Ekonomia shqiptare tashmë është pjesë e pandarë e tregjeve rajonale, europiane dhe më gjërë ato globale.
Komisioni Evropian dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga Zëvëndësministri dhe Negociatori i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia, zhvilluan në Bruksel, takimin shpjegues për kapitullin 1, “Lëvizja e Lirë e Mallrave”.
Ky kapitull mbulon parimin e lëvizjes së lirë të mallrave, ku nënkupton që produktet duhet të qarkullojnë lirshëm nga një pjesë e Bashkimit Europian në tjetrën. Legjislacioni i harmonizuar evropian i produkteve, i cili duhet të transpozohet, përfaqëson pjesën më të madhe të acquis sipas këtij kapitulli, duke përfshirë fusha të tilla si standardizimi, vlerësimi i konformitetit, akreditimi, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut.
Gjatë takimit delegacioni shqiptar u njoh me aktet ligjore dhe politikat kryesore të Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë të mallrave.
Negociatori i kapitullit, z. Kadia theksoi, se nëpërmjet hartimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian nga MFE janë marrë masa konkrete në disa drejtime si dhe është punuar në përshtatjen e kuadrit ligjor dhe sistemeve tona për lëvizjen e lirë të mallrave, sipas direktivave europiane në përputhje me shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Ky takim shërbeu si udhërrëfyes për takimet dypalëshe që do të zhvillohen në Janar të 2023, ku Shqipërisë i kërkohet të paraqesë nivelin e përafrimit të zbatimit të legjislacionit të saj me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe planet e strategjitë e saj për këtë qëllim.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.