Postuar më: 22/05/2014

Administrata doganore nis fushatën për ndërgjegjësimin për mbrojtjen e pronësisë intelektuale

Mbrojtja e Pronësisë Intelektuale është një nga misionet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rëndësia e të cilës vjen përherë në rritje duke u kthyer në prioritet. Ky mision lidhet në mënyrë të pandashme me mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e shëndetit public, si dhe mbrojtjen e mbajtësve të së drejtës.

 

Në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë Italiane të Doganave dhe Monopoleve, përmes projekteve IPA 2011 bazuar edhe në Strategjinë e Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mori përsipër dhe organizoi fushatën për Ndërgjegjësimin për Mbrojtjen e të Drejtave Intelektuale.

Për herë të parë Dogana shqiptare “zbriti” në mes të fëmijëve përmes aktivitetit të organizuar në shkollën 9-vjeçare ‘Shkolla e Kuqe’. E pranishme në këtë aktivitet edhe zv/ ministrja e Arsimit znj. Nora Malaj, e cila përgëzoi Doganën Shqiptare për inciativën më të re të ndërmarrë. Znj. Spiropali në këtë takim të veçantë u shpreh e lumtur për praninë e nxënësve duke i rikujtuar atyre rëndësinë e edukimit dhe informimit që në moshë të vogël për të qenë të rritur të përgjegjshëm në të ardhmen. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Ministria e Arsimit u dakordësuan për angazhimin e futjes së programeve të dedikuara kundër falsifikimit në kurrikulat shkollore për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Vala e dytë e aktiviteteve vazhdoi në qendrën e EU Info Centre në takimin e zhvilluar me gjimnazistë nga disa gjimnaze të Tiranës. Gjatë takimit, të rinjtë e pranishëm patën mundësinë e shkëmbimit të mendimeve dhe informacionit me përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe përfaqësuesit e Agjencisë Italiane të Doganave dhe Monopolove. Interesi ishte i lartë veçanërisht për mënyrën se si funksionon dogana në procesin e  mbrojtjes së konsumatorit dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

 

Në takimin e tretë të zhvilluar sot në qendrën Agna Group në vazhdën e fushatës së Ndërgjegjësimit për Mbrojtjen e të Drejtave Intelektuale, ishin të pranishëm zv/ambasadori i Ambasadës Italiane z. Marcello Cavalcaselle, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, Ministrisë së Integrimit, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë, përfaqësues të Studiove Ligjore që mbrojnë pronësinë intelektuale, si dhe përfaqësues të ndryshëm të markave dhe patentave.

 

Rëndësia e këtij takimi ishte mbledhja në një tryezë të vetme e të gjithë aktorëve më të rëndësishëm në fushën e pronësisë intelektuale. Ishte hapësira e duhur për të diskutuar, për të shkëmbyer mendime dhe opinione, por njëkohësisht për të sjellë në vëmendje punën e gjithsecilit.

Bashkëpunimi me mbajtësit e të drejtës është veçanërisht i rëndësishëm për cilësinë e kërkesave për veprim, të cilat duhet të jenë të specifikuara në mënyrë që të goditen subjektet që abuzojnë në këtë fushë, ashtu si dhe në rastet “ex office” ku mbajtësi i të drejtës duhet të reagojë brenda afateve ligjore.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë ka punuar dhe përfunduar me sukses përgatitjen e draft VKM “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë intelektuale” me objektivin për të hyrjen në fuqi të draft VKM-së brenda vitit 2014.

Aksionet e ndërmara në muajt e fundit nga Drejtoria e Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale në DPD, kanë rezultuar në: shkatërrimin e 4425 copë mallra të ndryshme bluza sportive, këpucë, bateri dhe artikuj të tjerë; bllokimin për 12.000 stickers, për të cilët dyshohet që kishin si destinacion tregun e brendshëm prodhues të tekstileve, për të cilët është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Deri më tani, janë të mbrojtura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave 276 marka tregtare dhe 10 dizenjo industriale.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e dedikuar tërësisht në luftën kundër mallrave të falsifikuara dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e shkëmbimit të informacionit me doganat homologe të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, si dhe është përfshirë në operacione të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Aktivitete të tjera, të përqendruara në marrëdhënien me biznesin dhe nevojat e tij në fushën e Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Të rejat e fundit