Postuar më: 13/10/2022

Integrimi në BE, përafrimi i legjislacionit shqiptar përfshin shoqëritë tregtare dhe raportimin financiar

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, qeveria është angazhuar në këtë proces në disa drejtime, përfshirë shoqëritë tregtare dhe raportimin financiar.

Komisioni Evropian dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga Zëvendësministri dhe Negociatori i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia, zhvilluan në Bruksel, takimin shpjegues për Kapitullin 6 “Legjislacioni për shoqëritë tregtare”.

Negociatori i kapitullit, z. Kadia u shpreh , se “Kapitulli 6” mbi legjislacionin për shoqëritë tregtare përfshin rregulla për formimin, regjistrimin, bashkimin dhe ndarjen e shoqërive.

Në fushën e raportimit financiar, acquis specifikon rregullat për paraqitjen e llogarive vjetore dhe të konsoliduara, duke përfshirë rregullat e thjeshtuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Zbatimi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit është i detyrueshëm për disa subjekte me interes publik. Përveç kësaj, acquis specifikon rregullat për miratimin, integritetin profesional dhe pavarësinë e auditimeve ligjore.