Postuar më: 22/06/2023

Ibrahimaj prezanton ndryshimet në ligjin e Nxitjes së Punësimit: Synojmë nxitjen e punësimit të të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjinPër disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2019 për Nxitjen e Punësimit”.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ndryshimet ligjore synojnë të adresojnë disa sfida në lidhje me punësimin e disa kategorive, si të rinjtë, personat me aftësi të kufizyara apo dhe grupe të tjera të veçanta.

Ministrja theksoi fakti qeveria në vitet e fundit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë nxitjes së punësimit dhe arsimit profesional, ndërsa së fundmi ka nisur zbatimin e një reformë madhore të pagave, me qëllim rritjen e tyre, nxitjen e punësimit dhe adresimin e sfidave të kohës.

“Ne kemi reduktuar normën e papunësisë, kemi rritur shkallën e punësimit, kemi rritur shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës, dhe e gjithë kjo ka ardhur falë zbatimit të politikave të suksesshme që kemi ndërmarrë ndër vite, krijimit të vendeve të reja të punës, por edhe zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të sektorit privat. Është detyra jonë që të vijojmë të hartojmë politika për të adresuar ato sfida të mbetura dhe projektligji që paraqesim synon të ndikojë në punësimin e të rinjve”, tha Ibrahimaj.

Një ndryshim i rëndësishëm ligjor lidhet funksionimin e Fondit Social të Punësimit, qëllimi i të cilit është sigurimi dhe administrimi i mekanizmave financiare për nxitjen e punësimit, integrimin dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara.

Ministrja nënvizoi faktin se Fondi do të përdoret për programe të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara që synojnë nxitjen e punësimit të tyre. “Ne synojmë të punësojmë 9,030 persona me aftësi të kufizuara, nga të cilët rreth 3,618 do të punësohen në institucione publike dhe 5,412 në sektorin privat”, tha Ibrahimaj.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj informoi se në 4 vitet e fundit buxheti për mbështetjen e programeve të nxitjes së punësimit është rritur me 46%, si një mënyrë për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat jemi përballur.

Ndryshimet e fundit ligjore, vijoi Ibrahimaj, do të mundësojnë gjithpërfshirje në tregun e punës, njohuri të përmirësuara dhe koordinim dhe menaxhim më efikas të shërbimeve publike.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

E nderuar Kryetare

Të nderuar Deputetë,

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2019 për Nxitjen e Punësimit” që sjellim sot përpara jush vjen si një nismë ligjore e cila synon të adresojë disa sfida në lidhje me integrimin në vendin e punës të disa kategorive të veçanta siç janë të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara apo dhe grupe të tjera të veçanta.

Përpara sesa të kaloj në detajimin e përmbajtjes së projektligjit që vjen për miratim, doja të theksoja se në gjithë vitet e fundit Shqipëria ka pasur një ecuri mjaft pozitive të tregut të punës.

Ne kemi reduktuar normën e papunësisë, kemi rritur shkallën e punësimit, kemi rritur shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës, dhe e gjithë kjo ka ardhur falë zbatimit të politikave të suksesshme që kemi ndërmarrë ndër vite, krijimit të vendeve të reja të punës, por edhe zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të sektorit privat, që gjithmonë e më shumë ka nevojë për punë të denjë dhe të kualifikuar.

Që nga fillimi i qeverisjes sonë ne jemi munduar që të përmirësojmë kushtet dhe standardet e zyrave të punës. E kemi ngritur arsimin profesional në një tjetër nivel. Tashmë ne kemi filluar një reformë të madhe, gjithëpërfshirëse, të rritjes së pagave, me qëllim të të shkojmë një shkallë më tutje në përmirësimin të kushteve të punës, nxitjen e punësimit dhe adresimin e gjithë sfidave të kohës që lidhen gjithashtu me migracionin, qoftë emigrimin, qoftë dhe imigrimin.

Sot është detyra jonë që të vijojmë të hartojmë politika për të adresuar ato sfida të mbetura dhe projektligji që paraqesim synon të ndikojë në punësimin e të rinjve.

Prej disa vitesh tashmë ne jemi duke punuar me Bashkimin Europian, me qëllim që të zbatojmë skemën e Garancisë Rinore, e cila synon që të rrisë punësimin e të rinjve, të rrisë arsimin profesional të të rinjve duke i ofruar çdo të riu nga mosha 19 vjeç deri në 25 vjeç në më pak se 4 muaj të paktën një punë, një trajnim apo një kurs të formimit profesional.

Ne si qeveri kemi ndërmarrë disa angazhime edhe në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, me qëllim rritjen e punësimit dhe garantimin e një pjesëmarrje aktive dhe gjithëpërfshirës në tregun e punës.

Edhe hartimi i këtij projektligji synon pikërisht të përmirësojë disa aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin në vendin e punës.

Sot, në zyrat e punësimit janë të regjistruar 78,024 punëkërkues të papunë dhe 23% e tyre janë të rinj që nuk janë në punësim, arsimim ose formim profesional dhe ne synojmë që nëpërmjet një plani konkret pune, në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Punësimit  ta përgjysmojmë këtë numër deri në vitin 2027.

Për të trajtuar këtë kategori, siç thashë, është parashikuar përfshirja e skemës së Garancisë Rinore, si pjesë e iniciativës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kuadër, gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, AKPA ka filluar të evidentojë një grup punëkërkuesish dhe ka mbështetur me shërbime punësimi dhe aftësimi:

  • 2,498 të rinj, duke i punësuar ato
  • 675 të rinj nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit
  • 1,327 të rinj nëpërmjet programeve të formimit profesional

 

Një tjetër ndryshim ligjor që ju paraqitet sot për miratim ka të bëjë me funksionimin e Fondit Social të Punësimit, duke qenë një nga përparësitë e qeverisë shqiptare.

Aktualisht, numri i të regjistruarve persona me aftësi të kufizuar si punëkërkues të punë, nga 237 persona në vitin 2022, ka shkuar në 720 persona në vitin 2023 në katërmujorin e parë. Kjo për arsye se zyrat e punësimit po përgatiten të asistojnë punëdhënësit me lista të punëkërkuesve të papunë.

Projektligji që paraqitet parashikon disa ndryshime ligjore, sipas të cilave:

  1. Çdo punëdhënës duhet të punësojë:
  2. a) të paktën një person me aftësi të kufizuar, kur numri i të punësuarve të punëdhënësit është mbi 25 persona
  3. b) nga një person shtesë, me aftësi të kufizuar, për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes.

Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, me aftësi të kufizuara, sipas ligjit duhet të derdhë një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuar, që ai duhet të punësonte.

Qëllimi i Fondit Social të Punësimit është sigurimi dhe administrimi i mekanizmave financiare për nxitjen e punësimit, integrimin dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara.

Projektligji që paraqesim sot përcakton qartë institucionin që do të mbledhë kontributet nga punëdhënësit, duke reflektuar ndryshimin përkatës për vënien në funksion të Fondit Social të Punësimit, i cili do të shkojë i gjithë për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara në drejtim të punësimit të tyre.

Ndryshimet e prezantuara janë të lidhura drejtpërdrejt me operacionalizimin e Fondit Social të Punësimit, duke përcaktuar se kontributi derdhet nga punëdhënësi dhe pasqyrohet në listëpagesën mujore të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Në ligj është parashikuar se të ardhurat dhe kontributet për llogari të Fondit derdhen tek institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë dhe janë zë më vete në buxhetin e saj, i cili do të administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit.

Fondi Social i Punësimit do të përdoret për programe të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës, por edhe programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuara.

Përmes zbatimit të këtij kuadri ne synojmë të punësojmë 9,030 persona me aftësi të kufizuara, nga të cilët rreth 3,618 do të punësohen në institucione publike dhe 5,412 në sektorin privat. Nëse nuk punësohen, siç e përmenda më sipër, kontributet do të derdhën nga punëdhënësi dhe vlera totale, nëse akush nuk do të punësohej, do të ishte 309 milionë lekë.

Më lejoni të nënvizoj edhe një ndryshim të rëndësishëm që propozojmë dhe që ka të bëjë me dy programe të reja të nxitjes së punësimit, në përputhje me skemën e garancisë rinore.

Bëhet fjalë për Këshillimin për punësim për grupet e veçanta, duke garantuar shërbimeve të cilësisë së lartë nga organizata të specializuara me qëllim ndërmjetësimin dhe integrimin në tregun e punës të grupeve më vulnerabil. Kjo për arsye se grupet e veçanta kërkojnë një trajtim të veçantë dhe shumë të specializuar.

Nga ana tjetër, ne propozojmë skemën e “kuponit” për financimin e formimit profesional, e cila përdoret për mbështetjen e formimit profesional nëpërmjet skemës së kuponit (voucher) për financimin e formimit profesional”, duke mbuluar plotësisht ose pjesërisht kostot e një trajnimi të zgjedhur nga punërkuesi i papunë. Kjo është një skemë që përdoret gjerësisht në BE-së për të diversifikuar ofertën publike me qëllim formimin profesional të punëkërkuesve të papunë, në kurse dhe profesione të ofruara dhe më të kërkuara në tregun e punës.

Nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor, ne synojmë një punësim më të sigurt dhe produktiv për popullsinë, nxitje më të madhe dhe produktive të krijimit të vendeve të punës dhe sigurimin e integrimit në tregun e punës të grupeve vulnerabël, sidomos të të varfërve, grave dhe të rinjve.

Ne do të vijojmë të ofrojmë mbështetje buxhetore për të siguruar që asnjë kategori të mos ndihet e lënë pas mbrapa.

Më lejoni t’ju kujtoj se vetëm në 4 vitet e fundit, buxheti për mbështetjen e programeve të nxitjes së punësimit është rritur me 46%, si një mënyrë për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat jemi përballur e kryesisht gjatë periudhës së pandemisë.

Ne sot flasim për të tjera forma mbështetje, për forma mbështetje të reja, siç është programi i Kodimit, për punët komunitare etj. çka tregon vizionin tonë për t’iu përgjigjur drejt dhe në kohë reale kërkesave të tregut të punës.

Ne sot flasim për kurset e formimi profesional që ofrohen falas për punëkërkuesit e papunë në qendrat e formimit profesional në të gjithë Shqipërinë.

Në vitin 2022 kanë marrë pjesë në këto kurse 9,398 punëkërkues të papunë, ndërsa është dyfishuar numri i personave përfitues të ndihmës ekonomike që kanë ndjekur këto kurse, duke synuar që të integrojmë ato kategori që më shumë kanë nevojë në tregun e punës.

Ne sot kemi një plan 7-vjeçar veprimi që ka në qendër rritjen e mundësive për një punë të denjë, nëpërmjet politikave efikase të tregut të punës, nëpërmjet reduktimit të mospërputhjes së aftësive për të gjitha profesionet, rritjen e nivelit të aftësive të grave dhe burrave në moshë pune dhe funksionimit më të mirë të tregut të punës për të gjithë.

Përmes ndryshimeve ligjore ne do të mundësojmë gjithpërfshirje në tregun e punës, njohuri të përmirësuara dhe koordinim dhe menaxhim më efikas të shërbimeve publike.

Të nderuar deputetë, ne besojmë se nxitja e punësimit kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe kjo lidhet me disa prioritete strategjike të vendit, ndaj ju ftoj ta votoni projektligjin.

Ju faleminderit!