




Delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministrat Cani dhe Ahmetaj, ka zhvilluar dje (11 tetor 2014) një sërë takimesh me personalitete të larta gjatë mbledhjes së përvitshme të FMN dhe Bankës Botërore.
Gjatë një takimi me Zëvendës Presidenten e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck, ministrat e Financave dhe Ekonomis theksuan se vendi është në rrugën e duhur sa i përket reformave dhe se treguesit e ekonomisë janë pozitivë, pavarësisht pikënisjes nga një situatë kritike vitin e shkuar. Ministri i Financave, Z. Shkëlqim Cani foli mbi reformat që qeveria ka ndërmarrë gjatë vitit të shkuar, duke theksuar se janë mbajtur premtimet e bëra publikisht dhe para partnerëve për konsolidimin fiskal dhe disiplinimin e shpenzimeve publike. Nga ana e tij, Ministri Z.Arben Ahmetaj theksoi se ekonomia është në një fazë rritjeje dhe se sinjalet e rritjes janë pozitive, duke treguar se ka patur një impakt pozitiv mbi shumë nga sektorët kyçë, me potencial zhvillimi.
Zv. Presidentja Tuck përgëzoi përfaqësuesit e qeverisë për progresin e kryer në vitin e shkuar, duke listuar reformat në fushën e financave publike, pensionet, pagesat e detyrimeve të pashlyera, zgjidhjen e çështjes CEZ dhe marrjen e statusit të vendit kandidat si disa hapa tejet të rëndësishëm dhe shpresëdhënës për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Sipas znj. Tuck qeveria po provon se edhe pas një viti, angazhimi për të ndërmarrë reformat e domosdoshme sektoriale është i plotë. Ajo vlerësoi veçanërisht nisjen e reformës në sektorin e energjisë, si një sektor tejet i rëndësishëm për ekonominë e vendit, e me një nevojë të menjëhershme për ndryshim cilësor. Në përfundim znj. Tuck ritheksoi mbështetjen e Bankës Botërore për këto reforma dhe për ndryshimet cilësore në ekonomi dhe administrim publik.
Një tjetër takim ishte edhe me Zv. Presidentin e IFC, Z. Dimitris Tsitsiragos, i cili përshëndeti performancën e deritanishme të qeverisë me reformat, duke u ndalur tek “energjia”, si një ndër reformat e domosdoshme për Shqipërinë. Sipas z. Tsitsiragos, ky është një moment kyç, kur qeveria duhet të tregojë se do të ketë tolerancë zero ndaj vjedhjes së energjisë dhe duke ndërmarrë një rishikim të sektorit për të arritur në zgjidhje afatgjatë. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Arben Ahmetaj, pasi falënderoi IFC për bashkëpunimin në disa sektorë të rëndësishëm, si klima e biznesit apo ngritja e kapaciteteve ligjore në sektorë të ndryshëm, përsëriti vullnetin e qeverisë për të sjellë ndryshime në të gjithë sektorët që sot shkaktojnë kosto për buxhetin e shtetit. Sipas z.Ahmetaj qeveria mbetet e angazhuar për të monitoruar në vazhdimësi reformat e ndërmarra deri në këtë pikë dhe e gatshme për tëndërhyrë në sektorët që vazhdojnë të mbeten problematikë.
Nga ana e tij Ministri i Financave, Z. Shkëlqim Cani prezantoi kuadrin e zhvillimeve të fundit në politikat fiskale dhe mbi buxhetin e ri, duke u ndalur tek performanca në mbledhjen e të ardhurave, në luftën ndaj informalitetit dhe në përmbushjen e objektivave të vendosura në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ministrat theksuan nevojën për asistencë të mëtejshme në implementimin e reformave. Në vijim delegacioni ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë të FMN dhe institucioneve të tjera financiare multilaterale.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.