Postuar më: 10/10/2022

Ibrahimaj: Situata deri tani është plotësisht nën kontroll, të përkushtuar për të zbutur sa më shumë të jetë e mundur ndikimin e krizës

 

  • Situata makroekonomike në vend, Ibrahimaj, Sejko dhe Sun në konferencë të përbashkët për mediat

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko,  dhe përfaqësuesja e Misionit të FMN, Yan Sun,  dolën  në një konferencë të përbashkët për mediat, pas diskutimeve 2 javore në kuadrin e Artikullit të Katërt të marrëveshjes së vendeve anëtare të FMN, mbi situatën  makroekonomike dhe financiare të vendit.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi, se rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë në 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet, si dhe kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja gjatë gjysmës së parë ka qenë me bazë të gjerë, ku pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë kanë performuar me rritje pozitive.

“Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit u ul më tej në 11.1%, ndërkohë që punësimi u rrit me 4.3% në krahasim me vitin e kaluar, theksoi Ministrja, ndërsa vijoi,  se për sa i përket rritjes ekonomike të pritshme për të gjithë vitin 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka parashikuar të rrisë për lart  projeksionin në 3.7%, nga 3.2% që parashikohej në fillim të luftës”.

Gjithashtu Ministrja u shpreh se  inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh  se bisedimet dyjavore me FMN kishin në fokus kryesor politikat ekonomike dhe marrjen e masave për zbutjen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv.

Duke folur për situatën në vend, Sejko theksoi se inflacioni mbetet një kërcënim kryesor për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, ndërkohë që sipas  tij,  ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet.

“Rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm, nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve, si dhe mbështetja me kredi nga sektori bankar. Sektori bankar në Shqipëri i shëndetshëm dhe likuid”, deklaroi Sejko.

Pas një përmbledhje sa i përket parashikimit për zhvillimin ekonomik, përfaqësesja e FMN, Sun,  tha se pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3,7 %, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 % në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”,  nënvizoi Sun.

 

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres së Financave dhe të Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mbajtur në konferencën e përbashkët për mediat më Guverntorin e Bakës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe përfaqësuesen e Minsionit të FMN, Yan Sun

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Znj. YAN,

I nderuar Z. Sejko,

Të nderuar gazetarë, përfaqësues të mediave, kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Siç mund të jeni tashmë në dijeni, gjatë dy javëve të fundit, kemi pasur kënaqësinë te kemi në Shqipëri ekipin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili zhvillon misionin e radhës mbikëqyrës, në kuadër të Artikullit të Katërt të marrëveshjes së vendeve anëtare të FMN.

Tipikisht ky është një mision që ka për qëllim kryerjen e një analize të thelluar të ekonomisë dhe financave shqiptare dhe dhënien e një vlerësimi objektiv dhe të plotë mbi gjendjen dhe performancën e tyre, si dhe gjithashtu dhënien e rekomandimeve adekuate për politikat ekonomike apo elementë të tjerë specifikë. Pra puna, gjetjet dhe rekomandimet e këtij misioni janë mjaft të rëndësishme jo vetëm për institucionet shqiptare që mbulojnë fushën e ekonomisë dhe financave, si Ministria e Financave dhe Ekonomisë apo Banka e Shqipërisë, e të tjerë, po pa dyshim janë një pikë mjaft e rëndësishme reference edhe për të gjithë aktorët e ekonomisë në tërësi.

Në përfundim të këtij misioni, së bashku me Shefen e Misionit, znj. Sun dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Sejko kam kënaqësinë të mbajmë këtë konferencë të përbashkët për shtyp.

Përpara se të vijoj me një ekspoze të zhvillimeve dhe të perspektivës afat-mesme ekonomike dhe të financave publike, dua së pari të falënderoj nga ana ime, si dhe në emër të stafit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, znj.Sun dhe të gjithë pjesëtarët e ekipit të misionit të FMN, për këtë bashkëpunim me shumë vlerë dhe për diskutimet profesionale që kemi patur bashkërisht gjatë këtyre ditëve të misionit.

Më pas  fjala  do t’i kalojë  Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Sejko,  duke vijuar  me Shefen e Misionit të FMN-së, znj.Yan Sun, për të ndarë pikëpamjet e tyre.  Më tej, me kënaqësi ne të tre do t’ju përgjigjemi pyetjeve të medias.

 

Sa i përket zhvillimeve të fundit ekonomike:

  • Goditja globale nga kahu i ofertës për furnizimin me energji dhe mallra të tjerë bazë, shkaktuar nga fillimi i luftës në Ukrainë, sigurisht që ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë ndikim negativ në ekonominë tonë, siç ka pasur në ekonomitë e vendeve të rajonit, të Europës dhe më gjerë.
  • Megjithatë, deri më tani, ekonomia e ka përballuar relativisht mirë edhe këtë goditje, veçanërisht duke e parë atë në kontekstin e problemeve që po kalon pjesa dërrmuese e ekonomive në botë.
  • Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë në 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet, si dhe kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja gjatë gjysmës së parë ka qenë me bazë të gjerë, ku pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë kanë performuar me rritje pozitive.
  • Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit u ul më tej në 11.3%, ndërkohë që punësimi u rrit me 4.3% në krahasim me vitin e kaluar.
  • Lidhur me zhvillimet në pozicionin e jashtëm, gjatë gjysmës së parë të këtij viti (2022) deficiti i llogarisë korente u ngushtua me 10% nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, si dhe rritjes së Gjithashtu, kemi pasur një rritje me rreth 35% në flukset hyrëse të IHD-ve. Kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave kryesore në përgjithësi ka qenë mjaft i qëndrueshëm, ndërkohë që luhatja (zhvlerësimi ose mbiçmimi) ndaj monedhave të ndryshme ka reflektuar kryesisht konjukturat ndërkombëtare të tregut valutor. Aktualisht, leku është nënçmuar ndaj dollarit amerikan me rreth 8% dhe është mbiçmuar ndaj euros me rreth 4% që nga fundi i vitit të kaluar.
  • Në tremujorin e tretë (ku zhvillohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit turistik), duke gjykuar nga treguesit e tërthortë të disponueshëm, ekonomia mund të ketë performuar me një ritëm rritjeje konsiderueshëm më të lartë se tremujori i dytë dhe ndoshta me një ritëm pak më të ulët se sa në tremujorin e parë.
  • Duhet të shohim se si do të zhvillohet tremujori i katërt. Pritjet për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt mbeten të rrethuara nga pasiguri më të larta, kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet ekonomike ndërkombëtare. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura, gërryerjes së të ardhurave reale prej inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare.
  • Prandaj, për sa i përket rritjes ekonomike të pritshme për të gjithë vitin 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka parashikuar të rrisë për lart projeksionin në 3.7%, nga 3.2% që parashikohej në fillim të luftës.
  • Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, ne kemi rishikuar për poshtë parashikimin tonë të skenarit bazë në nivelin 2.6%, nga mbi 3% që e kishim në parashikimin e mëparshëm. Megjithatë, nëse ndodh një skenar i plotë recesioni të një pjese të ekonomive të BE-së, që janë partnerët tanë kryesorë ndërkombëtarë, pra jo vetëm “një recesion teknik” si ai i parashikuar në skenarin bazë, ndoshta edhe rritja vitin e ardhshëm mund të jetë më e ulët se 2%. Në të njëjtën kohë, ka edhe risqe pozitive që mund të çojnë edhe në një skenar në një rritje prej mbi 3%. Megjithatë, balanca totale e risqeve aktualisht anon më tepër në kahun negativ. Ndërkohë, mendojmë se gjasat për një recesion të ekonomisë sonë gjatë vitit të ardhshëm, aktualisht duken shumë të ulëta, edhe nëse një pjesë e ekonomive të BE-së apo edhe më gjerë do hynin në një recesion të plotë. Megjithatë, ne do të jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatje edhe në rast të përballjes me skenarë pesimistë.
  • Natyrisht, çështja kryesore makroekonomike gjatë kësaj periudhe edhe për ekonominë tonë, si pothuajse kudo tjetër, ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja në ofertën globale të disa mallrave bazë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë ndjeshëm më i ulët.
  • Inflacioni mesatar për periudhën janar-gusht ka qenë 6.1%, me vlerën më të lartë në muajin gusht 8%. Ne sot presim që INSTAT të publikojë inflacionin për muajin shtator. Ne parashikojmë që gjatë këtij viti të kemi një nivel mesatar inflacioni në nivelin 6.5%. Sigurisht që do të duhet të shohim se si do të zhvillohet ngjarjet gjatë pjesës së fundit të vitit, kryesisht të ndikuar nga kriza pan-evropiane.
  • Ne konstatojmë se ky inflacion i lartë është nxitur kryesisht nga goditja e ofertës dhe besojmë se deri më tani nuk ka baza të forta që të vazhdojë një rritje në nivele kaq të larta, për inflacionin në të ardhmen. Madje mendojmë se në afatshkurtër, gjatë vitit të ardhshëm do të kemi një reduktim të ndjeshëm të normave të inflacionit.
  • Ne besojmë se gjasat që inflacioni të jetë ndjeshëm më i ulët janë shumë të larta në vitin 2023, veçanërisht nëse një pjesë e vendeve të Europës do të hyjnë në recension, qoftë recension teknik apo i plotë. Në skenarin tonë bazë ne parashikojmë një normë mesatare inflacioni prej 3.6% për vitin e ardhshëm, me një tendencë rënëse gjatë vitit dhe duke arritur në rreth 3% në fund të 2023. Megjithatë, kjo është vetëm pikëpamja jonë për inflacionin dhe sigurisht institucione të ndryshme kanë pikëpamje të ndryshme për këtë çështje dhe mendoj se si Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe Banka e Shqipërisë do të ndajnë pikëpamjet e tyre për këtë “temë të ditës”.

 

Përsa i përket zhvillimeve të fundit të financave publike:

  • Situata deri tani është plotësisht nën kontroll. Ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar në vazhdimësi dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin përgjatë rrugës dhe jemi përgatitur për disa skenarë alternativë përshtatjeje, nëse këto skenarë negativë do të materializohen.
  • Gjatë periudhës janar-gusht, të ardhurat buxhetore janë rritur me 16% dhe kanë tejkaluar planin në çdo fazë të rishikimit të tij. Me rishikimin e fundit të planit, aktualisht jemi 0.4 % mbi planin. Gjithashtu, referuar të dhënave operative të muajit shtator, të ardhurat kanë vijuar të mbajnë të njëjtin ritëm rritës. Sigurisht, një pjesë e kësaj performance pozitive është e ndikuar nga çmimet e larta, por edhe rritjes ekonomike, përveç rritjes së përgjithshme të çmimeve. Megjithatë, si rritja relativisht e fortë ekonomike, ashtu edhe përmirësimet administrative në mbledhjen e taksave, kanë qenë faktorë të rëndësishëm në performancën e të ardhurave gjatë vitit 2022.
  • Deri më tani, buxheti vijon të operojë me një suficit të përgjithshëm fiskal dhe stoku i likuiditetit të qeverisë është mjaft i bollshëm dhe i mjaftueshëm për të vijuar ekzekutimin normal të buxhetit të këtij viti, si dhe në vijim të vitit të ardhshëm, dhe kjo jo vetëm në skenarin tonë bazë por edhe në rastet e ndodhjes së skenarëve negativë në afat-shkurtër.
  • Siç e dini, në rishikimet e buxhetit të vitit 2022 që kemi bërë gjatë këtij viti, nga njëra anë kemi krijuar hapësirë ​​fiskale për të akomoduar të gjithë elementët e ndryshëm që kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimin të krizës për aspekte të ndryshme sociale dhe ekonomike, si p.sh. alokimi e paketave të ndryshme të ndihmës ekonomike për pjesët e shoqërisë më në nevojë, alokimin e fondeve të larta për mbështetjen e sektorit energjetik, për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjarë ashtu edhe për bizneset e vogla, alokimin e fondeve për kompensimin pjesërisht të rritjeve në kostot kryesore për punimet e investimeve publike, etj.
  • Nga ana tjetër dhe mjaft më e rëndësishme, ne kemi qenë mjaft të vendosur për të ruajtur të pa cënuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Në rishikimin më të fundit të buxhetit në muajin, kemi ulur limitin fillestar ligjor të deficitit fiskal me gati 1% të PBB-së, nga 5% që ishte e kemi ulur në 4.1% të PBB-së.
  • Në vlerësimet tona të fundit, sipas skenarit bazë, ne presim që deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, në rreth 3.3 – 3.5 për qind të PBB-së.
  • Ne presim që me shumë gjasa borxhi publik të jetë nën nivelin prej 70% të GDP-së deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte në fund të vitit 2021, duke vazhduar kështu qartësisht trajektoren rënëse të filluar që nga viti i kaluar.

 

Politika fiskale afatmesme

  • Për sa i përket objektivave kryesore të politikës fiskale, sigurisht që ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për vazhdimin e konsolidimit fiskal, duke synuar uljen e vazhdueshme të raportit të borxhit publik ndaj GDP- së, në përputhje të plotë me rregullat fiskalë të frenimit të rritjes së borxhit. Gjithashtu, ne synojmë të kalojmë sërish në një balancë primare pozitive duke filluar që nga viti i ardhshëm, ndërkohë që nga viti 2024 e në vazhdim, balanca primare pozitive bëhet detyrim ligjor, pasi fillon zbatimi i rregullit të ri fiskal që e bën ligjërisht të detyrueshme arritjen e një balance primare pozitive nga viti 2024 e në vijim.
  • Ne besojmë se ky objektiv kryesor i politikës fiskale bëhet edhe më kritik dhe është në më të mirën e interesit të gjerë publik, veçanërisht në një kontekst të ri makroekonomik global, krejt i ndryshëm nga ai i goditjes nga pandemia, i ardhur prej goditjes së ofertës globale dhe rreziqeve të reja të lidhura me të, duke përfshirë këtu edhe pasigurinë e lartë që rrethon perspektivën e kushteve financiare globale në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.
  • Por patjetër në të njëjtën kohë, dhe brenda kufijve që na lejon hapësira fiskale, ne mbetemi të përkushtuar për të zbutur sa më shumë të jetë e mundur ndikimin e kësaj krize në shoqërinë tonë, veçanërisht në shtresat më vulnerabil.

 

Unë do të ndalem këtu dhe do t’ia kaloj fjalën Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko dhe më pas Shefes të Misionit të FMN.

Faleminderit.