planifikimit strategjik dhe menaxhimi i buxhetit në nivel lokal;
Përfshirja më e madhe e shoqërisë civile;
Përmirësimi i kuadrit ligjor në fusha të ndryshme;
Krijimi i një sistemi më të fortë të menaxhimit financiar dhe mjedisit të kontrollit të brendshëm;
Rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Pavarësisht arritjeve të mësipërme, u pohua fakti se ka ende fusha të cilat kërkojnë angazhim dhe vëmendje më të lartë për të arritur në nivelet e duhura dhe u shpreh angazhimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të rritur përpjekjet për adresimin dhe realizimin e tyre, në bashkëpunim me njësitë përgjegjëse.
Në takimin e 15-të të Komitetit Drejtues të PFM morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfaqësues nga njësitë brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia e Prokurimit Publik, Komisioni i Prokurimit Publik, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si dhe përfaqësues nga Partnerët për Zhvillim dhe Integrim.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.