Shqipëria dhe Gjermania zhvilluan negociatat rreth bashkëpunimit për Politikat për Zhvillim mes tyre për periudhën 2023-2024. Pala shqiptare në këto negociata kryesohej nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ndërsa pala gjermane nga Znj. Heike Backofen-Warnecke, e Ngarkuara për Evropën Juglindore, Lindore dhe Kaukazin e Jugut pranë Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. I pranishëm në takim ishte dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, z. Peter Zingraf. Në fjalën e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vlerësoi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë ndër vite për vendin tonë, sidomos sa i përket integrimit në Bashkimin Europian.Ministrja theksoi se nënshkrimi i protokollit të ri do të kontribuojë në përmirësimin e ofertës së tregut të kualifikuar të punës së, përmirësimin e konkurrencës së bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme dhe kapacitetin e tyre për të krijuar vende pune, duke mbështetur zhvillimin e politikave në fushat e AFP-së dhe Zhvillimin e Sektorit Privat, me fokus edhe në dixhitalizimin dhe ekonominë e gjelbër. “Nëpërmjet këtyre negociatave dypalëshe, ne jemi të lumtur të marrim një konfirmim të fortë se qeveria gjermane mbetet e përkushtuar të vazhdojë të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe në proceset e transformimit. Angazhimet që do të bëhen në këto negociata, përkatësisht 74.3 milionë euro (angazhime të reja) dhe 19 milionë euro (angazhime të kryera në protokollin e fundit), të cilat Republika Federale e Gjermanisë merr përsipër të sigurojë për bashkëpunimin teknik dhe financiar dypalësh, do të jenë jetike për thellimin e proceseve transformuese institucionale dhe sociale të Shqipërisë, drejt arritjes së qëllimit tonë përfundimtar dhe aspiratës së BE-së, si dhe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe për të kapërcyer vështirësitë e shkaktuara nga lufta ruse në Ukrainë dhe efektet e krizës globale”, tha Ibrahimaj. Delegacioni gjerman nënvizoi rëndësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm në bashkësinë transatlantike dhe evropiane. Qeveria Federale Gjermane do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe në proceset e saj transformuese. Delegacioni gjerman përshëndet fillimin e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe nisjen e proceseve screening.
Bashkëpunimi dypalësh mes dy vendeve do të fokusohet në dy fusha kryesore, ku secila ka fushat përkatëse të veprimit:
Formimi dhe edukimi profesional dhe teknik;
Sektori privat dhe zhvillimi i sektorit financiar;
Energjia e rinovueshme dhe efikasiteti i energjisë;
Zhvillimi i qëndrueshëm urban (duke përfshirë mbetjet, ujin, ujërat e zeza në zonat urbane)’
Përveç dy fushave kryesore, ky bashkëpunim zhvillimor do të ndikojë edhe në fusha ndërsektoriale si qeverisja e mirë dhe migrimi.
Gjatë procesit të negociatave delegacioni gjerman dhe të gjitha ministritë kryesore të linjës të përfshira diskutuan dhe prezantuan pikëpamjet e tyre mbi bashkëpunimin dhe fushat e marrëveshjeve të reja.
Në përfundim u nënshkrua dhe Protokolli i negociatave të reja negociatat rreth bashkëpunimit për politikat për zhvillim ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjermanisë, një procedurë standarde kjo, e cila i nënshtrohet çdo dy vjet me rishikimin e fushave aktuale të bashkëpunimit dhe fushave të reja potenciale shtesë që mund të përfshihen. Protokolli u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), z. Ilir Beqaj, dhe Znj. Heike Backofen-Warnecke, e Ngarkuara për Evropën Juglindore, Lindore dhe Kaukazin e Jugut pranë Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Protokolli parashikon se Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë merr përsipër t’i japë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë një shumë të re totale prej 74.3 milionë euro (50 milionë e miratuar nga Ministria Gjermane e Financave) për Bashkëpunimin Dypalësh Teknik dhe Financiar për periudhën 2023-2024. Kjo përfshin 69.3 milionë euro për projektet e bashkëpunimit financiar dhe 5 milionë euro për projektet e bashkëpunimit teknik. Gjermania mbetet një nga partnerët dhe donatorët më të rëndësishëm të Shqipërisë, ka siguruar fonde prej mbi 1 miliard eurosh dhe ka mbështetur Shqipërinë në reformat e saj të mëdha dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.