Postuar më: 30/05/2023

Takimi i 14-të i Nën Komitetit të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri “Tregu i Brendshëm dhe Konkurrueshmëria përfshirë Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit”

Sot më datë 30 maj 2023 u zhvillua në Tiranë Takimi i 14-të i Nën Komitetit të Stabilizim-Asocimit Bashkimi Evropian – Shqipëri “Tregu i Brendshëm dhe Konkurrueshmëria përfshirë Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit”.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj, kurse delegacioni i Komisionit Evropian u kryesua nga z. Zbigniew Zach, DG NEAR.

Në fjalën e tij hyrëse, Zv.Ministri Yzeiraj shprehu vendosmërinë dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, si një objektiv i rëndësishëm strategjik, duke u fokusuar ne arritjet e institucioneve që raportojnë në nen komitet.

Përfaqësuesit e institucioneve shqiptare raportuan mbi ecurinë dhe zhvillimet e kryera në këtë periudhë, veçanërisht në fushat e konkurrueshmërisë; e drejta e pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare; prokurimi publik; e drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime; mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; legjislacioni i kompanive, kontabiliteti dhe auditimi; shërbimet financiare përfshirë sektorët bankar dhe jo-bankar.

Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga një numër i strukturave teknike të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe institucione të tjera shtetërore që janë përgjegjëse për fushat që u raportuan në Nën komitet.