Postuar më: 17/12/2013

Fjala e Ministrit të Financave mbi konkluzionet përmbyllëse me misionin e FMN

FJALA E MINISTRIT TË FINANCAVE MBI KONKLUZIONET

PËRMBYLLËSE ME MISIONIN E FMN

 

 

Në dy javët e fundit, Ministria e Financës zhvilloi takime intensive me misionin e FMN-së në kuadër të Artikullit IV dhe për mundësinë e nënshkrimit të një programi të ri me Fondin. Së pari, dua të shpreh mirënjohjen për ekipin e FMN-së dhe, në veçanti, për Z. Ilahi, për bisedat konstruktive dhe ndihmën e dhënë gjatë këtyre ditëve për hartimin e planit buxhetor afatmesëm që synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe vënien nën kontroll të financave publike. Njëkohësisht, falënderoj kolegun Ahmetaj dhe Ministrinë e Ekonomisë për bashkëpunimin.

Ekonomia shqiptare është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit. Rritja reale në vitin 2013 është parashikuar të jetë 1.3 për qind, me një përmirësim modest në 2014-ën në rreth 2 për qind. Kërkesa e brendshme mbetet e dobët, si pasojë e ngadalësimit të kreditimit dhe faturave të papaguara. Rritja ekonomike, në vitet e fundit, është mbështetur, kryesisht, në kërkesën e jashtme, por kontributi i saj ka qenë i kufizuar si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në eurozonë, sidomos në Itali dhe Greqi. Ekonomia është duke operuar nën potencialin e saj, ndaj lind nevoja e gjetjes së rrugëve për të mbështetur rritjen ekonomike.

Nxitja e ekonomisë nëpërmjet rritjes së borxhit publik do ta vinte ekonominë përballë një rreziku akoma më të madh. Borxhi publik ka arritur një nivel jo vetëm të rrezikshëm, por edhe të kushtueshëm. Shpenzimet e larta të interesit (sa gjysma e investimeve publike apo më shumë) zvogëlojnë hapësirën për shpenzime të tjera më produktive. Ndaj lind nevoja e gjetjes së rrugëve më efektive për mbështetjen e rritjes ekonomike. Përmirësimi i klimës së biznesit përbën një faktor të rëndësishëm për rritjen e investimeve. Qeveria është e angazhuar të ndërmarrë një sërë masash afatshkurtra dhe afatmesme në këtë drejtim.

Prioriteti ynë është shlyerja në vitin 2014 të nj pjese të faturave të papaguara (35 miliardë lekë) dhe, duke filluar nga janari 2014, kryerja në kohë e të gjitha pagesave, përfshirë rimbursimin në kohë të TVSh-së. Rritja e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik në vitet e fundit është kthyer në një pengesë të madhe për aktivitetin ekonomik, duke krijuar një zinxhir negativ vonesash të pagesave, që kanë ndikuar negativisht bilancet e shoqërive private dhe bankave. Shlyerja e shpejtë e këtyre detyrimeve do të rriste besimin e biznesit dhe do të përmirësonte gjendjen e likuiditetit në sektorin privat. Shlyerjae detyrimeve të prapambetura do të mbështetet në një strategjitë plotë dhe transparente, që do të publikohet edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financës. Përveç pagesës së detyrimeve të prapambetura, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme për të monitoruar kontratat publike, në mënyrë që të shmangen pagesë-vonesat në të ardhmen.

Për periudhën afatmesme, ne jemi munduar të gjejmë balancën e duhur mes uljes së borxhit publik dhe rritjes ekonomike. Politika fiskale do të menaxhohet në përputhje me gjendjen e ekonomisë – d.m.th. do të lehtësohet, në qoftë se rritja ekonomike është më e dobët se parashikimi, dhe anasjelltas. Ndërkohë, për uljen e barrës së borxhit publik në periudhën afatmesme, për t’i hapur rrugë shpenzimeve më produktive, është zgjedhur rruga e zgjerimit të bazës së të ardhurave. Shqipëria qëndron poshtë vendeve të rajonit dhe vendeve të BE në lidhje me nivelin e shpenzimeve publike. Një shkurtim i shpenzimeve publike, sidomos për sektorë kyç, si arsimi dhe infrastruktura, do të çonte në një përkeqësim të klimës së biznesit. Ndaj, zgjerimi i bazës së të ardhurave do krijojë hapësirën e nevojshme si për rritjen e nivelit të shpenzimeve publike, ashtu edhe për arritjen e konsolidimit fiskal, pa cenuar rritjen ekonomike.

Përmirësimi i administratës tatimore është kritik për zgjerimin e bazës së të ardhurave dhe rritjen e konkurrencës së ndershme. Mbledhja e të ardhurave vazhdon të vuajë nga niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, duke rezultuar në një nga treguesit më të ulët të efikasitetit të taksave në rajon. Kohët e fundit, ne morëm një tjetër asistencë teknike nga FMN-ja për administratën tatimore dhe planifikojmë për të zbatuar rekomandimet e tyre në vitin 2014, që përfshin futjen e një sistemi të ri informatik. Përveç kësaj, kontrata që kemi me Crown Agents, presim të ketë ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e korrupsionit në dogana.

Gjithashtu, jemi duke zbatuar një sërë masash për të përmirësuar pagesën e taksave dhe zvogëlimin e korrupsionit. Për të luftuar korrupsionin në mbledhjen e taksave, inspektorët e taksave do të kërkohet të raportojnë më shpesh dhe më me detaje në DPT për pagesat tatimore të rretheve që ata janë përgjegjës. Atyre do ‘tu jepen pajisje që lidhen me data bazën e DPT-së për të verifikuar të dhënat e pagesave tatimore të bizneseve në kohë reale gjatë inspektimeve. Inspektorët do të jetë subjekt i ri-inspektime dhe mbajnë përgjegjësi për raportime të gabuara. Gjithashtu, kemi në plan për të zbatuar lotaritë në faturat e shitjeve për t’i dhënë konsumatorëve më shumë stimuj të kërkojnë fatura në transaksionet e tregut. Për bizneset, të cilave qeveria u detyrohet shumat e papaguara, ne do të kontrollojmë të dhënat e tyre të pagesave të taksave dhe do të kryejmë netimin e tyre nga pagesat e vonuara që ata do të marrin. Do të vazhdojmë fushatën për ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e pagimit të taksave. Për të reduktuar mashtrimet në skemën e rimbursimit të TVSh-së dhe tatim fitimit, do të kryejmë verifikime më të plota të kërkesave për rimbursim, dhe, më vonë, do të ndryshojmë procesin e verifikimit duke e lidhur atë direkt me të dhënat online të pagesave tatimore të bizneseve, në mënyrë që të zvogëlojmë rrezikun e korrupsionit. Verifikimet elektronike do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të rimbursimit. Pra, përtej rritjes së disa taksave që kanë si qëllim zbutjen e barrës fiskale për shtresat në nevojë, më e rëndësishme për mbarëvajtjen e biznesit është barazia në mbledhjen e taksave.

Reforma e skemës së pensioneve është një tjetër prioritet i rëndësishëm për qëndrueshmërinë fiskale në periudhën afatmesme. Skema aktuale mund të bëhet e paqëndrueshme nëse nuk ndërmerren reforma të nevojshme. Shumë shpejt do të krijohet një komision që do të shqyrtojë reformën e skemës së pensioneve në bashkëpunim me Bankën Botërore, për të përgatitur një strategji afatmesme për t’u diskutuar më pas në publik. Kolegu Ahmetaj mund të jetë edhe më i plotë për reformat e tjera në fushën e pronës, në energjetikë, për klimën e biznesit, etj. E rëndësishme është që të jemi komplimentarë dhe bashkëpunues në këto reforma.

Në takimet me FMN gjetëm mirëkuptimin për shumë nga çështjet e mësipërme dhe mundësia e një marrëveshje të re është e madhe. Kjo do t’i hapte rrugën marrjes së huave me terma të buta nga institucionet financiare  ndërkombëtare, për të injektuar likuiditetin e nevojshëm për të ndihmuar rritjen ekonomike pa rrezikuar ekuilibrat makroekonomikë.

 

FALEMINDERIT!

Të rejat e fundit