Postuar më: 06/11/2014

Cani: Projektligji “Për pensionet e minatorëve”, zotim i mbajtur

Të nderuar kolegë,

Besoj pritshmëria (ndonëse jo e artikuluar kështu ekzaktësisht) është që të them: S’ka para, për arsye se Ministria e Financave, zakonisht, kur ndodhet në periudhën e buxheteve, ndodhet gjithnjë në vështirësi dhe thuajse e ka të pamundur të flas për dhënie parash. Në fakt, kryefjala ime sot në këtë diskutim është që ka, do t’i japim këto para, janë parashikuar në buxhetin e vitit 2015 këto para, dhe janë ndoshta ndër paratë më të merituara në buxhetin e vitit 2015.

Natyrisht që unë e di fuqinë e parasë. Të gjithë bashkë e njohim vështirësinë dhe, pavarësisht nga dëshira e mirë, buxheti ka vështirësitë e veta, por ne, mbi të gjitha, dimë se mbi koston e parasë, mbi vështirësitë e buxhetit, qëndron e drejta ndaj asaj shtrese që i takon kjo e drejtë, e po kështu është edhe mbajtja e premtimeve të kësaj qeverie, ashtu siç ka patur në programin e saj, uljen e moshës së pensionit të minatorëve.

Kjo është një filozofi e re e qeverisë sonë, është një filozofi për t’u ardhur në ndihmë shtresave të veçanta të shoqërisë dhe, në rastin konkret, minatorëve, kësaj shtrese fisnike njerëzish të punës, dhe thjesht do të thoja se nuk po bëjmë privilegj, por po zbatojmë pikë për pikë atë që kemi si filozofi.

Gjatë këtyre ditëve ne do të flasim edhe për të tjera detaje të buxhetit 2015, por përsëri është e sigurt se filozofia e mbështetjes së shtresave në nevojë dhe shtresave të veçanta është e pasqyruar në të gjithë projektbuxhetin e vitit 2015.

Më lejoni të përmend vetëm një rast, nga moria e rasteve që fshihen pas shifrave të projektbuxhetit: Do të bëhet kompesimi i plotë 100%, pra, të paktën është parashikuar në buxhetin e 2015-ës dhe pastaj do të vendosë ERE, për heqjen e fashës së energjisë elektrike. Por veçoria është se, ndryshe nga të gjithë vitet e tjerë, nga të gjitha rastet e tjera pararendëse, nuk mbështetet, nuk subvencionet, vetëm 200 kilovatëshi, por është për të 300 kw e fashës që hiqet. Pra, për herë të parë jepet mbështetje për këtë shtesë, për 50% më shumë se sa është dhënë në të 20 vitet e shkuara.

Më lejoni të shkëputem për një çast nga ministri dhe të flas si deputet i një zone minatorësh. E kam për detyrë e, ndoshta, edhe këtu nuk jemi mësuar, por më duhet që të falenderoj qeverinë, kolegët e mi ministra, të falenderoj kryeministrin, falenderoj edhe zëvendëskryeministrin, edhe juve si kolegë për mbështetjen që jepni për këtë shtresë fisnike, për atë që vërtetë u takon. Por, nëse sot ne flasim se po realizojmë atë që u takon një shtrese, nuk duhet të harrojmë se kjo u ka pas takuar edhe për 15 vitet rresht të kaluara, por që bëhet sot, bëhet realitet, e në këtë mënyrë pra mbahet një zotim.

Mua që jam deputet i asaj zone dhe që ndoshta i njoh kushtet e punës relativisht më mirë nga një pjesë tjetër që nuk i përfaqëson ata, më duhet të them se kam respektin e thellë për ta, për kushtet e punës, madje do të thoja të mbijetesës. Ne bëmë një hap si qeveri. Një pjesë tjetër që duhet të ndiqet nga qeveria, por që i takon biznesit, janë kushtet e sigurisë në punë.  Jetët e marra, vërtetë në rrallim, por që po ndodhin, janë një alarm për biznesin, por dhe për qeverinë për ta kontrolluar biznesin për të përmirësuar kushtet e punës.

Këta njerëz marrin një pension para kohe, pra u ulet mosha me 5 vjet, jo për favor, sepse ata jetojnë e punojnë në kushtet e mungesës së oksigjenit, mungesës së dritës, rrezikun për jetën, kapriçot e motit në një zonë tepër të ashpër, ku doemoes dhe siguria për jetën është relativisht më e ulët. Të gjitha këto janë të lidhura me ato që njihen si sëmundjet profesionale, të cilat e shkurtojnë relativisht shumë më tepër jetëgjatësinë e kësaj shtrese, kështu që duhet të dalin më përpara në pension për ta gëzuar atë pjesë të jetës që u takon.

I bindur  se votuesit e mi më dëgjojnë në këtë diskutim, jam i bindur që ata më mbështesin në faktin se ky është vetëm fillimi, ka shumë e shumë gjëra që mund të bëjmë për këtë shtresë të varfër. Natyrisht që një tjetër veprim që shkon për këtë pjesë të popullsisë, që përsëri është e përfshirë në buxhetin e vitit 2015, është katërfishishimi  i rentës minerare, që shkon në shërbim të këtij komuniteti, natyrisht jo vetëm të Bulqizës, por edhe të gjithë atyre zonave që kanë pasuri natyrore.

Janë edhe të tjera zotime që qeveria ka marrë ndaj tyre. Nuk i kam harruar as unë, as qeveria; natyrisht që është Rruga e Arbrit, sidomos për atë zonë të veçantë, them besimplotë se edhe ky zotim, ashtu si dhe hapja e pusit të thellësisë, do të realizohet.

Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen dhe ju ftoj ta votojmë këtë projektligj.

Faleminderit!

Të rejat e fundit