Buxheti 2017, është buxheti më optimal në 25 vitet e fundit sa i takon financave publike, duke iu referuar rritjes ekonomike të qëndrueshme, konsolidimit të financave publike në kuadrin makroekonomik, kontrollin tashmë të strukturuar të risqeve makrofiskale, rritjen e të ardhurave, realizimin e shpenzimve dhe uljen e borxhit publik dhe defiçitit.
Buxheti i vitit 2017 është buxheti i parë i ligjit të ri organik, por dhe një ndër komponentët më të rëndësishëm të reformës së financave publike që prezanton konceptin e rregullave fiskale, ndër të tjera duke bërë të detyrueshëm uljen e borxhit nga viti në vit, me të paktën 1%.
Ky është është buxheti i përshpejtimit të rritjes ekonomike. Rritja në 2017 përshpejtohet në 3.8%, gati 4-fishi i asaj që ishte në vitin 2013.
Projektbuxheti i vitit 2017, është buxheti i reformave, rreth 20 miliardë lekë për akomodimin e reformave thelbësore në ekonomi, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, reforma në pensione, reforma e pronave, reforma e decentralizimit, reforma në shëndetësi dhe reforma e ujit.
Buxheti i vitit 2017 është buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve. Për herë të pare, rreth 100 milion dollarë (me efekt 12-mujor) për rritjen e pagave e pensioneve; është fondi më i madh për pagat e pensionet akorduar brenda një buxheti në 25 vite.
Është buxheti i investimeve publike. Buxheti i vitit 2017 ofron nivel optimal të investimeve publike, rreth 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe këtu i referohem investimeve qendrore, FZHR dhe mbështetjes për sektorin energjitik, duke patur defiçitin më të ulët të arritur ndonjëherë prej rreth 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto; balancën korrente më pozitive në 25 vite rreth 2.9% që kapërcen madje dhe kufirin e rregullit të artë.
Në 2017 ulim borxhin publik me pothuajse 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 71.8% që është i pritshmi i këtij viti, në 69.1% në vitin 2017. Dua të theksoj që viti 2016 fillon trajektoren ulëse të borxhit publik afatgjatë dhe vitin tjetër, e konsolidon trendin ulës të borxhit publik në mënyrë të konsiderueshme. Siç e theksova, viti 2017 do të ketë një defiçit prej 2%, është më i ulëti në 25 vite dhe patjetër që dua të përsëris që në 2017, balanca primare është me sufiçit +0.7 dhe më pozitivja në 25 vite, thënë ndryshe për publikun, shpenzimet për aktivitetet e qeverisë janë më të ulta.
Në 2017 rritim pagat dhe pensionet duke ulur borxhin publik me reformën e konsolidim fiskal, e në të njëjtën kohë me investimet në një nivel optimal. Rritje e pagave dhe pensioneve dhe ulje e borxhit publik, e shoqëruar me nivele rekord, qoftë të balancës primare, qoftë të balancës së përgjithshme!
Çfarë kosto kanë reformat të shtrira në kohë? Reforma në drejtësi ka një kosto prej 1.8 miliardë; reforma e kompesimit të pronave, në reflektim dhe të vendimmarrjes së fundit, ka kosto 3.8 miliardë; reforma e ujit ka kosto 1 miliardë; reforma e decentralizimit, i shtojmë 2 miliardë në vitin 2017; reforma në administratën publike, pra rritja e pagave dhe pensioneve, kanë kosto totale 10 miliardë; reforma në shëndetësi – zgjerohet kujdesi shëndetësor parësor, kontrolli bazë për grupmoshën 35-70 vjeç për rreth 1.3 milion rezidentë në Shqipëri dhe ofrimi falas i mjekut të familjes për këdo të përfshirë deri më tani dhe 600 mijë persona të rinj, të pasiguruar deri tani. Pra, futen në skemën e rimbursimit të listës së aprovuar të ilaçeve të rimbursueshme edhe 600 mijë qytetarë shqiptarë që janë të pasiguruar dhe nuk kanë mundur ta përfitojnë deri tani këtë benefit.
Të ardhurat totale parashikohen me një rritje 7.6% në 2017 krahasuar me 2016, duke kapur nivelin 436 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet, doganat e sigurimet paarshikohen me një rritje 5.8% më të larta se në 2016, pra ka një parashikueshmëri realiste të të ardhurave në mënyrë që të planifikojmë edhe shpenzimet realiste. Shpenzimet totale shkojnë në 467 miliardë lekë, me një rritje 3.8% krahasuar me vitin 2016.
Po vazhdoj t’i referohem balancës së përgjithshme dhe balancës primare, e parashikuar në afatmesëm. Balanca primare në 2017 do të jetë 0.7 me sufiçit dhe në vazhdimësi, është projektuar në 2018 me sufiçit 1% dhe në 2019 me sufiçit 1.8%. Balanca e përgjithshme, defiçiti përgjithshëm -2% në 2017, -1.8% në 2018 dhe në -1% në 2019. Dua ta theksoj që buxheti në tërësinë e vet reflekton përgjegjshmëri fiskale në një vit elektoral parlamentar. Pra, është viti i parë që shkëputemi nga një traditë 20 vjeçare me tendencën që gjatë viteve elektorale, financat publike pësojnë turbulenca të influencuara nga versioni politik i rradhës dhe e përsëris, vitin tjetër do të vazhdojmë trendin ulës të borxhit publik, duke zbritur në 69.1% dhe më tej me një trajektore ulëse në 2018 deri në nivelin 66.5% për të kapur në 2019-2020 një borxh publik nën nivelin 60%.
Sigurisht që është për t’u përmëndur menaxhimi i borxhit. Kemi një kapitull të detajuar për koston mesatare të borxhit të brendshëm për interesat. Dua të them që maturimi ka ndryshuar cilësisht; borxhi publik ka ndryshuar pozitivisht, është rritur maturimi nga afërsisht 530 ditë në më shumë se 730 -733 ditë, dhe sigurisht interesat, qoftë për arsye globale, qoftë për arsye të financimit të ofertës për financimin e brendshëm, janë në nivele të ulta rekord. Patjetër që në parashikimin e risqeve afatmesëm, interesat mund të përbëjnë një nga risqet, sigurisht të kontrollueshme, që mund të ketë pjesa e kostos së shërbimit të borxhit publik.
Sa i takon mbështetjes sektoriale, kemi një prezantim shumë të detajuar të çdo ministrie, por dua të ndalem vetëm tek disa nga sektorët kyç të ekonomisë.
Bujqësia – Gjatë 2013-2016, në reflektim edhe të prioriteteve të qeverisë, kemi bërë një diferencë serioze nga shumë e shumë vite, duke rritur financimin për skemat mbështetëse nga 847 milion lekë në vitin 2013, në 1.5 miliardë lekë në 2016. Numri i përfituesve nga skemat është rritur me 37% në vit, pra përfituesit në terren bujqësor nga skemat, janë rritur 37% çdo vit.
Sipërfaqja e ujitshme nga 120 mijë hektar është rritur në 156 mijë hektar, duke futur në ujitje për herë të parë 35,400 hektar, ndërsa në 56,800 hektar është përmirësuar ujitja nëpërmjet rehabilitimit.
Rimëkëmbja nga përmbytjet në 6 qarqet e përmbytura në vitin 2015, duke zhdëmtuar rreth 4,100 familje nga dëmtimet nga përmbytjet si dhe është ende në zbatim e sipër granti prej 2.7 milionë eurosh për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e zonave të përmbytura. Janë vaksinuar çdo vit mbi 2 milonë e 470 mijë bagëti të imta.
Në 2017, parashikohet rehabilitimi i proceseve të skemave ujitëse kryesore, që është vazhdim i reformës dhe i logjikës së vitit 2016, në Projektin e Bankës Botërore në investimet e brendshme, në koherencë të plotë me investimet nga vetë bashkitë për të mundësuar objektivin për vetë-ujitje në 225 mijë hektar tokë bujqësore. Do të vazhdojë procesi i identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve. Do të ristrukturohet dhe modelohet flota e peshkimit nëpërmjet projektit IPA II, qeveria dhe Ministria e Bujqësisë është e përgatitur të fillojë asimilimin e fondeve IPA II, për investime serioze në bujqësi.
Përsa i përket Transportit, dua të theksoj që janë ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore 232 km rrugë dhe këtu dua të sqaroj Komisionin që Ministria e Financave, Ministria e Transporteve dhe qeveria, nuk do të sjellin si rëndom ka ndodhur në shumë vite, si të mbaruar, km rrugë të pafilluara, po thjesht të tenderuara me 1/100 e fondeve të kostos totale.
Unë kam nxjerrë një listë të detajuar të projekteve të rrugëve që kanë filluar me 1/100, me 1/30, me 1/50 e fondit, është hapur tenderi. Psh. unaza e Tiranës, me 200 mijë dollarë është hapur tenderi për një kosto totale 23 milion dollarë dhe është konsideruar si rrugë e bërë në proklamimet publike. Kemi hequr dorë nga kjo logjikë që nuk qëndron. Dua të qendroj profesionalisht tek targeti i Ministrit të Financave, pa e politizuar, kemi hequr dorë se është jo e drejtë dhe krijon konfuzion nga ana buxhetore, nga ana fiskale, dhe ka qënë arsyeja kryesore pse ka krijuar detyrime të prapambetura në 2009-2013.
Në 2013-2016, janë rikonstruktuar 164 km rrugë, janë ndërtuar 79,310 metra linear linja të reja të furnizimit me ujë.
Në 2017, ka një rritje të konsiderueshme të financimit. Fokusohet kryesisht tek mbarimi i rrugëve të hapura, i akseve kryesore me logjikë përmirësimin e konektivitetit pra të ndërlidhjes, të fokusuar në vepra të rëndësishme publike, qoftë me financim të huaj, qoftë me financim të brendshëm. Ka vepra në infrastrukturë, është një listë e gjatë në fakt, të pambaruara, megjithëse janë konsideruar si të përfunduara nga qeveria e mëparshme, janë vepra serioze që kanë penguar konjektivitetin.
Sigurisht që logjika e 2017 në buxhet, është që të vazhdojë të financojë ato rrugë për t’i mbyllur të gjithë ato “pengesa”, qoftë në vepra arti, qoftë në sinjalistikë, qoftë edhe në mirëmbajtje. Ka pasur një logjikë të re në buxhetin e shtetit në akordim serioz fondesh për mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo është një diferencë thelbësore e buxhetit të Ministrisë së Transportit. Ministria e Transportit ka marrë gati 95% të rritjes nominale të investimeve publike në krahasim me 2016-ën.
Ministria e Shëndetësisë, këtu diferenca është shumë e madhe dhe pozitive. Financimi publik i shëndetësisë mbulon aktualisht 55%, pra më shumë se gjysmën e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetin.
Në vitin 2017, financimi publik për shëndetësinë parashikohet të jetë rreth 2.9 % e prodhimit të brendshëm bruto ndër nivelet më të larta të finacimit në 25 vite. Shpenzimet publike për banor, është një shifër shumë e rëndësishme për të kuptuar se çfarë i shkon qytetarit, do të rriten nga 12,295 lekë që ishin në 2013 në 16,000 lekë në 2017. Pra, një rritje rreth 30.1 %.
Ministria e Punëve të Brendshme, nuk do të fokusohem gjatë, por dua të theksoj që i është kthyer dinjiteti policisë së shtetit, jo vetëm në funksione, por edhe në trajtim. Rroga e policisë së shtetit që nga 2013 është rritur me gati 35% dhe në këndvështrimin tim, është reflektuar në punën e policisë.
Patjetër që duhet të ndalemi tek formimi profesional dhe përkujdesja sociale.
Përsa i përket zhvillimit urban dhe strehimit, në fushën e planifikimit urban do të vijojmë të mbështesim pushtetin vendor nëpërmjet planifikimit, projektimit të përgjiithshëm të planeve vendore në 10 bashki të reja.
Legalizimi sigurisht është kthyer edhe një nga flamujt e betejës të qytetarit, fenomeni i legalizimit ka qenë dhe është i përhapur, por është zvarritur marrja e pronësisë dhe sqarimit të proçedurave dhe gjithë hallakatjeve në vite dhe intensiteti i përfundimit të proçedurave apo marrjes së dokumentit të pronësisë, tregon që është shumë herë më shpejt në krahasim me vite më parë.
Tek buxheti vendor do të shtohen fondi prej 2 miliard lek për reformën e decentralizimit. Buxheti vendor i viti 2017 është 3.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2.1% në 2013.
Dua gjithashtu të përmend një kapitull shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me Buxhetin për qytetarin. Rëndom kemi diskutuar në terma makro, edhe të detajuar, por unë dua të sjell për Komisionin reflektimin tonë për Buxhetin ndaj qytetarit.
Politikisht do të thoja se është një premtim i mbajtur dhe nuk jemi ende në përfundim të rrugës së shëndetësisë falas, por jemi në një trend jashtëzakonisht të konsoliduar për qytetarët që megjithë probemet që ka sistemi, kanë mundësi t’i prekin me duart e tyre këto përmirësimie.
Nuk mund të lë pa përmendur përfitimet për biznesin. Hoqëm taksën e biznesit të vogël, 70 mijë biznese të vogla u lehtësuan me një taksë 0; 1.3 miliard lekë në vit më shumë për biznesin e vogël. Për biznesin me xhiro nga 5-8 milionë lekë, ulja e taksimit në 5%, preku 15,650 biznese duke i lehtësuar nga barra fiskale. Edhe në raport-progres vlerësohej përmirësimi i klimës së biznesit.
Do të ndaloj një sekondë këtu për të treguar rritjen e mbështetjes nga fondet buxhetore, nga 847 milion lekë në 1.8 miliarde lekë, dhe skemën kredituese, pra një kombinim shumë i shëndetshëm nëpërmjet mbështetjes, subvencionit të drejtpërdrejtë të prodhimit bujqësor dhe ofrimit të mundësive të kreditimit, që është pjesë e premtimit që kjo Qeveri ka bërë.
Do të përmend shkurtimisht edhe Paketën fiskale. Janë 4 ligje fiskale, të cilët synojnë thjeshtim procedurash, disiplinim procedurash dhe lehtësim të atyre industrive, që unë iu referova drejtpërsdrejti. Sigurisht që në atë paketë ka një disiplinim akoma më të madh në sektorin e naftës. Dua të jem shumë i sinqertë, që ligji i akcizës i bërë në vitin 2012 është një ligj shumë i mire. Përmirësimet që kemi sjellë, e bëjnë këtë ligj akoma më disiplinues dhe besoj se ka nevojë që sektori të disiplinohet më tej.
Ka një listë të gjatë të thjeshtëzimit të procedurave, gjithsesi ne e kaluam së bashku ligjin e procedurave tatimore, kështu që unë po ndaloj këtu duke ju falendruar për vëmendjen dhe duke ju kërkuar ndjesë që detyrimisht duhet të ishte një prezantim i gjatë, për shkak edhe të buxhetit të fundit, të mandatit të parë.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.