Ministri i Financave, Z. Arben Ahmetaj, ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Z. Sumantra Chakrabarti, pas firmosjes së marrëveshjes të Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri.
Nga ana e tij Presidenti Chakrabarti vlerësoi rolin e qeverisë dhe reformave si një kontribut për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë tek investitorët dhe institucionet financiare multilaterale. Për të Shqipëria dhe i gjithë rajoni përfaqësojnë një zonë tejet të rëndësishme aktiviteti për BERZH. Ky bashkëpunim ka njohur rritje të ndjeshme në vitet e fundit, ku viti aktual pritet të jetë një vit rekord për financimin nga BERZH me mbi 150 milion Euro.
Ministri Ahmetaj theksoi bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm me BERZH, që nga financimi i projekteve të energjisë apo infrastrukturës, deri tek krijimi me asistencë të tyre të institucioneve si Këshilli i Investimeve, që luan një rol të rëndësishëm në dialogun qeveri-biznes. Ministri i Financave theksoi trendin e konsoliduar të rritjes ekonomike, në përmirësim të vazhdueshëm, dhe pritshmëritë pozitive për vitin në vazhdim. Ministri Ahmetaj po ashtu vlerësoi që duhej të shpejtohej bashkëpunimi në disa projekte infrastrukturore dhe në përgatitjen e të tjerëve me rëndësi strategjike për vendin, si Autostrada Adriatiko-Joniane, e projekte të tjera ndërlidhjeje mes rajoneve të vendit, si edhe me jashtë. Gjithashtu u fol mbi rolin e ligjeve dhe reformës në drejtësi në marrëdhënien me sipërmarrjen dhe mbi fokusin e qeverisë tek klima e biznesit dhe investimeve, pasi janë bërë hapa të rëndësishëm në kuadrin makro dhe në financat publike. Ministri Ahmetaj theksoi se BERZH duhet të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me Bankën Europiane të Investimeve në krijimin e mekanizmave të financimit të projekteve rajonale.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.