Më lejoni që t’i drejtohem publikut që na dëgjon, kujtdo në Shqipëri, sepse e kuptoj se, nëse ka folës nga opozita që e dinë se çfarë ka brenda ligji apo për çfarë flet ky ligj, unë jam gati të pranoj çdo lloj basti, me çdo lloj kushti. Këtu janë njerëzit që nuk e kanë idenë fare se për çfarë flitet!
(I drejtohet opozitës) Mos u mërzitni se kam sjellë dhe ligjin e lojërave të fatit! Mos u mërzisni! Do të luani, do t’ua kufizojmë pak lojën, po mos u mërzisni!
Po diskutojmë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Islandës, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat”.
Për dijeni të publikut, po sqaroj se çfarë ka brenda ky ligj, që përzihet me krimin dhe kriminelët. Po ju them (se këtu vihet një pikëpyetje e madhe, nëse po bëhet mirë apo keq që po miratojmë këtë lloj ligji) se çfarë thotë ligji: Me një vend modest me madhësi, siç është Islanda, me të cilën ne dëshirojmë që të lidhim këtë marrëveshje, nuk do bëjmë asgjë, as më shumë, as më pak, por do të krijojmë një klimë më të mirë për biznesin, do të shmangim tatimin e dyfishtë, do të shmangim evazionin fiskal midis dy vendeve. Kjo do të na krijojë mundësinë e një informacioni të përbashkët me qëllim parandalimin e veprimtarive të pakëndshme për të dy palët.
Më gjeni këtu një pikë që nuk është në favor të këtij publiku dhe në favor të biznesit! Pra gjithçka është në ndihmë të investitorëve të huaj në Shqipëri. Gjithçka është në ndihmë të biznesit.
Derisa këtu u fol për çdo gjë, madje, me të drejtë, u fol edhe për akte të dhunshme të policisë në këto ditë, është e drejtë, është e saktë, është shqetësuese. U shkarkuan policët për këtë ngjarje. Le të marrim anën tjetër; U vranë katër vetë, me urdhër të këtij shteti dhe u mbrojtën policët?! Çfarë kërkohet, çfarë lajmi duam t’i përcjellim publikut? Që ne jemi krahu që vrasim, që presim, që bëjmë çfarë të duam dhe nuk marrim asnjë përgjegjësi?
Ne themi se ata që nuk dinë të zbatojnë siç duhet detyrën, i largojmë nga detyra, sepse kanë bërë shkelje të detyrës. Kjo është normale! Dhe kështu duhet të shkojë çdo gjë. Se del fiks ai që vret dhe të tregon që dhuna është e dëmshme. Faleminderit!
Tani, dy fjalë mund t’i thonit për ligjin që është i dobishëm dhe i dosmosdoshëm, sepse në fund fare, ta dijë publiku, ju do të votoni pro këtij ligji, ju nuk do votoni të kundërtën. Dhe ju e inkriminuat këtë ligj! Ata që na dëgjojnë nuk e marrin vesh se ku është i gjithë ky akt kriminal ndaj kësaj marrëveshjeje, ndaj këtij projektligji?! Në fund fare do ta hidhni votën në favor dhe nuk thatë një fjalë të mirë pro këtij ligji!
Dikush u shqetësua shumë për halle të mëdha, për largime nga puna, etj. Na tregoi dhe shifrën që është paguar për largimet nga puna, që janë 3.3 miliardë lekë ose 3.3 milionë USD. Po, është e vërtetë: ne po paguajmë sot të gjitha gjyqet tuaja, që ua kanë fituar qytetarët shqiptarë dhe bizneset dhe ju, prej vitesh, jo vetëm që i përgjunjët, jo vetëm që i përbuzët, jo vetëm që çfarë nuk bëtë kundër tyre, por tani na e latë dhe faturën! Dhe na thoni, paguheni dhe këtë faturë!
Edhe dy momente, se ndoshta ju interesojmë e që kanë kaluar pa i vënë re. Nuk dua të flas, se këtu kam dokumente që flet FMN, BB, pra të tretët, se si po shkon ekonomia, etj, Por po ju tërheq vëmendjen për dy gjëra, që do t’u hyjnë në punë, ndaj mos i nënvlerësoni:
1. Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve ku e futët ju, në ndjekje, në vëzhgim, për pastrimin e parave, çka tregon, zotërinj të opozitës se, për paratë që keni vjedhur, për paratë që keni bërë ryshfete, për para që keni grabitur në popull, do jeni në vëzhgim dhe do të jeni të detyruar t’i ktheni, sipas standardeve ndërkombëtare.
2. Besoj se nuk e keni vërejtur dhe këtë, se me OECD (dhe 50 vende të tjera), muaj më parë, kemi nënshkruar një marrëveshje për shkëmbim informacioni për mosshmangie të taksave dhe tatimeve. Do të vijë shumë shpejt, do t’i dëgjoni “këmborët” e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, ku ne kemi pranuar të jemi bashkë me 50-shen e vende fillestare, të kërkojmë të dhëna nga jashtë dhe të çojmë të dhënat tona jashtë për pasuritë tuaja!
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.